Skip to main content

https://www.koha.net/ 

Edicioni i 12-të i FemArt – Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve do të zë vend në Prishtinë nën moton “MOTËRZIMI: n’Kohë Lufte dhe Paqe” përgjatë gjashtë ditëve, 25-30 Shtator, 2024.

Në kohën kur bota shënon vuajtje të njëpasnjëshme, thirrja MOTËRZIM në kohë lufte është domosdoshmëri për të siguruar PAQE.

Baza e feminizmit është motërzimi. Motërzimi në kohë lufte na bën fitimtarë, kurse në kohë paqe na siguron progres. Ajo i shpërbën kufijtë e racës, kombësisë, fesë dhe ideologjisë. Është një lidhje e krijuar në ndjeshmëri, e ushqyer nga empatia dhe e forcuar përmes veprimit kolektiv. Motërzimi na mundëson ta shohim veten të reflektuar në betejat e të tjerëve, të njohim humanizmin e tyre si tonin dhe të solidarizohemi në kërkim të drejtësisë dhe dinjitetit.

 

Mesazhi i motërzimit rezonon thellë me misionin e Festivalit FemArt, prandaj Artpolis me kënaqësi ju  prezanton edicionin e 12-të të FemArt Festival, që do të sjellë një përzierje të gjallë të artivizmit feminist me mbi 200 pjesëmarrëse nga Kosova, Shqipëria, Spanja, Serbia, Franca, Angola, Luksemburgu, Sllovenia, Meksika, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Bosnja dhe Hercegovina, Greqia dhe Kina. Edicioni i sivjetëm do të sjellë një llojllojshmëri ngjarjesh: balet, teatër, koncerte, shfaqje teatrore, filma dokumentarë dhe të shkurtër, punëtori, ekspozita, panele diskutimi, konferencë dhe ngjarje rrjetëzimi.

Festivali do të hapet me një performancë dinamike të “Carmen” nga Barcelona Flamenco Ballet, që kombinon flamenco dhe baletin klasik për të sjellë një perspektivë të re në operën e Georges Bizet. Kjo performancë pasqyron pasionin dhe guximin e Carmen, një simbol i rezistencës në një botë të dominuar nga meshkujt.

Aktivitetet speciale përfshijnë promovimin e monografisë “10 Vjet FemArt” që thekson dhjetë vjet të angazhimit feminist përmes Femart në Kosovë, si dhe vepra nga artiste feministe si Sylvia Camarda, Nataša Živković, Paula Markovitch, Vjollca Bajraj, Ema Andrea, Xixi Xiao, Olga Dimitrijević dhe Maja Pelević si dhe konferencën për paqe “Motërzimi: N’Kohë Lufte dhe Paqe” me aktiviste nga rajoni.

Magjinë e tyre muzikore në këtë edicion e sjellin me koncertet e tyre Lucia de Carvalho dhe Vjollca Robelli-Mripa (AJO), me këtë të fundit që e mbyll edicionin e 12-të me albumin e saj më të ri, premierë në Kosovë.

Detajet e Programit mund t’i gjeni këtu: https://femart-ks.com/sq/#programi

FemArt ju fton në edicionin e 12-të përmes  motos “MOTËRZIMI: n’Kohë Lufte dhe Paqe” për t’u bashkuar në solidaritet me mendje e zemra të hapura.