Nga Gili Hoxhaj
“Të lutemi për një botë më të mirë” – ishte thirrja e Vjollca Robelli-Mripas nga skena ku prezantoi këngën që ia kishte kushtuar shokut të klasës, i cili pa asnjë faj në një ditë të zakonshme u vra nga policët serb gjatë të ’90-ve. Histori që e kishte prekur thellë atë dhe këdo që ka jetuar histori të ngjashme jo fort të rralla për atë kohë. Këngëtarja që njihet me emrin artistik AJO i ruan me fanatizëm gjurmët e së kaluarës për t’i dhënë hov tingullit e historive shqiptare kudo në botë. Me plot shpirt e bëri edhe në shtëpi, në Kino “Armata” në përmbylljen e festivalit “FemArt” që për gjashtë ditë e përcolli më së miri mesazhin i solidaritetit dhe lutjes për ta bërë botën një vend më të mirë. Koncerti “Gërshetat” ishte kulmi i kësaj. Këngëtarja u prezantua së bashku me grupin e saj të talentuar të cilët ishin muzikantë të njohur nga vendet e Evropës e që bashkë na çuan në një udhëtim të dashurisë, amësisë, bukurisë, solidaritetit të së kaluarës e besës. Ajo u shoqërua në klarinet dhe kavall Oliver Dover, gitarë Nikos Ziarkas, perkusione Gizem Altinordu dhe në bas nga Jamie Benzies. Gërshetimi i gjithë tingujve që në fillim e dominonin këngën t’i përfytyronin bukuritë e pastërta shqiptare e disa nga këngët fort mirë të përpunuara qytetare të çonin skaje tavernave të qyteteve ku festohet për jetën. Vjollca Robelli-Mripa e bëri nga skena në Prishtinë, me një zë që natyrshëm buçet shqip – magjishëm.
Duke e hapur zemrën me muzikë dhe duke bërë thirrje që secili ta bëj të njëjtën, Vjollca vallëzoi në skenë e në fund e mori dhe publikun në vallëzimin e saj me këngën “Më jep një pikë ujë”. Me një muzikalitet të kthjellët, ku tingulli e këndimi e zbërthejnë secilën fjalë e notë muzikore me ngadalësi si për t’i dhënë peshën copëzave të historisë që transmetoheshin. Robelli-Mripa e mbajti për një orë e gjysmë publikun në këtë udhëtim që lidh këngët e së shkuarës me një gërshetim modern të tingujve xhaz, pa ua humbur rëndësinë e mesazhit. “Zare” ishte një nga këngët e interpretuara ku publiku futet në bukuritë e hilet e Zares. Duartrokitjet shpesh sinkronizoheshin me këndimin e Vjollces. “Këngët që do të këndojë sonte janë të lidhura me trashëgiminë tonë, por edhe me jetën dhe përvojat personale që na prekin të gjithëve. Falemnderit që jeni këtu për të ndarë këtë udhëtim muzikor me ne”, u shpreh këngëtarja që jeton në Britaninë e madhe, por që vite më parë debutoi suksesshëm në Kosovë me këngën “Ajo”, emër që e identifikoi me muzikën dhe sot është pjesë e saj.
“Shpresoj që kjo natë të ju ketë prekur dhe frymëzuar, ashtu siç më ka frymëzuar mua çdo këngë të cilën e kam shkruar”, u shpreh këngëtarja. Mes shumë ndjesish emocionale, Vjollca këndoi edhe këngën “Nënë” që ua dedikoi të gjitha nënave, e të cilën ajo vetë e kishte krijuar përgjatë shtatzënisë me fëmiun e saj të katërt. “Nina nana” është pjesë e këngës së saj që lidhet fort me folklorin shqiptar e teksti t’i sjell përfytyrimet e nënës e sakrificat që marrin më shumë kuptim drejt pritjes së ëmbël të mëmësisë. Këngë që i jep fuqi këtij misioni jetësor që s’kalohet pa sakrifica.
