KultPlus
Me moton ‘Solidaritet dhe Qëndrueshmëri’, fillon edicioni i tetë i Festivalit ‘FemArt’
Për herë të tetë, Qendra për Art dhe Komuniteti ‘Artpoli’, organizon ‘FemArt’, Festivalin ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste në Prishtinë, duke filluar nga data 15 tetor e që do të vazhdoj deri më 20 tetor, kësaj radhe me moton ‘Solidaritet dhe Qëndrueshmëri’, shkruan KultPlus.
FemArt është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që vazhdon të bashkojë artistë dhe aktivistë nga e gjithë bota në zemër të Kosovës prej vitesh.
Ky vit i vështirë ka shkaktuar shumë ndryshime në plane, për festivale dhe organizime tjera të ndryshme, për shkak të pandemisë Covid-19, përderisa FemArt pas një pune të madhe dhe me sfida, në këtë edicion të jashtëzakonshëm, do të jetë festivali i parë i organizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me publikun në vitin 2020 në Kosovë dhe do të përfshijë më së shumti artiste/ë vendor sesa ndonjë edicion tjetër i FemArt-it deri tani.
Moto e festivalit FemArt 2020 “Solidaritet dhe Qëndrueshmëri” synon solidaritetin si parim të mbështetjes së ndërsjellë në mes grave dhe vajzave, artisteve dhe aktivisteve që punojnë për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave dhe qëndrueshmëri si aftësi për t’i bërë ballë fatkeqësive, traumave dhe sfidave duke u ngritë në këmbë sa herë rrëzohemi e duke e ngritë zërin sa herë që mundohen të na heshtin.Duke e pasur parasysh ndikimin e krizës financiare të shkaktuar nga pandemia, sidomos në fushën e artit dhe të kulturës, ishte shumë e rëndësishme që ne të krijojmë hapësirë, mbështetje financiare dhe mjedis të sigurt për 160 artistet/ët, aktivistet/ët dhe të rinjtë që do të marrin pjesë në edicionin e 8të të Festivalit FemArt 2020. Pjesë e festivalit do të jenë edhe 20 vullnetare/ë, të reja e të rinj, pjesëtare/ë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, që ta ngritë pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon, dhe të drejtave njerëzore në përgjithësi, si dhe ndarjen e përvojave.
Aktivitetet që e karakterizojnë këtë edicion janë: 2 ekspozita, 2 koncerte, 1 publikim i raportit, 1 konferencë ndërkombëtare, 3 panele diskutimi, 1 publikim i broshurës, 6 shfaqje/performanca teatrale, 2 dans teatër, 3 punëtori, 10 filma, 6 podcast.
Ky aktivitet zhvillohet në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19” të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe “Projektligji për prandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”. Kërkohet nga të gjithë pjesëmarrëset/sit të respektojnë të gjitha masat për mbrojtjen nga Covid-19 duke mbajtur maskat dhe distancën.
Për më shumë, gjeni linkun e ngjarjes në Facebook: https://bit.ly/34DTDd4.