Skip to main content

Nga: Gili Hoxhaj

Çfarë ndodh kur dikush ikën dhe ne nuk jemi të gatshëm ta pranojmë ikjen? Ta mësojmë jetën përsëri prej fillimit, pa qenë të gatshëm. Na duhet kohë, lëvizje, dhe mes kësaj kohe ndodhin shumë gjëra – gjëra që s’jemi gati t’i jetojmë, as në përpjesëtimin më të vogël të tyre. Rhiannon Morgan s’na e fsheh dhimbjen, s’na kursen nga ajo as në fillim. E nis me klithmë. Ca hapa para dhe të tjerë prapa. Ashtu siç është rruga e shërimit – bën progres dhe ndonjëherë të duket sikur kthehesh në pikën zero.

Ajo ka qëndrim preciz, gati ushtarak. Hapësirën ku lëviz e ka të ndarë me vija të bardha – katër hapësira mentale, ku ajo ndihet ndryshe. Çdo kalim në tjetrën është kalim në një tjetër dimension. Kështu nis të na e zbërthejë “AdH(A)rA”-n, këtë performancë të teatrit të vallëzimit, artistja me bazë në Luksemburg, Rhiannon Morgan, e cila përfaqëson një përballje intime dhe universale me dhimbjen, humbjen dhe vetëidentifikimin. Me të u përmbyllen aktivitetet kulturore mbrëmjen e katërt në FemArt që po zbërthehet nën moton “Çliroje mendjen”.

Kur kalon në katrorin tjetër, intensiteti i lëvizjeve shtohet. Dhimbja e saj bëhet më therëse. Akoma e pagatshme për ta pranuar ikjen e të atit. S’ia del ta pranojë vetminë – boshllëkun që të lë humbja. Vetminë që të godet dhe ti, papritmas, nuk e njeh më veten. Heq rrobat dhe gati ngulfatet. Por me to nuk heq dhimbjen e brendshme. Muzika përcjell dhimbjen të cilën ajo përpiqet, me mish e shpirt, ta luftojë.

Në katrorin tjetër fillon ta godasë veten. Gjithçka përkeqësohet. Gjithçka behet shumë keq para se të behët më mirë.

Në katrorin e radhës fillon vallëzimin delikat. Muzika vjen si një lutje shprese. Zhvishet ngadalë në pjesën e sipërme. Përpiqet të tregojë diçka, por nuk ia del. – Doja të tregoja “asgjë”. Në jetën e saj gjithçka ka mbetur pezull. Megjithatë, vallëzon dhe ndjehet e lirë, sikur më e çliruar.

Në katrorin e katërt është krejt e shtrirë. Fillon të vishet e të hajë. T’i kthehet përditshmërisë. Mbush gojën dhe provon të ushqehet. Muzika ndalet. E ka kohën krejt për vete. Vetëm atëherë fillon të ngrihet dhe t’i shprehë ndjenjat. Ta pranojë humbjen, ikjen. Të bëjë një hap për t’u ndier e plotë dhe vetëm.

Pse ju dhashë fuqinë për të më shkatërruar? – është pyetja e saj që e vendos reflektimin te vetja. Që ne jemi ata që e mbajmë drejtimin. – Sa herë bie, gjej forcën për t’u ringritur – është ajo dritë në fund të tunelit që del dhe t’i hap sytë.

“AdH(A)rA” është një ftesë për të ndarë këtë çast, ku zia na lejon të zbulojmë dëshirën tonë për të jetuar, për t’u zgjeruar, për të ecur përpara. Është një ftesë për t’u mbledhur, për të ndjerë, për të ndarë, për të jetuar, për t’u zgjeruar, për të ecur përpara. Së bashku.

Në filozofinë budiste, “Adhara” shënon një koncept metafizik që përshkruan një Qenie që ka pranuar shumësitë e saj dhe ka arritur përtej tyre.

Me këngën “Losing My Religion” hapet udha e saj e kthimit te vetja. Të gjithë kemi ecur në katrorët e saj. Jeta, fundja, lidhet me etapat që shtrojnë pyetje dhe të tjera që japin përgjigje. Vite që lumturohemi, lëndohemi dhe pastaj marrim kohën për t’u shëruar. Ky është mozaiku jetësor. Ngadalë – por dikur mësojmë të ecim mbi gjithçka, pa frikë. Kjo ishte një ftesë për t’ua dhënë faljen atyre që ua kemi borxh. Kur bëjmë llogaritë, është e rëndësishme të mos harrojmë veten.