Skip to main content

FemArt – Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve

FemArt – Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve

FemArt organizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet që nga viti 2013. I themeluar nga artistja dhe aktivistja Zana Hoxha, FemArt është një nga festivalet më të mëdha feministe në Ballkan, me synim promovimin e artit, aktivizmit, feminizmit, paqes, lirisë, diversitetit, solidaritetit, empatisë dhe fuqizimit.

Duke marrë parasysh vështirësitë me të cilat përballen gratë dhe grupet e margjinalizuara në Kosovë dhe rajon në përditshmërinë e tyre, festivali synon të ngrihet mbi këto sfida përmes përballjes dhe sfidimit të normave shoqërore që janë përcjellë ndër breza.

Programi i larmishëm i Festivalit FemArt nuk është vetëm edukues, por edhe argëtues, duke arritur të tërheqë një audiencë të shumëllojshme dhe duke ofruar një përvojë të plotë.

Motot e festivalit ndër vite, si: “Ne nuk jemi ishull”, “Pa Frikë”, “Ti Udhëheq”, “Me Liri Kundër Turpit”, “Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, “F… Seksizmit”, “Nga Revolucioni në Evolucion”, “Kalle Tutën”, “Motërzimi: Në Kohë Lufte dhe Paqe”, “Çliroje Mendjen”, etj., kanë shërbyer si frymëzim dhe orientim për artistët dhe aktivistët për të prezantuar krijimet e tyre dhe për të ngritur ose luftuar çështje aktuale shoqërore.

Çdo vit, festivali mbledh mbi 200 artistë dhe aktivistë nga mbarë bota, të cilët prezantojnë krijimet e tyre origjinale. Përveç artisteve dhe aktivisteve, festivali angazhon edhe vullnetarë dhe të rinj nga të gjitha komunitetet në Kosovë, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në fuqizimin e rolit të grave në Kosovë dhe rajon, si dhe ndarjen e përvojave.

Ndër vite, FemArt ka bashkëpunuar me festivale të tjera si Etno Fest, Hapudemia, Dam Festival, Mural Fest, DokuFest dhe PrizrenFest, si dhe ka qenë i pranishëm edhe në qytete të tjera si Ferizaj, Mitrovicë, dhe Graçanicë.

Në nivel ndërkombëtar, bashkëpunimet janë zhvilluar me WeeToo Festival, Tempora/Contempora dhe WOW Foundation. Festivali ka ndërtuar gjithashtu partneritete të rëndësishme me institucione kulturore, donatorë, media dhe biznese lokale, duke zgjeruar rrjetëzimin dhe ndikimin në komunitet.

Deri më tani, Artpolis ka organizuar me sukses 13 edicione të Festivalit FemArt, duke mbledhur 2,844 artiste dhe aktiviste nga mbi 45 vende të botës. Mbi 36,000 pjesëmarrës kanë ndjekur 429 ngjarje të ndryshme të organizuara në kuadër të Festivalit FemArt.

Rrjetet sociale:

Instagram: https://www.instagram.com/femartkosovo/

Youtube channel: https://www.youtube.com/channel/UC697mF5tzivxëJzYJQnE_Gg

Twiiter: https://x.com/FemArtKosovo

Tiktok: https://www.tiktok.com/@femartkosovo