Nga Shqipe Malushi
Në mëngjesin e katërt të FemArt, teksa dielli ngrihej butë mbi Prishtinën, zërat e grave u ngritën në harmoni—të ëmbël, të fuqishëm, të drithërueshëm. Ishin ato grate e korit Okarina, një rreth zërash të lindur në vitin 2022 nga vizioni i Elikonë Hysaj Shalës— soliste, dirigjente, vizionare dhe ruajtëse e traditës, një dritë kulturore nga Kosova.
Ato nuk erdhën vetëm si performuese,
por si gra të shumë stinëve dhe qyteteve,
vullnetare që bartin kohën në duar,
dhe e kthejnë në këngë që qepin të vjetrën me të renë. Harmonia e tyre ishte më shumë se melodi—ishte balsam, frymëmarrje, dhe urë.
Brenda Teatrit Kombëtar të Kosovës,
aty ku mendjet ishin mbledhur për të reflektuar mbi artin, shërimin dhe lodhjen,
Okarina hapi konferencën Art+Mind siç agimi hap qiellin— butësisht, me hir, me një këngë që lundronte si për të thënë: jemi këtu, dhe kujtojmë.
Nën duart e përmbajtura të Elikonës,
muzika rridhte si ujë— jehona të këngëve tradicionale shqiptare të thurura në korale, tinguj ndërkombëtarë që bashkoheshin në këtë telë, çdo zë një enë, çdo frymë një fillim.
Dhe kur dita e dialogut dhe rezistencës arriti në mbyllje, korri na fali një flakë të fundit—
“Jam vajza e egër e nënës sime,” kënduar jo vetëm me zë, por me rrahje daullesh
dhe krenarinë e brezave. Nuk ishte thjesht këngë— ishte deklaratë,
magji që thirri çdo histori nënash brenda asaj salle.
Në heshtjen që pasoi,
zemrat tona u drejtuan më lart. Ishim ngritur, jo për t’iu shmangur dhimbjes,
por për t’u afruar një vendi ku shërimi këndon.
Për Okarinen, për Elikonën,
për çdo zë që u ngrit sot—faleminderit që na kujtuat se arti nuk flet vetëm; ai këndon, qetëson,dhe në notat më të buta—na çliron.