Skip to main content

FemArt sivjet do të mbahet me moton “Nga revolucioni në evolucion.

Përmes një komunikate për media, qendra ArtPolis ka njoftuar se evolucioni feminist vazhdon, madje sipas tyre, sivjet edhe më i gjerë e më i plotë.

Sipas njoftimit, këtë vit artistë, aktivistë e feministë vendorë dhe ndërkombëtarë pikëtakohen sërish në Festivalin e parë feminist në Kosovë e më të madhin në rajon, FemArt.

“FemArt 10, për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor 2022, vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave artiste, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen. Mblidhemi për të festuar një dekadë të njohjes e nderimit të guximit të grave artiste, fuqisë kreative, e angazhimit të tyre për barazi e drejtësi përmes shfaqjeve teatrore, performancave, baletit flamengo, vallëzimit bashkëkohorë, konferencave, ekspozitave e prezentimeve nga Kosova, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Italia e Franca. Një dekadë guxim, krenari e dashuri. Për një dekadë kemi krijuar ngjarje, thyer barriera e ndërtuar ura të reja të paqes në vend, rajon e më gjerë. Jemi rebeluar për të këputur fijet e patriarkatit, e shkundur mendësinë e dëmshme të së vjetrës”, thuhet në njoftim.

ArtPolis thotë se aktivizmi artistik-feminist vjen si një përgjigje për t’u shëruar e kuptuar, për të krijuar e transformuar shoqërinë e jetën, mbi të gjitha për të shkërmuar secilin nocion të normuar mbi pabarazinë.

“Ky angazhim ka frymuar falë dashurisë për artin, aktivizmin, jetën, ekzistencën, barazinë e drejtësinë. Në këtë 10-vjetorë, për dhjetë ditë ejani të festojmë e rebelohemi, argëtohemi e inspirojmë, performojmë e bëjmë thirrje për barazi, drejtësi, fuqizim e njohje të kontributit të grave, artisteve e aktivisteve deri në revolucionin e radhës”, thuhet në njoftim.

https://www.koha.net/kulture/318974/femart-sivjet-vjen-me-moton-nga-revolucioni-ne-evolucion/?fbclid=IwAR0J1QnJcANZnXtNrs5Ho3y9AkXaHeyY9s_kRkDZGEHsBsDLg8GqGmlezXY