Skip to main content

9 QERSHOR, 2019

Për herë të shtatë, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon festivalin FemArt – Festivali Rajonal për Artiste, që do të mbahet në Prishtinë gjatë datave 10-16 Qershor, 2019 (7 ditë). Moto e festivalit këtë vit është ‘Me Liri kundër Marres’ duke i inkurajuar gratë të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendim-marrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime.

“HOTELI “GRAND”, në ora 20:00, është vendtakimi i parë i Festivalit FemArt, ku do të bëhet pritja e mysafirëve për të vazhduar në po të njëjtën lokacion me ekspozitën “Bëhu fytyra ime”, nga artistja Eliza Hoxha, pjesëmarrëse në Bienalja e Venecias 2018, dhe më pastaj me performancën “Pas asaj…” me artistet Agnes Nokshiqi dhe Mjellma Goranci. Pas performancës do të zhvendosemi në Teatrin ODA për një koncert të mrekullueshëm me artisten nga Afrika, më saktësisht, nga Cabo-Verdean-e, të São Nicolau, (një nga ishujt Barlavento), me një performancë të jashtëzakonshme “Në nder të Cesaria Evora”, në ora 21:30 dhe pas koncertit dita e parë e festivalit FemArt do të përfundojë me një koktej rasti, po në teatrin Oda.

Gjatë ditëve në vijim na presin shumë aktivitete interesante me artistë/e e aktivistë/e nga vendi, rajoni e bota.

Festivali do ketë krijime artistike origjinale nga gra dhe vajza të rajonit dhe do paraqesë shfaqje teatrale, koncerte, promovime librash, art performues, instalacione arti, poezi, punëtori, panele diskutimi, art urban dhe forma tjera të artit.

Përveç rreth 200 artisteve dhe aktivisteve nga Kosova, Rajoni, Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika, festivali do t’i angazhojë 30 vullnetarë/e, të rinj/reja nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që ta ngrit pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon dhe ndarjen e përvojave.

FemArt hapet me ekspozitë nga Eliza Hoxha dhe performancë nga Agnes Nokshiqi e Mjellma Goranci