https://www.koha.net/kulture/marrja-zeze-me-21-trendafila-per-ta-varrosur-heshtjen-dhe-turpin
Shpërndarja e 21 trëndafilave të kuq, ku secilit i kërkohet ta thotë me zë të lartë një fjali që nis me frazën “Unë dua ta varros…”, është në thelbin e performancës “Varrimi i turpit” të kolektivit “Marrja Zezë”. Duke e vendosur ndjeshmërinë personale në qendër të veprimit artistik, kjo platformë i dedikohet shëndetit mendor dhe lirisë për të jetuar përmes rrëfimeve personale, rikrijimeve dhe ngjarjeve socio-artistike performative. Ajo që ka sjellë në skenë, i ka shkuar për shtat “FemArtit”, që sivjet e ka moton “Çliroje mendjen”
Në zemër të saj ka qenë akti i thjeshtë, por depërtues: shpërndarja e 21 trëndafilave të kuq, ku secilit i është kërkuar ta thotë me zë të lartë një fjali që nis me frazën “Unë dua ta varros…”. Performanca është realizuar në kuadër të edicionit të 13-të të festivalit “FemArt”, që sivjet ka sjellë artistë nga vende të ndryshme për t’i trajtuar temat e fuqizimit, rezistencës dhe çlirimit përmes formave të ndryshme të artit bashkëkohor.
“Marrja Zezë” është një platformë që vjen nga diaspora, me regjisoren Jehonë Jahaj dhe këngëtaren Arbreshë Latifaj. Duke e vendosur ndjeshmërinë personale në qendër të veprimit artistik, kjo platformë i dedikohet shëndetit mendor dhe lirisë për të jetuar përmes rrëfimeve personale, rikrijimeve dhe ngjarjeve socio-artistike performative.
Në një atmosferë që e ngjall ndjesinë e ëndrrës, është interpretuar edhe “Kur bie fyelli e çiftelia” e Vaçe Zelës në një zhanër etno-jazz. Janë përcjellë këngë isopolifonike, “Mora fjalë”, “Ani mori nuse” dhe “E dehur jam”, të cilat e kanë krijuar një rrjedhë zëri të përbashkët, sikur të ishin fjalë të një grupi grash që s’kanë më nevojë të kërkojnë leje për të folur.
Në fund është luajtur loja simbolike me 21 trëndafilat. Kështu, “Marrja Zezë” e ka ndërtuar një hapësirë të përbashkët të kujtesës, zemërimit dhe çlirimit.
“Domethënë, para 5 vjetësh më ka pyetur një artiste që ta shkruaj një tekst për marren, kur e kam kryer tekstin veç e kam parë që kisha shumë mllef dhe kam vendosur të bëj diçka me këtë send dhe atëherë, shoqja ime Arbresha ka qenë duke ardhur në Berlin dhe veç më ka ardhur ideja ta hap faqen dhe ta bëj një event performativ me elemente rituali, kemi blerë një set me lule dhe më ka ardhur ideja që të varros aty diçka, këto rituale i kemi mbajtur në çdo event”, ka thënë për KOHËN regjisorja e performancës, Jehonë Jahaj, në fund të mbrëmjes.
“Marrja Zezë” është një platformë që vjen nga diaspora, me regjisoren Jehonë Jahaj dhe këngëtaren Arbreshë Latifaj. Në “FemArt” e ka ndërtuar një hapësirë të përbashkët të kujtesës, zemërimit dhe çlirimit (Foto: Rilind Beqa / FemArt)
“Arbresha e ka një projekt etno, të cilit i është përkushtuar për t’i riinterpretuar këngët tona folklorike në mënyrat e saj. Ajo i zgjedh sipas mendimit të vet krejt dhe lidhen goxha me motive feministë, do të thosha, dhe i interpreton në një mënyrë etno-jazz”, ka shtuar ajo.
Ndër të tjera, ajo ka folur edhe për reagimin e publikut në Kosovë kur e interpreton simbolikën me trëndafila, duke treguar se edhe pse shpesh fillon me hezitim, për shkak të turpit të brendësuar gradualisht publiku çelet, e merr nga një trëndafil dhe e shpërfaq atë që dëshiron “ta varrosë”.
Drejtoresha e festivalit “FemArt”, Zana Hoxha, ka vënë në pah që kolektivi “Marrja Zezë” nga diaspora ka sjellë një ndërthurje të poezisë, muzikës dhe aktivizmit, duke e bërë mbrëmjen një rrëfim të plotë të rezistencës përmes artit.
“Sonte vazhdojmë ta kemi një natë shumë speciale të muzikës, e kishim kolektivin ‘Marrja Zezë’ që vjen nga diaspora, nga Gjermania, me Jehonën dhe me Arbreshën, që e sollën një kombinim të performancës artistike përmes poezive, aktivizmit por edhe muzikës, pastaj e kemi edhe muzikën me defa, me defatore nga Gjakova, pra sonte është njëfarë nate e muzikës”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e festivalit.
“Unë i kam parë moti, i kam dëgjuar moti dhe më kanë pëlqyer, kemi tentuar disa herë, por puna e orareve, s’janë përputhur, kësaj here ishte tamam koha e duhur edhe ky ishte bashkëpunim i natyrshëm, sepse Jehona ka qenë në një event tjetër që e kemi pasur, ‘Poezi për fuqi’, Arbreshën e kam dëgjuar në “Instagram”, kështu që ka ardhur natyrshëm”, e ka treguar ajo procesin e bashkëpunimit me dy artistet.
E, artisja koreane, Yunjung Kim, pjesëmarrëse nga kolektivi italian “Biloura”, ka qenë për herë të parë në festivalin “FemArt”. Ajo ka treguar se për të ka qenë një përvojë e re dhe emocionuese të dëgjonte muzikë shqiptare.
Nga publiku ka folur edhe Lejla Pula, profesoreshë e muzikës në Universitetin e Prishtinës, e cila e ka përcjellë mbrëmjen artistike dhe ka treguar se artistet e reja kanë shumë potencial.
“Të dyja artistet e reja, Jehona dhe Arbresha, në performancën e sontme kanë treguar kreativitet dhe përkushtim në përmbajtjen artistike të shfaqur në skenë. Të dyja kanë potencial artistik, edhe pse akoma në suazat pakëz të njëtrajtshme, mirëpo laramania e ideve dhe e porosive vërehet si synim pozitiv i të shprehurit artistik përmes fjalës së artikuluar qartë te Jehona, dhe tingullit subtil dhe bukur të kontrolluar në timbër tek Arbresha”, ka thënë Pula.