Skip to main content

Insajderi

Përmes publikimit të raportit me titull  “Drejt Solidaritetit dhe Bashkëpunimit” dhe konferencës ndërkombëtare, Festivali Femart, i cili ka nisur rrugëtimin e tij të tetë me moton “Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, solli ditën e dytë të tij (16 tetor) me një diskutim të thellë për barazinë gjinore, me theks të veçantë nëpër institucione të kulturës por jo vetëm.

Përveç publikimit të raportit, kjo konferencë ndërkombëtare u përbë nga dy panele të ndryshme të me gra të fuqishme të Kosovës dhe jashtë saj. Ndwrsa e gjithë kjo erdhi nën modelimin e shkëlqyer të Donika Eminit.

Në publikimin e raportit, pjesëmarrëse ishin  ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi, Nasrin Pourghazian – Zëvendëse e Shefit të Misionit, Shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim dhe Gresa Rrahmani – autore e raportit.

Raporti i publikuar nga Femart, sjellë në pah edhe njëherë neglizhencën e institucioneve karshi zbatimit të ligjit për barazi gjinore.

Në lidhje me këtë, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e cila edhe bëri hapjen e këtij publikimi, tregoi se e ka lexuar me vëmendje këtë raport dhe e ka shikuar me kujdes analizën që është dhënë. Ajo tha se ky raport është i mirëseardhur dhe pritet të merret parasysh në aspektin e përmirësimit, teksa tregoi përvojën e saj dhe punën disa vjeçare në shkollimin e grave.

“Nëse e shohim historikisht, roli i gruas në vend, lë për të dëshiruar, por këtë duhet ta qesim në dy rrafshe, rrafshi i parë është sa janë gratë të gatshme të marrin vende udhëheqëse. E pash që në raport ka dalë që në ligjet e institucioneve tona nuk shkruhet që edhe gruaja duhet të marrë pjesë, mendoj që është ligji për barazi gjinore dhe kushtetuta dhe besoj që në ligje të mos ceket as mashkulli as femra, pra të jemi të barabartë”, ka theksuar Dumoshi.

Ajo tutje ka folur për institucionin që e drejton dhe në lidhje me numrin e grave që punojnë aty.

“Në MKRS diku prej 579 punonjësve ne kemi 252 gra, kemi tri drejtoresha dhe kemi udhëheqëse të divizioneve të ndryshme. Në institucione kemi pas dy gra udhëheqëse, tash kemi një pasi që, njërës i ka kaluar mandati”, pohoi ministrja.

Ndërsa si një pjesë të rëndësishme që ajo e ceku, është që problemi përveç të tjerash qëndron edhe te gratë, pasi që, sipas saj, gratë nuk mbështesin gratë.

“Si pjesë e stafit të ish-qeverisë, kam parë që në pjesë të ndryshme të ndërmarrjeve publike ka pas shumë pak gra që kanë konkurruar në pozita të larta, dhe sfida që e shohë është që gratë nuk i mbështesin gratë. Nisim nga votimet e tutje, pra ne duhet ta mbështesim njëra tjetrën. Kudo që menaxhojnë gratë institucioni është më i mirë, pasi që, e marrin punën me seriozitet”, u shpreh ajo.

Duke theksuar kënaqësinë që është pjesë e këtij edicioni të Femart, Nasrin Pourghazian – Zëvendëse e Shefit të Misionit, Shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim, u shpreh e lumtur për këtë raport derisa ajo foli në përgjithësi për energjinë pozitive dhe të rinjtë kreativ që i ka takuar në këtë festival.

“Jam e lumtur që solidariteti dhe bashkëpunimi janë kryefjalët e këtij eventi. Personalisht jam fanse e madhe e artit por mendoj që solidariteti është shumë i rëndësishëm kur dëshiron të ndryshosh qasjen në shoqëri”, theksoi ajo.

Pas kësaj hyrje, i erdhi radha edhe pjesës kryesore të ngjarjes. Publikimi i raportit, erdhi me një prezantim fantastik nga autorja Gresa Rrahmani.

Rrahmani sqaroi në detaje të gjitha pikat e përmbledhura në këtë hulumtim dhe sfidat nëpër të cilat kaloi ajo me bashkëpunëtorët, duke pas parasysh këtu edhe kufizimet që erdhën si pasojë e parandalimit të pandemisë COVID-19.

Autorja fillimisht tha se ky është një produkt i komunitetit e jo vetëm i saj.

“Qëllimi i hulumtimit fillimisht ka qenë kur jam takuar me Zanën kemi dashtë me e pa kur gratë arrijnë në pozita të pushtetit dhe vendimmarrëse, atëherë çfarë ndikimi ka kjo për shoqërinë, a ndikon kjo në përmirësimin e grave tjera, personave me aftësi të kufizuara, komunitetit LGBTI, e kështu me radhë. Rrjedhimisht me këtë jemi nis dhe gjatë hulumtimit e kemi parë që situata nuk është ashtu siç kemi mendu, dhe e kemi parë që gratë janë shumë pak në pozita drejtuese”, theksoi ajo.

