Nga Mimozë Musliu
Diskutimi feminist, në kuadër të edicionit të 12-të të Festivalit FemArt, “Përtej barrierave – Gjithëpërfshirja në Kulturë dhe Art” i frymëzuar nga hartimi i “Manualit për qasjen e personave të verbër dhe me shikim të dobësuar në ngjarje kulturore” çon drejt një vizioni të kulturës gjithëpërfshirëse.
Nisur nga përvoja ime personale, e përvoja e shumë personave të tjerë nga komuniteti i personave me aftësi të kufizuar, të cilit i takoj, jeta na përballë përditshëm me barriera të konsiderueshme që shpeshherë janë edhe të pakapërcyeshme, por ajo çka u diskutua nga folësit e panelit: Jehona Shyti, Kushtrim Sheremeti, Elvana Shala dhe unë, për një qast ishte kapërcim barrierash, qe premtuese e shpresëdhënëse dhe ndalues kohe, si thirrje e ndërgjegjjes që botën ta shohë edhe me prespektivën e tjetrit. Kapërcim barrierash ishte edhe zotimi “kam me marr si angazhim personal përtej atij zyrtar që nga sot me u marr iniciativa për vendosjen e hartave prekëse për repertorin në të gjitha institucionet kulturore dhe që nga viti i ardhëm, viti 2025 me u startu zbatimi i manualit, fillimisht me vendosjen e hartave prekëse”, dhënë nga drejtorja e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Jehona Syti.
Ky panel diskutimi u organizua në një moment të përshtatshëm, në një festival që iu jep zë personave të margjinalizuar të shoqërisë sonë, duke sjellë një perspektivë të re dhe të thelluar mbi çështjen e qasjes për komunitetin e personave me aftësi të kufizuara në kulturë. Deri tani, shpesh jemi mësuar ta shohim këtë çështje vetëm në prizmin e barrierave fizike, duke lënë mënjanë, ndonjëherë me vetëdije e herë pa të, rëndësinë e qasjes në art – një fushë thelbësore për shpirtin dhe mirëqenien emocionale. Ndonëse dikush mund të mendojë se nëse mungon qasja bazike fizike, atëherë qasja e avancuar në art nuk është e nevojshme, realiteti është krejt ndryshe. Synimi drejt qasjes së plotë për komunitetin e personave të verbër dhe me shikim të dobësuar në institucione dhe ngjarje artistike e kulturore na shpie natyrshëm drejt përmirësimit të qasjes fizike bazike. Kjo përpjekje, më shumë se një synim, është një udhëtim që do të sjellë përfitime gjithëpërfshirëse për komunitetin dhe shoqërinë në tërësi.
Publikimin e këtij manuali e bën edhe më të rëndësishëm fakti se shumë institucione kulturore në Kosovë janë fazë të renovimit. Kjo përbën një mundësi të rëndësishme për të bërë ndërhyrjet e nevojshme në drejtim të përmirësimit të qasjes për komunitetin e personave me aftësi të kufizuara. Duke qenë në këtë periudhë të ripërtëritjes, këto institucione mund të integrojnë masat e përshkruara në Manual që nga fillimi, duke krijuar hapësira që janë fizikisht dhe emocionalisht të qasshme për të gjithë.
Madje, ajo që theksoi në fillim të fjalimit të tij, drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, vlerësoi thellësisht rëndësinë e manualit, duke u zotuar se në institucionin që ai drejton do të merren parasysh rekomandimet e këtij publikimi. “Së pari, përgëzime për manualin; besoj se do të jetë me shumë vlerë për të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet kulturore në Kosovë, në planifikimin e projekteve tona, qofshin ato aktivitete të mëdha apo të vogla. Faleminderit shumë për punën e mirë që keni bërë dhe shumë urime FemArtit,”, u shpreh Sheremeti, i cili theksoi rëndësinë e përpjekjeve për gjithëpërfshirje në kulturë dhe art. Këto fjalë jo vetëm që nxorën në pah përkushtimin për të sjellë ndryshime konkrete, por edhe i hapën rrugën shpërndarjes së manualit në shtatë komuna të Kosovës, duke mbërritur në 40 institucione që mbulojnë sferën kulturore, drejtori komunale të kulturës, festivale të ndryshme, si dhe organizata që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe jo vetëm.
Me shpresën se manuali do ta bëjë ndryshim e domosdoshëm në shoqërinë tonë, atë e kemi promovuar edhe tek institucioni që nxjerrë arkitektët e së sotmës dhe të së nesërmes, Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Edhe pse e kemi filluar inciativën e ndryshimit vetëm, ajo do vazhdojë bashkërisht me të tjerët derisa të arrijmë ta kemi një kulturë gjithëpërfshirëse.