Skip to main content

Gjashtë ditë. Nëntë hapësira. Mbi 180 artiste/ë dhe aktiviste/ë nga 19 vende të botës. 29 aktivitete. Mbi 3 mijë persona në audiencë. FemArt 13 nuk ishte vetëm festival – ishte frymëmarrje kolektive, një thirrje për çlirim të brendshëm, për shndërrimin e dhimbjes në forcë dhe të trupit në rrëfimtar të së vërtetës.

Çliroje Mendjen – nuk ishte vetëm moto, por një udhëtim i thellë drejt shërimit. FEMART 13 Ishte një rrugëtim i ndërtuar mbi guximin artistik feminist, i zërave që nuk heshtin ndaj stigmave shoqërore mbi shëndetin mendor, margjinalizimit e shtypjes së shumëfishtë nga patriarkati.

Në mbrëmjen e parë, tingujt nga Shkodra Elektronike i dhanë jetë çlirimit të Prishtinës, të shpirtit e mendjes. Ky koncert ishte një shpërthim kolektiv i dashnisë, një ritual i ndriçimit të mendjes.

“Njerëz’t e mirë e njerëz’t pa emër, kërcejnë valle n’shpirt” – ishte kjo fjalia që po e merrte kuptimin e vetë teksa festa u hap, për ta reflektuar këtë në gjashtë ditët në vijim të FemArt-it. Beatriçja falendëroi organizatorët në mënyrë unike: që vazhdojnë më besu në andrra dhe dashni. Kjo formë e besimit duket sikur të mbush me jetë dhe sikur i bashkonte organizatorët, këngëtarët e publikun. Kur del nga salla e AMC krejt djers pas vallëzimit ke përshtypjen se “Çliroje mendjen” sikur se ndodhi”, shkruan Gili Hoxhaj në bllogun e saj “Shkodra Elektronike – si festë e përbashkët e çlirimit”.

Çliruese dhe thirrje për reflektim ishin edhe performancat e shfaqjet teatrore. “Varrosjen e Turpit” nga Marrja e Zezë – një ceremoni për të lënë pas turpin kolektiv që na është mësuar, ndërsa “Zëra të Heshtur” nga Italia i dha jetë trupave të heshtur, që për dekada s’kanë mundur të flasin. Kurse defatorët Shpejtim Smaqi dhe Sabahete Hasani i ngritën të gjithë në këmbë. Një gjuhë tjetër e trupit që s’kërkon fjalë për të thirrur të vërtetën. “Çdo ritëm thoshte: ‘Ne kemi mbijetuar’. Dhe çdo hap përgjigjej: ‘Dhe prapë ngrihemi.’” – Shqipe Malushi.

Shfaqja “Gratë e Trojës” ishte globi ku mund të rrokulliset çdo histori lufte – e grave që ende jetojnë me to. Të grave që nuk patën zë për të dëshmuar për veten. Shfaqja dëshmon se arti është më i guximshmi. Arti i del përballë luftës më mirë se kushdo. Është i vetmi ku e vërteta mund të fitojë. Shfaqja “Jam Unë Ajo”, një prodhim i Teatrit të Gjilanit dhe Bon Production, preku thellë publikun. I riktheu nënat në përvoja të njohura dhe ngjalli ndjenja solidariteti – pavarësisht gjinive. Performanca “AdH(A)rA” nga Rhianon Morgan ishte një ftesë për të ndarë atë çast, ku zia na lejoi të zbulonim dëshirën tonë për të jetuar, për t’u zgjeruar, për të ecur përpara. Ishte një ftesë për t’u mbledhur, për të ndjerë, për të ndarë, për të jetuar, për t’u zgjeruar, për të ecur përpara. Së bashku.

Ndërsa “Zëra të heshtur” u bënë zëra që dëgjohen, e histori që lexohen. Performanca solli copëza nga eksploitimi seksual i grave. “Të bëjnë të rimendosh krejt çka di për këtë temë: me keqardhje për gjithë paragjykimet që mund t’i keh mbjellur në vete”, shkruan Gili Hoxhaj. Të rinjtë nga Italia përmes shfaqjes muzikore “Qualcosa di Grande” kërcyen dhe kënduan jo për t’i ikur kaosit të botës, por për ta përballuar atë—me zemrën përpara. Përmes një thurjeje të zgjuar muzikore, humori dhe kujtimesh, ata treguan historinë e një brezi shpesh të nënvlerësuar.