Ajo tregoi se për arsye se fusha e kulturës është shumë e gjerë, atëherë janë fokusuar vetëm në institucionet brenda Ministrisë së Kulturës, që janë: Teatri Kombëtar i Kosovës, Galera Kombëtare e Kosovës, Galeria Qafa,  Ansambli Shota, Filarmonia e Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës…

“Kritika feministe ka vënë në pah dy ndarje shumë të rëndësishme të cilat janë përdorur gjatë hulumtimit, ndarja publike dhe private”, pohoi ajo, derisa theks të veçantë i dha edhe ligjit për barazi gjinore.

“Ligji për barazi gjinore paraqet barazinë prej 50% në të gjitha institucionet, do të thotë, coftë në ministri coftë në institucione të kulturës, gratë pritet të jenë 50%, dhe obligohen që të gjitha institucionet të punojnë në këtë drejtim”, u shpreh Rrahmani.

Pas këtij prezantimi, diskutimi u hap edhe për publikun ku aty patën rastin të paraqesin mendimet dhe kritikat e veta të gjithë pjesëmarrësit.

Me shumë pak minuta pauze, Në Teatrin Oda, ku u mbajt krejt kjo ngjarje, filloi edhe konferenca ndërkombëtare me dy panele.

“Përfaqësimi i grave në shoqëri civile, media dhe institucione të kulturës” – Perspektiva ndërkombëtare dhe vendore

Paneli i parë u përbë nga Tenzin Dolke – Aktiviste dhe Feministe, Blerta Basholli – Drejtoreshë e drejtorisë së kulturës në komunën e Prishtinës, Nermina Mahmuti- Drejtoreshë Ekzekutive, Fondi për zhvillim komunitar dhe Lian Bell – Artiste.

Fillimisht përmes Zoom, u lidhen Tenzin Dolke – Aktiviste dhe Feministe dhe Tijana Simić LaValley – Drejtore e programit në OJQ “Të drejtat e grave” dhe aktiviste për të drejtat e grave, të cilat paraqitën perspektivat e tyre në aspekt me temën në fjalë.

Teksa Nermina Mahmuti dhe Blerta Basholli, derisa komentuan raportin e publikuar, ato treguan edhe përvojat e tyre, dhe projektet të cilat janë në ndihmë të grave.

“Përfaqësimi i grave në shoqëri civile, media dhe institucione të kulturës në Kosovë”

Ishte paneli i dytë i cili përbëhej nga: Saranda Bogujevci – Anëtare e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Valdete Idrizi – Anëtare e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Ivane Petronic Vanovac – Radio KM, Luljeta Demolli – Drejtoreshë Ekzekutive – Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Tijana Simić LaValley – Drejtore e programit në OJQ “Të drejtat e grave” dhe aktiviste për të drejtat e grave.

Ky diskutim nisi me dy deputetet në Kuvendin e Kosovë, Valdete Idrizin dhe Saranda Bogujevci, të cilat përmes zbërthimit të raportit, edhe njëherë dhanë gjithë energjinë e tyre në ndihmë ndaj grave dhe në promovimin e tyre.

“Unë personalisht gjithmonë do të jem dhe jam në përkrahjen e grave, atë minutë që nuk do të jem, nuk do ta bëjë asnjë punë të mirë në këtë shoqërinë tonë”, tha Idrizi.

Ndërsa deputetja Bogujevci, pati një kërkesë sa i përket shpërndarjes së raportit.

“Ky raport duhet të dërgohet edhe në komisionin për barazi gjinore që kemi në parlament, por njëjtë edhe në grupin e grave dhe të shpërndahet të te gjithë deputetët. Mendoj që ka elemente të rëndësishme brenda raportit që duhet me i pa edhe në nivel parlamentar”, tha ajo, duke aluduar se kjo hap rrugë edhe për diskutim përbrenda parlamentit.

Ky raport, ishte prurje e re në vend, teksa Femart, vazhdon të sjellë edhe ditët në vijim gjëra interesante e të reja, gjithmonë në të mirën e komunitetit këtë edicion të tetë, ashtu sic ka bërë edhe edicionet e kaluara.

Kujtojmë se edicioni i tetë i FemArt përkrahet nga:

Donatorët: Bashkimi Europian, Koalicioni i Kosovës për Pajtim, Ambasada e Suedisë në Kosovë/Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar – Sida, Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, Kvinna till Kvinna, UNFPA, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, Cfd, Ambasada Amerikane në Kosovë, Koalicioni K10.

Përkrahësit Institucional dhe medial: Teatri Oda, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Fakulteti i Arteve – Universiteti i Prishtinës, Etno Fest, Hapu – Festivali i Artit në Hapësirë Publike, KultPlus, Selman Netëorks, Rikon, Frutomania, Dukagjini, mik-mik, T-shirt collective, Blue Taxi, Ymalko.