Femicidi, vrasja e grave dhe vajzave, paraqet një nga problemet më të rënda me të cilat po përballet shoqëria kosovare për vite me radhë.
Vetëm në 5 vitet e fundit 29 gra janë vrarë si rezultat i dhunës në familje. Ndërsa, me mijëra raste të dhunës në familje raportohen çdo vit.
Autorët e këtyre veprave në të shumtën e rasteve janë recidivistë të dhunës në familje. Dënimet ndaj tyre nga gjykatat janë simbolike.
Kështu u tha të enjten, më 26.09.2024, gjatë panelit diskutues “Femicidi – Si ta luftojmë” i organizuar në kuadër të edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve “FemArt”.
Ky diskutim u mbajt në Institutin Francez në Prishtinë.
Gjatë këtij diskutimi u tha se përmasat e dhunës në familje janë mjaft shqetësuese dhe u kritikua prokuroria dhe gjykatat të cilat, sipas diskutuesve, nuk janë duke u dhënë dënimet e merituara kryerësve të këtyre rasteve.
Aktivistet, pjesëmarrëse gjatë këtij diskutimi, kanë folur lidhur me problemet me të cilat janë përballur dhe po përballen për mbrojtjen dhe trajtimin e viktimave të dhunës në familje.
Një fjalë rasti mbajti edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, i cili tha se organizimet e tilla kanë një rëndësi për vetëdijesimin e shoqërisë lidhur me trajtimin e rasteve dhe shqetësimeve që u ngritën gjatë këtij paneli.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se adresimi i dhunës në familje është ndër prioritetet e Qeverisë. Ajo tha se 87 % e rekomandimeve të Strategjisë për parandalimin e dhunës në familje janë realizuar apo janë në proces të realizimit.
Haxhiu tha se së bashku edhe më shoqërinë civile janë duke punuar për të përfshirë në Kodin Penal çështjen e femicidit dhe dhunës- abuzimeve ndaj grave dhe vajzave edhe përmes rrjeteve sociale.
Shqetësim, sipas saj, mbeten dënimet jo të duhura të kryerësve të veprave të dhunës në familje nga gjykatat kosovare.
“Rastet e vrasjeve së grave së fundmi kanë pasur dënime më burgim të përjetshëm. Ajo që na shqetëson është se vendimet e shkallës së parë po bien në shkallë të dytë”- tha ajo duke shtuar se Qeveria ka hartuar edhe kurrikulën për trajtim të dhunuesve e personat që dënohen për raste të tilla.
Problemi me recidivistët Afërdita Mikullovci, kolonele, drejtoreshë e Policisë Rajonale në Mitrovicë, tha gjatë panelit se Policia ballafaqohet me sfida të shumta gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje.
Ajo tha se kryerësit më të shpeshtë të akteve të dhunës në familje janë recidivistë.
Nisur nga kjo, ajo ka hartuar një listë të tyre për rajonin e Mitrovicës me qëllim që kur një recidivist akuzohet për një rast, gjykata duhet t’i ketë parasysh rastet e dhunës në familje të kryera edhe më herët nga ai.
“Të gjitha të dhënat e kryerësve të veprave (dhunës në familje) i kam dërguar te kryeprokurori dhe kryetari i Gjykatës në Mitrovicë, t’i azhurnojnë dhe t ‘i bashkojnë me rastet e fundit dhe t’u jepet dënimi i merituar.”- tha ajo.
Mikullovci përmendi edhe sfidat e Policisë për të ruajtur identitetin e viktimave të dhunës në familje.
Adelina Berisha, menaxhere e programit të dhunës në baza gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, tha se dhuna ndaj grave është shqetësuese.
Ajo ka drejtuar kritika ndaj institucioneve ligjzbatuese duke thënë se kanë ndodhur vrasjet e grave edhe pse Policia ka qenë e njoftuar për dhunën e ushtruar ndaj tyre.
“Secila vrasje e gruas është paraprirë në një formë tjetër të dhunës në familje, dhe në shumë raste vrasësi për vite me radhë e ka dhunuar viktimën dhe fatkeqësia është se të gjitha këto raste kanë qenë raste të njohura për institucionet tona”- tha Berisha.
Sipas saj, mbrojtja viktimave nga organet shtetërore nuk është e duhur dhe e mjaftueshme.
“Mungon një vlerësim i rrezikut për rastet e dhunës, në të gjitha aspektet. Fatkeqësisht në shumë raste nga institucionet ka tendenca ta fajësojnë viktimën dhe jo të fokusohen te dhunuesi, i cili në të shumtën e rasteve ka një të kaluar kriminale”- tha ajo.
Si shqetësuese Berisha i ka parë edhe format e reja online – rrjetet sociale, të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Kërcënimi më bombë ndaj strehimores Zana Hamiti- Asllani, drejtoreshë e Strehimores së Grave – Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, tha se ka pasur raste kur dhunuesi ka kërcënuar se do ta sulmojë me bombë strehimoren ku ishe strehuara gruaja e tij, pasi ishte dhunuar nga ai.
“Kemi pasur rast kur dhunuesi telefononte vazhdimisht dhe kërkonte me u bashku me gruan e tij, dhe na kërcënoi se e di ku është strehimorja dhe do të vijë ta vendos bombën”- tha Hamiti- Asllani.
Nerimane Ferizi, drejtoreshë e “Fourth wave”, tha se ka pasur raste kur nga prokuroria dhunimi është rikualifikuar si lëndim trupor.
“Në një rast, një viktime seksuale i është rikualifikuar lënda në lëndim trupor. Edhe pse mjekësia ligjore e ka konstatuar dhunimin dhe përkundër dëshmive të tjera për rastin, prokuroria e ka rikualifikuar si dhunë fizike”- tha ajo.
Edicioni i 12-të i Festivalit “FemArt” ka nisur më 25 shtator dhe do të zgjasë deri më 30.09.2024.