Nga Gili Hoxhaj
Në rebelim nuk mjafton vetëm mendimi – të paktën jo për gratë e shekullit 21. Andaj shfaqja me titull “Revoltë. Ajo tha. Revoltohu sërish.” i jep zë kësaj nevoje. Me tekst të Alice Birch e regji të Zana Hoxhes, shfaqja e prodhuar në Angli erdhi me një kastë të aktoreve që shpërfaqin veçantinë e lojës në skenë – ajo në rrugën e saj në Prishtinë e mbajti publikun të mbërthyer dhe interaktiv mu në zemër të Prishtinës, në teatrin “ODA” në kuadër të edicionit të 12-të të FemArt-it. Një kurorë për ato që hynin për ta parë shfaqjen ishte diçka që regjisorja e kishte vënë për t’i dhënë frymën e vendit prej nga ishte krijuar shfaqja. Zana Hoxha u kthye në Kosovë me një shfaqje më ndryshe se krejt çfarë kishte krijuar në karrierën e saj të gjatë prej aktivisteje e regjisoreje. Na mësoi të revoltohemi dhe të luajmë me revoltën tonë në një mënyrë tjetër në një krijim modern. Aktorja Tanaka Mpofu që në fillim i drejtohet njërës nga vajzat e publikut me një kompliment për vathët dhe pyetje se ku i ka gjetur. Një intimitet në skenë të parë. Skena më pas, e njëjta do të krijonte interaksion me shumë nga publiku, kësaj radhe me ca fjalë të mira sa për sy e faqe e pyetja do të ishte “A do të votosh për mua?”. Mori ca “po”. Por, si aktore edhe për lojën e saj do të merrte shumë “po” për energjinë kur kërkohej dhe mospërfilljen ndaj situatave për rreth. Dinte të luante me situatat. T’i vendoste personazhet e tjera në to dhe vetë t’i përcillte me dilema – kështu për të hapur debat. Një skenë për dashurinë dhe seksualitetin mes dy personazheve do të vinte më pas. Ishin disa mënyra për të kaluar dhe të kjo – madje disa mënyra për ta shprehur dhe për ta dëshiruar tjetrën. Tanaka Mpofu thotë se gjithë fuqinë e saj në lojë ishte inspiruar nga pasioni i vetë regjisores.
“Më pëlqejnë punët që kanë qellim mbrapa. Jam e inkurajuar nga pasioni i Zanës për feminizmin dhe për të luftuar për fuqizimin e grave. Ftesa e saj për ne në Kosovë ishte shumë emocionuese. Njerëzit këtu janë shumtë hapur dhe mikpritës dhe gjithçka ishte e lehtë këtu”, ka thënë ajo fill pas shfaqjes.
Aktoret me një ton të qetë jepnin mesazhet. Erën e shalqirit të shpërndarë në tokë do ta lidh gjithmonë me këtë shfaqje. Një mënyrë për të protestuar – me shalqirin e ndarë në copë dhe pastaj copët edhe do të shijoheshin. Aktoret me rolet që i ndërronin luajtën me sensualitetin e tyre, me nevojën për një jetë më të mirë ekonomike dhe liri në vendin e punës, për përfshirjen dhe pushtetin në politikë, për dëshirën për tu qenë të pranuara dhe të bindura që janë krijuar nga diçka më e mirë. Ato në dialog të shprehjes së dashurisë treguan se ka plot mënyra për ta vlerësuar dhe për t’i thënë tjetrit/es që e do. Flitet dhe për martesën në disa kontekste – si mënyrë e pranimit dhe shpesh e refuzimit. Shfaqja bartë preokupimet e shekullit të kaluar por flet për gratë e këtij shekulli që janë mes hapësirës së shtëpisë, jetës publike, asaj familjare e dashurore – e gjithkah kërkojnë pak më shumë kohë për vete. Olive McHugh, Tanaka Mpofu, Xixi Xiao, Natalia May secila kishte një veçanti që se kishte tjetra dhe secila nxirrte më të mirën nga tjetra. Shfaqja është produksion i LAMDA dhe Orange Tree Theatre që regjisorja e ka krijuar gjatë studimeve master në Angli dhe ishte shfaqur në festivalin GreenHouse. Si shfaqje inovative e me shumë intensitet që se lë jashtë as publikun, ajo erdhi edhe në FemArt. Nuk mjaftuan as situatat komike. Na mësoi se revolta mund të bëhet pa e ngritur zërin, por duke diskutuar vazhdimisht për atë që na takon. Lë vend për të hapur debate të reja feministe. I transformon temat dhe të bën të ngresh pyetje në një ambient ku gratë flasin për vete. Gjuhën e autores Alice Birch, regjisorja Zana Hoxha e ka vendosur në një kontekst që i flet secilit. Veçmas që i flet kohës së tanishme – me guxim. Kur e kishte marr për herë të parë në duar tekstin, regjisorja Hoxha thekson se ishte shokuar.