FEMART 13 solli edhe muzikë që i flet shpirtit. Përmes tingujve që shpesh janë të pazakontë, të guximshëm dhe të thellë, “Liburn Jupolli Ensemble” përmes “Tales of Scapes” krijoi një përvojë që të bën ta rimendosh se çfarë muzika mund të krijojë.

“Ansambli mishëroi shpirtin e bashkëpunimit artistik, duke ndërlidhur muzikën me teknologjinë dhe performancën, dhe duke sjellë në skenë një botë që flet për të ardhmen, ndërkohë që qëndron thellësisht e rrënjosur në kërkimin e së vërtetës përmes artit. Për një art që kërkon më shumë të vërteta të tilla, skaje e përtej botës”, shkruan Gili Hoxhaj. Edh sivjet present ishin zërat e ëmbël të korit të grave “Okarina”, dhe në mbylljen plot dritë të Fête de la Musique, me Tentative e Zwada, muzika nuk ishte vetëm argëtim – por çlirim emocional.

FemArt vuri në pah gjithashtu histori të pathëna përmes filmit. Dokumentarët “Në Kërkim të Burbuqe Rushitit” dhe “Kaskaderet” nderuan gratë që kanë përdorur gazetarinë dhe fuqinë fizike si mjete të së vërtetës dhe qëndresës. Filmi artistik “Guida Romantica a Posti Perduti” hapi me delikatesë një bisedë mbi shëndetin mendor, pa e senzacion—duke nxjerrë në dritë vetminë, mohimin dhe ankthin që shpesh mbesin të pathëna.

Konferenca ndërkombëtare “Art + Shërim, Shëndeti Mendor dhe Djegia Emocionale në Rezistencën Krijuese” ishte një ditë e gdhendur me guxim dhe butësi. Nga Serbia në Ukrainë, nga Franca në Kosovë, artistë, antropologë dhe aktivistë qëndruan krah për krah, jo si ekspertë — por si dëshmitarë të dhimbjes, qëndresës dhe rilindjes.

Ky edicion shërbeu si urë lidhëse ndërmjet artisteve/ëve, aktivisteve/ëve dhe përfaqësuesve të institucioneve dhe festivaleve vendore e ndërkombëtare përmes “Natës së Rrjetëzimit” në Ambasadën e Luksemburgut e ndejave në Bubble Pub.

FEMART 13 u pasurua edhe me punëtori, diskutime feministe, “Piknik dhe Meditim” në Parkun e Qytetit, e “ngjarje aktiviste” në Hamamin e Prishtinës duke dëshmuar se arti nuk është vetëm një formë e shprehjes, por një gjuhë e rezistencës dhe e shërimit, që ndikon thellë në jetën sociale dhe shpirtërore të komunitetit.

Me pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare, program të pasur dhe ndikim të thellë kulturor e emocional, FemArt vazhdon të jetë një lëvizje feministe artistike që frymëzon, sfidon dhe transformon.

Ndaj, FEMART është këtu për të qëndruar – e gjallë, sfiduese, dhe e paharrueshme.

Rezultatet kryesore të Edicionit të 13-të të Festivalit Femart

Mbi 180 artistë dhe aktivistë

Morrën pjesë nga 19 shtete, përfshirë Austrinë, Shqipërinë, Belgjikën, Bullgarinë, Anglinë, Francën, Gjermaninë, Irlandën, Italinë, Kosovën, Korenë e Jugut, Luksemburgun, Maltën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Zvicrën, Ukrainën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtrirje e gjerë digjitale

 2,638,987 shikime gjithsej në video dhe fotografi në Facebook dhe Instagram

  • 616,244 persona të arritur
  • 20,586 vizita në profil
  • 765 ndjekës të rinj

Publik i angazhuar dhe në rritje 

  • 3,036 pjesëmarrës morën pjesë në aktivitetet e FemArt 13
  • 29 aktivitete të ndryshme të organizuara
  • 14 blog poste të publikuara

Prani kulturore në të gjithë qytetin

Aktivitetet u mbajtën në 9 lokacione të ndryshme në Prishtinë: Salla AMC, Teatri Kombëtar, Teatri Oda, Instituti Francez, Parku i Qytetit, Hamami i Qytetit, Hani i Dy Robertëve, Bubble Pub dhe Ambasada e Luksemburgut.

11 vullnetarë kontribuan me kohën dhe energjinë e tyre, të mbështetur nga një koordinatore e përkushtuar.

13 Blogje.