Skip to main content

Foreword by Zana Hoxha

Zana Hoxha Drejtoreshë e Festivalit Femart.

“Kohërave të jashtëzakonshme u duhen artistë që rezistojnë”

Të dashur artiste/ë, aktiviste/ë, shoqe e shokë e mbështetës të festivalit FemArt – 2020- ta është vit i vështirë por arti lulëzon edhe në vendet më të izoluara dhe do të vazhdojë të ketë jetë në planetin Tokë.

Ky edicion i jashtëzakonshëm i FemArt-it do të jetë festivali i parë i organizuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në vitin 2020 në Kosovë për shkak të pandemisë me COVID-19 dhe më duhet ta pranoj që ky edicion do të përfshijë më së shumti artiste/ë vendor sesa ndonjë edicion tjetër i FemArt-it deri tani.

Gjatë 7 viteve të kaluara, FemArt u bë festival feminist i njohur ndërkombëtarisht, duke iu mundësuar mijëra grave dhe vajzave të njohin dhe pranojnë të drejtat e tyre të plota përmes artit të mirë dhe cilësor të krijuar nga artiste dhe aktiviste në mënyrë që të arrihet barazia në nivel politik, ekonomik, kulturor, personal dhe shoqëror.

Ne kemi vendosur që festivalin FemArt 2020 ta emërojmë nën moton “Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”. Solidariteti si parim i mbështetjes së ndërsjellë në mes grave dhe vajzave, artisteve dhe aktivisteve që punojnë për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave dhe qëndrueshmëri si aftësi për t’i bërë ballë fatkeqësive, traumave dhe sfidave duke u ngritë në këmbë sa herë rrëzohemi e duke e ngritë zërin sa herë që mundohen të na heshtin.

Duke e pasur parasysh ndikimin e krizës financiare të shkaktuar nga pandemia, ishte shumë e rëndësishme që ne të krijojmë hapësirë, mbështetje financiare dhe mjedis të sigurt për 160 artistet/artistët, aktivistet/aktivistët dhe të rinjtë që do të marrin pjesë në edicionin e 8të të Festivalit FemArt 2020.

Ju urojmë mirëseardhje me nga një përqafim virtual dhe iu ftojmë që të ndiqni programin tonë të mrekullueshëm me shpresën që do ta rrisim solidaritetin dhe qëndrueshmërinë e të gjithë njerëzve të Kosovës.

REZISTO! INSPIRO! KRIJO!

Zana Hoxha
Themeluese dhe Drejtoreshë e Festivalit Femart.