Nga: Gili Hoxhaj
Një kolltuk i kuq, disa lule pranë tij në tavolinë dhe disa qirinj. Kaq mjafton për t’i hapur dyert një terapie në formë performance. Në anën tjetër, i përshtatet edhe një skene për poezi. “Ku në trup po e ndjeni marrën?” është pyetja që shtron regjisorja, që e bën vetë performancën veç me komunikim dhe në vetën e parë. Kjo pyetje pason pasi që i ka kërkuar publikut t’i mbyllë sytë dhe të marrë frymë thellë. Tutje e shpjegon marrën si një nga emocionet më të forta dhe më të keqkuptuara. Duket sikur të gjithë pajtohemi. Marrja ka qenë një normë, a një regjim për të qenë më të sjellshëm. Dhe e di si. Aso norma që i përcakton shoqëria lidhur me veprimet që prodhojnë më shumë thashetheme. Marrë konsideroheshin veprimet që përgojoheshin më shumë.
Performanca “Marrja Zezë – Varrim i Trupit” e ditës së tretë të FemArt më shtyn drejt këtyre mendimeve dhe pyetjes se ‘kush e përcakton marrën për të na e përcaktuar lirinë?’. Ajo mund të jetë një udhërrëfyes, shprehet regjisorja. Ka të bëjë me mënyrën se si mësojmë nga ajo si një pasqyrë, jo si armë dhe armik ndaj nesh. Dhe shton se sonte e kemi këtë kurajo. “Pesë vite më parë e shkrova tekstin me fjalën me të cilën jemi rritur ‘marre kjo, marre ajo’ dhe e pashë se sa e nervozuar isha dhe fillova të shkruaj”, shpjegon ajo para të pranishmëve, teksa zbërthen impaktin e thellë të saj edhe në aspektin krijues. Pohon se marrja ka qenë e ushqyer nga të gjithë, e kemi thithur si ajrin dhe ka qenë këtu, shumë para se ne të ishim. Sidomos te vajzat.
Regjisorja e ftoi publikun në mohim të marrës. Si një hakmarrje që i ka lënë nënat dhe motrat pa e jetuar jetën. “E thefsh qafën, mos u takofshin rrugët tona më kurrë që të jetojmë në paqe”, thekson ajo. Më pas, nga aktorja Aurita Agushi u lexua poezia “Still I Rise” nga Maya Angelou, që është një manifest i krenarisë, rezistencës dhe forcës së brendshme përballë padrejtësisë.
Dhe skena i mbetet muzikës. Ajo gjen udhën e saj nëpërmjet një zëri të kristaltë. Të thellë, që të bën t’i përtypësh ngadalë fjalët që këndohen. Si dhe t’i ndjesh ato. Artistja, me një dukje të veçantë, mban balancin mes ritmit dhe këndimit. Ishte kjo artistja A R B Ë R E S H Ë – e rritur në diasporë, ajo e gjeti në muzikë një vend që ndjehej vërtet si i saj. Autodidakte dhe multi-instrumentaliste, ajo lëviz lirshëm mes zhanreve, e udhëhequr nga instinkti dhe ndjenja, me një lidhje të thellë e intuitive me këngët popullore shqiptare – melodi që flejnë në nënvetëdije, në pritje për t’u rizgjuar. Përmes interpretimeve të saj, A R B Ë R E S H Ë i rikthen ato në të tashmen – duke frymuar jehonat e së kaluarës dhe vetes.
Më pas u kthye përsëri regjisorja Jehonë Jahaj. Mblodhi lulet ngjyrë kuqe nga tavolina dhe kërkoi nga pjesëmarrësit t’i bëjnë varrim gjërave që u pengojnë të ëndërrojnë më larg. Që të jenë më të mirë për veten e tyre. Aty u varros faji, heshtja kur duhet të flasësh, marrja me thënë ‘jo’, pendimi, frika për të provuar gjëra të reja, dyshimet, marrja për t’i kërkuar të drejtat bazike, modestia, “çka nëse”, tendenca për të hezituar, marrja për t’u ndjerë si shumë e tepërt, raportet e rreme e lakmia e pafund. Të gjitha morën një lule në shkëmbim për të nderuar veten e çliruar. Të çliruar nga frikërat tona të brendshme. Të dalë si nga një funeral për atë që s’na shërben më – dhe një rilindje për atë që kemi të drejtë të jemi.