Skip to main content

https://kallxo.com/lajm/me-shfaqjen-carmen-te-interpretuar-nga-barcelona-flamenco-ballet-u-hap-edicioni-i-12-te-i-festivalit-femart/

Nën moton “Motërzimi”: n’Kohë Lufte dhe Paqe” dhe një performancë nga Barcelona Flamenco Ballet, e cila interpretoi shfaqjen “Carmen”, u bë hapja e edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve, FemArt, i cili ka për qëllim fuqizimin e grave përmes artit dhe aktivizmit përcjellë me një program të pasur me aktivitete kulturore dhe sociale.

Ndërmjet datave 26 dhe 30 shtator, Festivali do ofrojë aktivitete e përzierje të shumëllojshme të zhanreve artistike, përfshirë shfaqje teatrore, performanca muzikore, ekspozita të artit, dokumentarë, filma të shkurtër si dhe një sërë punëtorish dhe diskutimesh që sfidojnë stereotipet dhe promovojnë diversitetin dhe të drejtat e grave.

“Motërzimi i kapërcen kufijtë e të zakonshmes; është një lëvizje artistike që na lidh përmes humanizmit tonë të përbashkët, duke na nxitur të qëndrojmë së bashku në momentet e trazuara dhe të qeta. Arti, në thelbin e tij, është më shumë se thjesht një shprehje – është një katalizator i fuqishëm për ndryshim, duke na sfiduar të përballemi dhe të rimendojmë pikëpamjet tona, të trazojë emocionet tona dhe të ndezë shpirtrat tanë. Në kohë konflikti, arti bëhet thirrje për qëndrueshmëri dhe revolucion, ndërsa në periudha paqeje, ai hedh themelet për rritje dhe ndriçim kolektiv”- ka deklaruar për Kallxo.com Zana Hoxha, organizatore dhe themeluese e Festivalit.

Tutje, ajo shtoi se në Kosovë dhe në mbarë Ballkanin, ku gratë përballen me kërcënime dhe dhunë sistematike, thirrja për ndryshim është urgjente dhe e thellë.

“FemArt, i organizuar në zemër të Prishtinës, është dëshmi e ndikimit të thellë të shprehjes artistike si një mjet për ndryshime rrënjësore. Kosova ka qenë prej kohësh e njohur për mikpritjen e saj dhe ne do të vazhdojmë të mirëpresim artiste/ë dhe aktiviste/ë feministe/ë nga e gjithë bota që të mblidhen dhe të shfaqin punën e tyre. Nëpërmjet fuqisë transformuese të artit, ne sfidojmë status quo-në, parashikojmë mundësi të reja dhe krijojmë lidhje që tejkalojnë të zakonshmen”- shtoi me tej Hoxha.

Në ditët në vijim, FemArt do të përfshijë një mori ngjarjesh të tjera me koncerte, ku artistë vendorë dhe ndërkombëtarë do të bashkohen për të festuar frymën e krijimtarisë dhe fuqizimin e gruas. Një pjesë tjetër e rëndësishme e Festivalit do të jenë edhe ekspozitat e artit vizual dhe filmave dokumentarë, të cilat do të eksplorojnë përvojat e grave në kohë lufte dhe paqe.

Sipas njoftimit të Festivalit, mbrëmje e veçantë do të jetë publikimi i Monografisë “FemArt Festival: 10 Vjet dhe Duke u Rritur…2013 – 2022,” që shoqërohet me një panel diskutimi dhe një ekspozitë fotografike që thekson dhjetë vite angazhimi feminist në Kosovë.

Artiste feministe të njohura si Sylvia Camarda, Natasha Zhivkoviq, Paula Markovitch dhe të tjera do të prezantojnë punën e tyre.

Festivali gjithashtu do të mbajë një konferencë rajonale për paqen dhe do të përfshijë performanca muzikore nga Lucia de Carvalho dhe Vjollca Robelli-Mripa (AJO), dhe AJO do të mbyllë edicionin e 12-të të Festivalit FemArt.