Nga Gili Hoxhaj
“Jam prekur shumë kur hyra sot këtu. M’u desh të dal jashtë dhe të hyj përsëri për të përballuar emocionet”, kështu e përshkruan aktivistja Igballe Rugova sot ndjesinë në ekspozitën që u hap në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, ku edhe u promovua monografia “10 vjet FemArt” me redaktoren Ivina Bilic dhe asistent redaktor Berat Bajramin. Ekspozita ishte vizuelizim i gjithë rrugëtimit që kaloi festivali për një dekadë me atë që e nisi, ata që e vazhduan dhe ata që vazhdojnë të bashkohen rrugës. Ekspozita e realizuar nga Berat Bajrami e vë theksin të thëniet e rëndësishme të shkëputura nga aktivistet që janë pjesë e monografisë. FemArt me monografi e ekspozitë nderon dhe shpreh mirënjohje duke dokumentar gjithë ata që e bën FemArtin që është sot. Lart tavolinës ku janë vendosur monografitë shprehet mirënjohje për të gjithë fotografët që i kanë bërë aktivitetet e FemArtit skena që mund të kujtohen kurdo. Në ballë të ekspozitës është fotografia e atij që nxori një dimension tjetër të FemArtit nëpërmjet fotografisë – ai që pa shkuar i dhuroi gjithkujt një fotografi të tij/ saj në FemArt. Mbrëmja ishte dhe homazh për fotografin e ndjerë Meddy Huduti që ishte pjesë e rëndësishme e FemArtit dhe la trashëgimi që e identifikon atë dhe vetë festivalin. Mes të tjerash u lëshua edhe një këngë premierë për të nderuar shpirtin e tij krijues.
Monografia në gati 200 faqe lidh histori, intervista, artikuj e rrëfime të veçanta të përcjellura me imazhe që e bëjnë lidhjen kronologjike të thjeshtë dhe të mban të mbërthyer nga njëra faqe në tjetrën. Ivina Bilic ka tre vjet që i është dedikuar monografisë dhe kjo padyshim kishte sfidat e veta.
“Monografia e FemArt nuk filloi me mua. Ky projekt i veçantë ka rrënjë të thella dhe ka nisur shumë më herët, falë përkushtimit të një grupi grave që filluan mbledhjen dhe përpilimin e të dhënave për këtë udhëtim 10-vjeçar. E gjithë puna zgjati rreth tre vjet dhe për këtë dua t’i falënderoj nga zemra Shqipe Malushin dhe Venera Ismailin, si dhe të gjithë stafin që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për përgatitjen e informatave. Unë nuk kam qenë pjesë e FemArt për plot dhjetë vjet, ndaj puna e tyre ishte kyçe për përmbylljen e këtij kapitulli”, u shpreh ajo para të pranishmëve në panelin e diskutimit të udhëhequr nga drejtoresha dhe udhëheqësja e ArtPolis, Zana Hoxha.
Bilic tutje shtoi se ky ka qenë një udhëtim i gjatë dhe sfidues, sidomos për shkak të largësisë pasi që ajo nuk jeton në Kosovë. Por, theksoi se gjatë procesit nga çdo bisedë ka dalur edhe më e frymëzuar
“Mbështetja e Beratit ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi ai ka ndihmuar që gjithçka të ecë përpara, pavarësisht se unë isha larg. Shumë njerëz, aktivistë dhe gra të forta kanë qenë pjesë e këtij procesi. Kam pasur fatin t’i intervistoj dhe të mësoj nga përvoja e tyre. Këto intervista kanë zgjatur me orë të tëra, dhe megjithëse nuk munda t’i përfshij të gjitha, çdo bisedë më pasuroi dhe më frymëzoi”, u shpreh tutje ajo.
E ka përshkruar si proces emocional dhe ka ndarë disa nga mësimet dhe bisedën me Igballe Rugovën që edhe e frymëzoi moton e sivjetme të FemArt.
