In Insjaderi 02 Nëntor 2020
Pas një mbyllje të totale si masë për tu mbrojtur nga pandemia COVID-19, të gjitha festivalet artistike u shndërruan në festival online.
Por festivali FemArt, pas masave që Qeveria e Kosovës mori për një hapje duke respektuar masat anti-Covid, vendosi që të vazhdojë edhe edicionin e 8-të, ashtu si edicionet e tjera, veçse kësaj radhe me program të reduktuar, por asnjëherë duke mos lënë anash prurjet e reja.
Gjithmonë duke ruajtur frymën e këtij festivali, Femart, në edicionin e 8-të, përveç diskutimeve me panele të ndryshme, ekspozitave, koncerteve e performancave, sivjet FemArt prodhoi gjithsej gjashtë produksione.
“Ti, jam unë” nga Natyrë Kallaba, “Çfarë duan burrat” nga Robert Nuha, “A je çikë a djalë!?…”, nga Arlinda Morina, “Gjuetarët e Artemidës” nën regji të Zana Hoxhës dhe “T’u e marrë ‘fuqinë’ n’pyetje” nga Uresa Ahmeti, përbëjnë listën e shfaqjeve që sollën një frymë të re në këtë festival.
Ndonëse për këtë edicion ishte paralajmëruar tema “Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!” për shkak të pandemisë ajo ndryshoi në “Solidaritet dhe qëndrueshmëri”.
Njësoj sikurse që ishte tema ashtu edhe ndodhi. FemArt, solli për gjashtë ditë me radhë, “Solidaritet dhe qëndrueshmëri”, si mbështetje të ndërsjellë në mes grave dhe vajzave, artisteve dhe aktivisteve që punojnë për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave dhe të drejtat njerëzore në përgjithësi.
Gjithçka nisi me ekspozitën “Akti i mbrëmjes”, në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Kuratore e kësaj ekspozite ishte Arta Agani ish-drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Aty janë prezantuar veprat e artistëve të njohur si: Zake Prelvukaj, Jakup Ferri, Artan Hajrullahu, Adea Pula, Adriana Sedaj, Ardita Rafuna, Fjolla Ferati, Besfort Syla, Vlora Hajrullahu, Lumjeta Havolli.
Pas kësaj, vend zuri koncerti i ansamblit “Zana”, që u mbajt në Teatrin Oda.
Një ditë pas hapjes, FemArt, publikoi raportin “Drejt Solidaritetit dhe Bashkëpunimit”, derisa me një konferencë ndërkombëtare shpalosi të arriturat e grave dhe atë se çka duhet bërë tutje që zëri i tyre të jetë edhe më i fuqishëm në vendimmarrje dhe jo vetëm.
Në publikimin e raportit, pjesëmarrëse ishin ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi, Nasrin Pourghazian – Zëvendëse e Shefit të Misionit, Shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim dhe Gresa Rrahmani – autore e raportit.
Raporti i publikuar nga Femart, solli në pah edhe njëherë neglizhencën e institucioneve karshi zbatimit të ligjit për barazi gjinore.
Në lidhje me këtë, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e cila edhe bëri hapjen e këtij publikimi, tregoi se e ka lexuar me vëmendje këtë raport dhe e ka shikuar me kujdes analizën që është dhënë. Ajo tha se ky raport është i mirëseardhur dhe pritet të merret parasysh në aspektin e përmirësimit, teksa tregoi përvojën e saj dhe punën disa vjeçare në shkollimin e grave.
“Nëse e shohim historikisht, roli i gruas në vend, lë për të dëshiruar, por këtë duhet ta qesim në dy rrafshe, rrafshi i parë është sa janë gratë të gatshme të marrin vende udhëheqëse. E pash që në raport ka dalë që në ligjet e institucioneve tona nuk shkruhet që edhe gruaja duhet të marrë pjesë, mendoj që është ligji për barazi gjinore dhe kushtetuta dhe besoj që në ligje të mos ceket as mashkulli as femra, pra të jemi të barabartë”, ka theksuar Dumoshi.
Ani pse, këtë vit ishin më pak aktivitete se viteve të kaluara, ku nga 40 aktivitete sivjet u detyruan ta zbritnin këtë numër në 24, ky festival arriti që çdo ditë të sjellë diçka të re në publik. Temat nga më të ndryshmet u diskutuan në gjashtë Podcast.
Festivali kësaj radhë shfaqe edhe filmat e regjisoreve kosovare si: More Raça; Blerta Zeqiri; Dea Gjinovci; Zana Hoxha; Rita Krasniqi; Hana Bucalija; Albana Nila; Vesa Potera; Lorena Sopi; Dita Shaqiri. Pas shfaqjes së filmave u mbajt një diskutimi nën moderimin e gazetarit Arbër Selmanit.
E si të mbyllej më mirë FemArt 8-të, se me shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës, fituese në festivalin ndërkombëtare “SkupiFest”, “Zgjimi i pranverës”, nën regjinë e Zana Hoxhës.
Pas përfundimit të festivalit, drejtoresha e tij, Zana Hoxha, shpalosi sfidat nëpër të cilat është realizuar ky edicion.
“Ndryshimi ishte se këtë vit kishim më pak aktivitete në krahasim me vitet e kaluara, 24 nga 40. Me një pjesëmarrje më të madhe të artisteve/ëve dhe aktivisteve/ëve kosovarë e shumë pak nga rajoni. Gjithashtu, duke qenë se audienca ka qenë vetëm 40% e kapacitetit të lokacionit ku janë mbajte aktivitetet, ne i kemi transmetuar performancat në Facebook në kohën e ngjarjes, që t’i japim mundësi publikut ta shijojë ngjarjen, për ata që nuk kanë mund të jenë pjesë e publikut live”, ka thënë Hoxha.
Po ashtu, Hoxha, ka treguar se sivjet FemArt, ishte nikoqir i katër premierave shfaqje dhe performanca me produksion të Artpolis, ku janë prezantuar krijimet origjinale të artisteve/ëve kosovarë.
Krejt në fund, qershia mbi tortë ishte afterparty me zërin e mrekullueshëm të Semira Latifi, në kitarë ishte Arbër Salihu, bateri Drin Tashi dhe piano Alzan Gashi.
Kujtojmë se edicioni i tetë i FemArt u përkrah nga:
Donatorët: Bashkimi Europian, Koalicioni i Kosovës për Pajtim, Ambasada e Suedisë në Kosovë/Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar – Sida, Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, Kvinna till Kvinna, UNFPA, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, Cfd, Ambasada Amerikane në Kosovë, Koalicioni K10.