Skip to main content

Nga: Gili Hoxhaj

Akoma flitet për luftën e gjatë të Trojës. Por sa flitet për gratë? Nëse jo aq gjatë historisë, në shfaqjen “Gratë e Trojës” – mbrëmjen e pestë të “FemArt” – ato ishin zëra që dëgjoheshin në vetën e parë. Dhe jo vetëm gratë e Trojës, por të gjitha gratë që lufta nuk i kurseu t’u vriste fëmijët, familjen, ëndrrat dhe dashurinë, t’ua mohonte zotërimin e trupit të tyre.

“Kali i Trojës” ishte mashtrimi që çoi në rënien e qytetit, por në shfaqje ai ngrihet i pari dhe duket sikur ngre qytete të tjera, ku lufta është përsëri kryefjala. Shfaqja bëhet zë i të gjitha luftërave të botës, i fëmijëve dhe grave që e pësojnë më rëndë.

“Gratë e Trojës” është një shfaqje teatrore e frymëzuar nga tragjedia antike e Euripidit, sjellë në formë bashkëkohore përmes një bashkëpunimi ndërkufitar mes Qendrës për Art dhe Komunitet “Artpolis” nga Prishtina dhe artistëve nga Beogradi. Me regji nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić, dhe tekst të shkruar nga Shpëtim Selmani, shfaqja trajton pasojat e luftës, dhunën ndaj grave dhe qëndresën e tyre përballë humbjes, robërisë dhe mungesës së dinjitetit.

Në qendër janë figura si Hekuba, Kasandra dhe Andromaka, por shfaqja shkon përtej antikitetit, duke i lidhur fatet e tyre me realitete moderne – nga lufta në Kosovë te krizat aktuale në Gaza e më gjerë.

E realizuar në dy gjuhë, shqip dhe serbisht, me titra në anglisht, shfaqja përdor një skenografi minimaliste dhe ndriçim të ndjeshëm për të ndërtuar atmosferën emocionale të dhimbjes dhe rezistencës. Aktorët, megjithëse komunikojnë në gjuhë të ndryshme, krijojnë një dialog natyral, duke lidhur copëza historish që nxjerrin edhe lot.

Nëse deri tash nuk ke menduar thellë për pasojat që lë pas lufta, kjo shfaqje me fuqinë e saj të përplas me realitetin dhe të bën të ndihesh solidar, edhe kur nuk ke ç’të japësh përveç lotëve. Ndonjëherë mjafton që dikush ta ndjejë dhe kuptojë dhimbjen tënde. Të bashkohet me zërin tënd, sepse kjo betejë e përditshme është e padrejtë.

Me interpretimet e Shpëtim Selmanit, Maja Mitić-it, Semira Latifit, Qendresa Kajtazit, Branka Stojković-it dhe Labinot Racit, “Gratë e Trojës” është shfaqur në Prishtinë, Prizren dhe Beograd gjatë vitit 2024 dhe ka marrë vlerësime për fuqinë artistike dhe mesazhin universal për paqe, drejtësi dhe humanizëm në kohë lufte.

Troja ende është kudo, edhe sot

Euripidi kthehet sërish në tokë për të parë dhe për të shkruar. I dërguar nga perënditë, dy herë i lodhur, dhe s’mund të jetë ndryshe. “Kudo mizori dhe mjerim. Si atëherë, si tash”, thotë ai, duke u bërë dëshmitar i të dy kohëve. Historia po përsëritet. Ka ndryshuar vetëm vendi, jo viktimat. “Troja ende është kudo, edhe sot”, thotë aktori Shpëtim Selmani në rolin e Euripidit.

Më pas, aktorët përmendin të gjitha luftërat dhe njerëzit që u preken prej tyre. E gjithë bota është Troja jonë e lashtë dhe Troja juaj moderne – kështu e dëshmon Euripidi. Emrat e vendeve përsëriten në kor, ndërsa gratë kërkojnë largimin e luftrave nga zërat dhe trupat e tyre.

Shkrimtari e arsyeton tekstin si revoltë, për një kohë kur jeta e njeriut është reduktuar në statistikë. Vlera e jetës është humbur. S’jemi asgjë tjetër veçse numra – numra apokaliptikë. Ai pyet: kush e paguan çmimin, përveç nënave, grave, fëmijëve?
Skllavet lajmërohen për ardhjen e një zëdhënësi që do t’u sjellë lajme të reja. Nuk janë më kureshtare – janë mësuar me jetën e skllaves, ku caktohen me short se cilit burrë do t’i takojnë. Kasandra kërkon hakmarrje përmes një martese me mbretin – për t’i shkatërruar ata që ia shkatërruan familjen. Gratë kërkojnë përherë ringritje.

Troja dikur ishte plot gaz dhe hare. Kjo skenë na nxjerr për një çast nga zymtësia e luftës, duke treguar se si njerëzit, edhe në dëshpërim, arrijnë të kujtojnë harenë e jetuar bashkë – deri në çastin kur lufta i ndryshoi fytyrën Trojës. Aktorët nisin të vallëzojnë teksa këndojnë për Trojën. “Lufta i dha një emër tjetër Trojës… emrin e dhimbjes”, thuhet më pas.

Por dhimbja nuk përfundon me armëpushim. Pasojat jetojnë më tej. “Gratë e Trojës” prek çdo vend dhe çdo kujtim lufte. Njëra nga personazhet nis një monolog për dhunimin që i ndodhi para syve të prindërve. Nëna e saj vrau veten, babai pësoi infarkt. Ajo ishte vajza e vetme në familje, por në historinë e vendit të saj ishte një nga 20 mijë të dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Kjo është Kasandra e ditëve tona.
Më pas, një grua tjetër, me fëmijën në krah, bëhet zë i torturave në Gaza – ku nënat, të frikësuara, përpiqeshin të mbanin fëmijët pa pyetur se cili i kujt ishte. Ushtria izraelite, po bëhej kreative në mënyra të reja për torturim – mënyra të pazbuluara më parë.
Historia po rishkruhet çdo ditë në faqe të tjera dheu. “Gratë e Trojës” është globi ku mund të rrokulliset çdo histori lufte – e grave që ende jetojnë me to. Të grave që nuk patën zë për të dëshmuar për veten. Shfaqja dëshmon se arti është më i guximshmi. Arti i del përballë luftës më mirë se kushdo. Është i vetmi ku e vërteta mund të fitojë.