https://kallxo.com/gjate/shkodra-elektronike-hap-femart-13-zana-hoxha-festivali-strehe-per-ata-qe-kane-mbijetuar-dhe-skene-per-ata-qe-kane-per-te-treguar/
Me moton “Çliroje mendjen” do të nisë më 16.06.2025, edicioni i sivjetëm i Festivalit Ndërkombëtar të Artistëve dhe Aktivistëve “FemArt”, në Prishtinë.
Edicioni i 13-të i festivalit “Femart” do të hapet me koncertin e grupit Shkodra Elektronike, që mbahet në mbrëmjen e 16 qershorit 2025, në “AMC Hall”, në Mazgit të Obiliqit.
Me një qasje shumëdimensionale që bashkon artin dhe aktivizmin edicioni i 13-të i “FemArtit” do të afirmojë rolin e pazëvendësueshëm të artit në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më të vetëdijshme.
Regjisorja Hoxha thotë se “FemArt 13” do të jetë një hapësirë e zhvillimit kreativ, ndërlidhjes ndërkulturore dhe artikulimit të zërave të margjinalizuar.
Risitë e “FemArt 13”
Regjisorja Hoxha ka thënë se edicioni i sivjetëm i këtij Festivali do të hapet me koncertin e grupit Shkodra Elektronike.
Hoxha ka thënë se krahas suksesit të jashtëzakonshëm me këngën “Zjerm” Shkodra Elektronike përfaqëson një ndërthurje të fuqishme mes traditës (të vjetrës) dhe të resë – një qasje që rezonon thellë me frymën e edicionit të 13-të të Festivalit “FemArt”: “Çliroje mendjen”.
Kjo moto, sipas saj, vjen si një thirrje për të mësuar nga e vjetra, të kemi guximin të thellohemi në të vjetrën, të shikojmë thellë te vetja, në mënyrë që të jemi të gatshëm të lëvizim përpara – duke përqafuar veten tonë të re.
Ajo thotë se muzika e këtij grupi, që rikompozon këngë të vjetra qytetare në një formë elektronike bashkëkohore, është një akt vetëshprehjeje artistike që sfidon normat dhe hap hapësira të reja për interpretim kulturor.
E, një gjë e tillë – shton Hoxha – kërkon shumë guxim artistik e njerëzor.
Motoja “Çliroje mendjen”
Regjisorja Hoxha thotë se edicioni i 13-të i festivalit “FemArt”, nën moton “Çliroje mendjen” një ftesë për të hapur dyert e mendjes, për të shembur murin mes nesh dhe asaj që na është thënë të mos e prekim: frikën, turpin, dhimbjen, dëshirën.
“Liria nuk është vetëm një ideal. Është një proces i dhimbshëm, por i bukur. Është ballafaqimi me veten. Është rikthimi tek ajo që jemi para se të na thoshin si duhet të jemi. Është akti i të krijuarit në mes të rrënojave, i të folurit kur të gjithë heshtin.” – thotë ajo.
“Ky Festival është strehë për ata të cilët kanë mbijetuar dhe skenë për ata të cilët kanë për të treguar. Është për ju që keni qarë në heshtje, për ju që keni dashuruar fshehurazi, për ju që jeni lodhur duke luftuar dhe përsëri nuk jeni ndalur.” – ka thënë ajo.
Programi
“FemArt 13” do të jetë një hapësirë e zhvillimit kreativ, ndërlidhjes ndërkulturore dhe artikulimit të zërave të margjinalizuar. Regjisorja Hoxha ka thënë se ajo çka e bën të veçantë këtë Festival është Programi me diversitet të lartë të artivizmit feminist – duke filluar nga shfaqjet, koncertet, performancat, punëtoritë, diskutimet feministe, Konferencat, filmat e prezantimet e tjera të ndryshme.
Të veçantë këtë edicion e bën edhe tema e shëndetit mendor, që është ende tabu, ndaj duam të thyejmë stigmatizimin rreth saj. Secili/a prej nesh meriton të jetojë në përmbushje e realizim të potencialit të saj/tij.” – ka thënë Hoxha.
Gjatë edicionit të 13-të të “FemArt” do të prezantohen shfaqje teatrore nga Kosova e vendet e tjera; punëtori, shfaqje filmash e Konferenca ndërkombëtare, dokumentarë e mbrëmje muzikore.
Festivali “Femart 13” mbyllet më 21.06.2025 me koncertin “Tentative”, me këngëtare Charlie Perillat dhe kitariste Alexia Charoud nga Franca.