“Procesi i krijimit të kësaj monografie ka qenë emocional për mua. E kam futur një pjesë të shpirtit tim në këtë libër. Ndonjëherë ka qenë frustrues, veçanërisht kur duhej të përmbushja afatet, ndërsa në të njëjtën kohë ndodhnin edhe ngjarje të papritura në jetën time personale. Por një nga mësimet më të mëdha që kam marrë nga ky projekt është se gjërat e mëdha kërkojnë kohë. Në fakt, çdo gjë merr kohën e vet. Kemi kaluar nëpër disa versione të librit deri te ky përfundim, pasi qasjet dhe njerëzit që kanë kontribuar në këtë projekt ishin të shumtë dhe të ndryshëm. Dua të ndaj diçka nga biseda ime me Igo Rugovën. Jashtë kontekstit të intervistës sonë, ajo përmendi se feminizmi është motërzim, dhe pikërisht kjo thënie u bë tema qendrore e këtij edicioni të FemArt. U desh kohë që kjo ide të përfshihej në monografinë e festivalit, duke u bërë një pjesë e rëndësishme e saj”, theksoi tutje ajo.
Gjatë përurimit të monografisë, Igo u kthye në disa nga kujtimet e aktivizmit përgjatë një periudhe të vështirë në vitet e ’90-a. Dhe këtu ajo na lidh më së miri me moton “Motërëzim: Në kohë Lufte dhe Paqeje”. Igo kujtoi kohën kur me organizatën “Motrat Qiriazi” shkonin nëpër fshatra. Ajo tregon se mënyra më e mirë për të ndryshuar mendësinë dhe për të përcjell mesazhe ishte nëpërmjet artit.
“Në vitet ’90, kur punonim nuk shkonim vetë të flisnim me gratë në fshatra. Ishte motra ime, Safetja, së bashku me aktorët përçonin mesazhet. Atëherë, nuk kishte shumë lëvizje për feminizmin, por arti dhe performancat ishin një mënyrë e fuqishme për të arritur te njerëzit. Kur takova Zanen, ajo më tha: “Dua të krijoj ArtPolisin. Çfarë mendon?” Unë thash “POO”, pasi që unë dhe motra ime besojmë se mund të ndryshojmë shoqërinë përmes artit. E kemi parë që ndryshimet më të mëdha ndodhin përmes performancave dhe monologjeve që ngacmojnë mendjen dhe shpirtin”, ka treguar ajo përgjatë diskutimit
“FemArt të shtyn të mendosh ndryshe, të jesh më guximtare dhe të kapërcesh kufijtë që shoqëria vendos”, kështu u shpreh Anisa Ismaili pasi që pa disa nga fotografitë e saj dhe përkrahjen e bashkëpunimin që ka pasur me Artpolis ndër vite. Panelisteve iu bashkëngjit edhe Berat Bajrami, i cili tha se kontribute si ky e bëjnë të ndihet krenar që të ndikojë në lëvizjen feministë dhe të punoj me gra që vërtetë inspirojnë. “FemArt” është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shoqërinë tonë për shkak se barrierat nuk thyhen për një vit apo dy vjet, por duhet të jetë punë e gjatë për të sjell ndryshim në shoqërinë tonë”, u shpreh ai para të pranishmëve.
FemArt u përshkrua si festë, pasi që përveç revoltës ndaj stagnimit, feston edhe sukseset. Suksese si ky me monografi. Por, gjithçka që nisi me nostalgji përfundoi në mallëngjim në nderim të fotografit Meddy Huduti. Ai u kujtua nëpërmjet fjalëve, kujtimeve, fotografive të shkrepura e këngës që erdhi premierë e krijuar nga Ceylan Taci me titull “Z. Fotograf z. Prizren”. FemArti festoi për të gjithë ata që janë dhe nuk janë më por që kanë vulosur këtë histori të aktivizmit me art.