“Në këto bjeshkë e në këto male, sot po du me hedhë një valle”, thotë këngëtarja përgjatë fundit të koncertit kur me këndim kërkon për valltarë në bjeshkë e male, në një vend që ndriçohej me një fener e tryeza ishte plot me miq e nderim për njëri-tjetrin. “25 gërshetat” ishte kënga tjetër që dukej si e re në një aranzhim modern, prej nga duket se ka marr edhe emrin albumi i Vjollca Robelli-Mripa që pritet të dalë në fund të këtij viti. Janë gërsheta që lidhin të shkuarën dhe të ardhmen duke përçuar mesazhin e të tashmes. Këngëtarja tregoi edhe për misionin e saj për t’i çuar në skena ndërkombëtare këto këngë.
“Kam filluar nga viti 2018 të punoj me këngët tona të vjetra folklorike, këngë qytetare si dhe disa pak më ndryshe. Kemi punuar, i kemi riaranzhuar me ritme jazz si dhe tinguj modern. Qëllimi është të promovojmë muzikën tonë ndërkombëtarisht dhe kam marrë pjesë në disa festivale atje që janë të nivelit ndërkombëtar. Ritmet e meloditë tona janë goxha të veçantë për një audiencë perëndimore, kështu që është kënaqësi të sillen këto këngë me një frymë të re në një nivel ndërkombëtar. Qëllimi im është të vazhdoj dhe ta promovoj muzikën tonë në vende të ndryshme të botës”, ka thënë Vjollca Robelli- Mripa.
Zana Hoxha, drejtoreshë dhe themeluese e “FemArt” ka bërë të mundur së bashku me ekipin një festival që t’a mbush agjendën ditore për pesë ditë. Kështu ka përthekuar temat më të qenësishme të feminizmit dhe solidaritetit përtej kësaj. Ka sjell edhe festë, mesazhe paqeje e tinguj dashurie.
“Jam jashtëzakonisht shumë e kënaqur me ekipin, normalisht se jemi të rraskapitur në fund, por jashtëzakonisht të kënaqur me vlerat artistike dhe temat që u ndërthurën dhe u trajtuan. Në veçanti tema e sivjetme gjeti një lloj empatie shumë të madhe te publiku dhe jam e lumtur që gjithçka ka shkuar siç e kemi pritur, në disa raste edhe më mirë sesa pritëm. Jam e lumtur që e mbyllëm sonte festivalin, gjashtë netë me 30 aktivitete. Asnjë s’na ka dështuar, të gjitha janë realizuar dhe një gjë e tillë ndodhi me qindra mijëra njerëz prezent”, ka thënë Zana Hoxha. Festivalit nuk i kanë munguar as mysafirë nga vende të ndryshme të Evropës dhe përtej kësaj që kanë ardhur për ta ndjekur festivalin. Për të dëshmuar që “motërëzimi” shpesh del përtej familjes dhe përtej kufijve shtetëror.
“Moterëzim: Në kohë të Luftës dhe Paqes” ishte tema e sivjetme e Festivalit që lidhi aktivistë dhe aktiviste, artistë dhe artiste nga ngjarja në ngjarje, nga një teatër në teatër tjetër, nga teatri në galeri e nga galeria në bibliotekë e deri në kinema ku shfaqen filma, diskutohet për ta e ku behët koncert muzikor.
“Jam e lumtur që e mbyllëm me këtë koncert që Vjollca Robelli e solli këtë frymë këtu në mbyllje të festivalit. E vërejtëm në këtë edicion që ka motërzim, që njerëzit zgjedhin motrat. Ideja ka qenë sesi jo gjithmonë jemi të kënaqur me familjet të cilave u takojmë, por ti e zgjedh familjen tënde. Kështu ka qenë një lloj motërzimi që ndodhi natyrshëm këto ditë”, tha tutje Hoxha.
Publiku i “FemArt” i ndryshëm dhe goxha i madh në numër sivjet mori rebelizmin, vlerësimin dhe sfidimin e traditës, tingujt spanjoll, imazhe të rrugëtimit e histori të “FemArt”-it në libër, diskutime që ngjallin reflektim e histori që na bashkojnë. Si dhe mesazhe në tejkalimin e barrierave të së kaluarës dhe ato që i kanosen botës sot. “FemArt” e ngriti bindshëm standardin këtë vit, i pret punë më e vështirë për vitin tjetër! Gëzuar për stafin dhe pjesëmarrësit!