“U impresionova nga mënyra sesi dekonstruktonte gjuhën, sjelljet dhe faktorët e tjerë socio-kulturorë në ndërtimin e feminitetit”, është shprehur ajo. “Performanca dukej se rezononte me metodën time artistike dhe aktiviste. Birch sfidonte shtypjen patriarkale dhe bënte pyetjen kryesore: “Çfarë na pengon të bëjmë diçka vërtet radikale për t’i ndryshuar ato?” (Birch, 2016). Kjo reflektonte përsëri angazhimin tim për të nxitur mendimin kritik dhe për të hapur rrugë për veprim përmes teatrit”, ka theksuar Zana Hoxha. Ajo vërehet se e ka eksploruar në temel tekstin dhe narrativen që përcjell për ta pasuruar më tej me përvojën e gjatë në artin feminist. Edhe sikur të mos e dëgjoje asnjë fjalë te aktores Olive McHugh, në sytë e saj lexon shqetësimin që mbetet peng për të dëgjuar një fjalë të mirë prej nënës. E ka instiktin e fort të amësisë, por ka një fëmijëri të munguar. Teksa flet me sy i përgjërohet momentit në një skenë tryeze të zakonshme me një vazo me lule e bukë me një tegull me reqel. Është një zhytje e thellë e një bagazhi familjar e një drame të pshtjelluar familjare pasojat e së cilës trashëgohen. McHugh thotë se që nga koha kur kanë lexuar skripten thotë se janë ndjerë sikur është një ndjenjë e vecantë në sallë dhe janë ndjerë shumë të sigurta për të eksploruar karakteret. “Oo unë e dua Zanën që nga dita ime e parë në Londër. Kam pasur një lidhje të mrekullueshme me të dhe kur më tregoi se do duhej të vija në Kosovë, nuk e kam besuar se do të vi pikërisht këtu të luaj këtë shfaqje. Energjia e FemArt është e mrekullueshme, njerëzit që vijnë këtu edhe ata që nuk janë aktorë e kanë një energji shumë të vecantë. Do ta kujtoj gjithmonë kohën këtu”, shprehet aktorja Olive McHugh.
Intensive, energjike dhe provokative përgjigjet e publikut e formësojnë rrjedhën. Kur aktorja Xixi Xiao i drejtohet dikujt nga publiku se cilën nga të drejtat duhet t’ua plotësojë ekipit që kërkon më shumë pushim e kërkesa të tjera që lidhen me jetën e punës, aktorja pret përgjigjen, një edhe e merr. Në rastin tjetër vonesa e bën të heqë dorë nga përgjigja. “Shumë ngadalë, nuk kam kohë për këtë”, shprehet ajo teksa i kthehet lojës e bindur. Dha një mesazh që secili duhet ta respektojë kohën e vetes, kohën e shfaqjes dhe të publikut.
“Kam bërë rishikime të vogla në tekst për ta bërë atë më të rëndësishëm për një temë post-apokaliptike dhe qasje feministe. Kam sjellë në lojë njohuritë e mia të mëparshme mbi teorinë feministe dhe punën e mëparshme të kryer, me fokus në luftimin e narrativave kulturore që nënrendisin gratë (Butler, 1990). Teksti ishte një skelet i gjallë nga i cili aktorët mund të krijonin performanca komplekse dhe të lejonte një eksplorim të thellë”, thekson tutje Zana.
Për të protesta e madhe ishte ideja e parë e kësaj shfaqjeje. Një protestë kundër sistemeve dhe vlerave që sjellin kolapsin e shoqërive dhe ekologjive. Skena ishte një botë e shkatërruar, mbetje e strukturave patriarkale; ishte bazuar në teoritë e eko-feminizmit, që lidhin shfrytëzimin e natyrës me shtypjen e grave. Regjisorja dhe dramaturgia Shqipe Malushi tha se kjo ishtë një shfaqje teatrale guximtare dhe eksperimentale qe sfidon idetë tradicionale rreth asaj se si gratë duhet të sillen.
“Zana Hoxha përqafoi këtë ndjenjë të çrregullimit duke inkurajuar aktoret ti thyenin rregullat e zakonshme të teatrit”, u shpreh ajo pas shfaqjes.
Në bashkëpunim me dizenjatoren e skenës dhe kostumeve, Grace Rumsey, Hoxha ka punuar intensivisht duke përcjell një praktikë të qëndrueshme që tregon ndërgjegjësim mjedisor në teatër duke përdorur kostume të recikluara. Edhe në kontekst të skenës e veshjeve u prekë një aspekt i rëndësishëm. Në skenën e bërë gjithë lëng shalqiri, aktoret përmblidhen dhe e pastrojnë skenën gjatë shfaqjes – kështu për të kaluar te akti tjetër i saj. Një formë tjetër ndërgjegjësimi në teatër e regjisorja u bashkohet në rivendosjen e skenës për aktin tjetër. Zana me ekipin depërtoi me një vizion krijues. Një vizion të atyre që e ngrenë lart thirrjen për zgjedhjet e tyre. Zgjedhje me shumë guxim!