Nga: Gili Hoxhaj
Muzikantët dalin me maska e veshje që i mbulon. Krijohet një situatë gati se sureale. S’mund të lexosh asnjë mimikë. “Liburn Jupolli Ensemble” kanë vendosur një formë unike për ta bërë koncertin “Tales of Scapes” në natën e dytë të “FemArt”-it. Krejt i pazakontë dhe çka mund të presësh. Shumë instrumente do t’iu hynë në punë. Vetë koncerti vjen si një teatër më vete. Dhe kjo erdhi pikërisht në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Duket sikur krejt kujtimet e rrëfimet pështjellohen në tinguj me ulje e ngritje. Vjen si një përshkim i jetës pa pushim. Në një pjesë të madhe të koncertit, muzikantët nuk kanë pauzë. Janë tërësisht të involvuar në lojë. Vetë themeluesi i ansamblit, Liburn Jupolli, nuk ka një ndalesë as në një instrument. Nga piano në theremin, në lahutë, çifteli dhe sintezator, ai lidh stilet e ndryshme muzikore dhe i bën të tingëllojnë si një stil autentik.
Ky ishte si një shpërthim muzikor dhe atë me daljen e parë të albumit debutues të këtij formacioni muzikor, pak kohë para promovimit. Kjo performancë edhe të bind që ky formacion po del në skenë për të sjellë diçka jo të zakonshme. Një mozaik muzikor në një udhëtim të papriturash muzikore. Kjo është rruga që ky ansambël hapi me daljen e tyre në skenë, veç pak muaj para se tw nxjerrin albumin.
Ansambli luan në jazz (xhaz), elektronikë eksperimentale dhe algoritmike, folk shqiptar e ballkanik, përmes mikrotonalitetit dhe përpunimit të tingullit, pastaj tinguj metal dhe industrial, klasike bashkëkohore dhe noise e pop, jo si zhanër, por si strukturë e njohur.
“Liburn Jupolli Ensemble” është një formacion muzikor që sfidon kufijtë e zakonshëm të tingullit dhe shndërrohet në një laborator artistik ku muzika bashkëkohore, eksperimentale dhe avangarde bashkëjetojnë në harmoni që të duket e çuditshme, por tek në fund të koncertit e kupton që kjo është një harmoni magjepsëse. Vetë Jupolli nuk njeh kufij mes instrumenteve, stileve apo ideve dhe kjo e bën këtë një grup muzikor që është një univers në lëvizje, ku çdo interpretim është një udhëtim i ri, një përjetim i papërsëritshëm. Si një eksplorim i metaenergjisë së folklorit teksa përdor mjete të avancuara të teknologjisë.
“Qëllimi ynë është të ofrojmë diçka shumë të sinqertë prej punës dhe shpirtit tonë, prej bashkësisë sonë si muzicientë. Këtu ka muzicientë të skenave të ndryshme dhe të afiniteteve të ndryshme muzikore; ka edhe njerëz që janë në jazz, ka që janë në metal, në klasikë dhe që s’janë bërë kurrë bashkë, kështu që po mundohemi ta bëjmë atë muzikë të përbashkët”, ka thënë Jupolli pas koncertit.
Yllka Simnica sjell një frymë etno dhe delikatesë përmes flautit, kavallit dhe okarinës, duke ndërthurur traditën me tingullin bashkëkohor. Philip Konrad Labhart nga Zvicra pasuron ansamblin me trumbetë dhe fyell shokë, me nuanca të thella eksperimentale. Fisnik Behluli, me trumbetën e tij, shton energji dhe dramë në kompozime. Granit Havolli mban ritmin me bateri e perkusione, ndërsa Galdon Reçica përdor octo-n dhe sharkinë për të krijuar tekstura unike që ndërthurin rrënjët me inovacionin.
Përveç për tinguj, kishte vend dhe për fjalë që godasin
Dalja e Shpëtim Selmanit ishte një ndalesë e fuqishme, kur sy e vesh bëhen katër, vëmendja ngurtësohet. I vetmi me kostum, do t’i bënte jehonë vdekjes së artit aty ku njerëzorja ka humbur arsyen dhe shpirtin e saj – në zona lufte dhe si kjo ka prekur çdo gjë. S’ i ka mbetur vend artit të jetojë, as në shtëpitë e tij. Me një ton artistik dhe të fuqishëm poetik ai e ka mbajtur publikun të mbërthyer pas vargjeve. Pasataj, pastaj, pastaj… – kjo shprehje përsëritet për të kaluar në vetën e parë njëjës, ku preken shumë prej ndjenjave në të cilat kalon një njeri.
Në skenë, në piano, është ngjitur edhe Kolë Laca i “Shkodrës elektronike”. Artistja Arbëreshë ka përmbyllur koncertin si një klithmë vajtimi. Në të zeza, ajo sikur ka vajtuar atë që Selmani e shprehu në vargje – vdekjen e ngadaltë të njerëzores.
Përmes tingujve që shpesh janë të pazakontë, të guximshëm dhe të thellë, “Liburn Jupolli Ensemble” krijoi një përvojë që të bën ta rimendosh se çfarë muzika mund të krijojë. Ansambli mishëroi shpirtin e bashkëpunimit artistik, duke ndërlidhur muzikën me teknologjinë dhe performancën, dhe duke sjellë në skenë një botë që flet për të ardhmen, ndërkohë që qëndron thellësisht e rrënjosur në kërkimin e së vërtetës përmes artit. Për një art që kërkon më shumë të vërteta të tilla, skaje e përtej botës.