Skip to main content

Nga: Shqipe Malushi

Sot, nën diellin e ngrohtë të verës në Parkun e Qytetit të Prishtinës, ndodhi diçka e jashtëzakonshme – gratë vallëzuan historitë e tyre, qëndresën e tyre, gëzimin e tyre. Si pjesë e ditës së fundit të FemArt 13, World Dance for Humanity solli një rreth kremtimi, ngjyrash dhe lidhjeje që preku trupin dhe shpirtin.

Gra të të gjitha moshave – disa në lulëzimin e rinisë, të tjera të hijshme nga përvoja e jetës – erdhën të veshura me rroba të gjalla, të lira, me lule në kokë dhe zemra të hapura. Ato erdhën për të vallëzuar. Erdhën për të festuar jetën. Sepse këtë e bëjnë çdo javë. Dhe sot, familja FemArt iu bashkua atyre, duke shkëmbyer atë që dinë më së miri: dashuri pa kushte.

Ashtu si FemArt, edhe World Dance for Humanity është një lëvizje që transformon jetë – hap pas hapi. E themeluar në vitin 2010 nga valltarja, antropologia dhe humanistja Janet Reineck, kjo organizatë jofitimprurëse me bazë në Santa Barbara përdor vallëzimin si gjuhë universale për të frymëzuar shërim, lidhje dhe veprim – në lagje dhe në kontinente të tëra.

Thirrja e Janet lindi nga përvoja e saj me komunitetet që vuajtën pas luftrave. Ajo e kuptoi qartë:

Lufta është forca më mizore ndaj grave.

Ua zhvesh dinjitetin, ua ndan familjet, dhe ua vjedh të ardhmen fëmijëve. Ua hesht zërin, ua rrëmben zgjedhjet, dhe i shtyn në mbijetesë. Dhe megjithatë – edhe në këtë heshtje – gratë mbijetojnë. Ato ngrihen.

Janet kuptoi se vallëzimi nuk është thjesht lëvizje – është ilaç. Ai forcon trupin, zgjon mendjen, dhe shëron shpirtin. Vallëzimi rikthen atë që lufta përpiqet ta rrëmbejë: dinjitetin, gëzimin dhe aktin e shenjtë të kremtimit. Përmes vallëzimit, gratë kujtojnë vetveten. Lidhen sërish me veten dhe njëra-tjetrën. Ato ringrihen.

World Dance for Humanity sjell këtë gëzim në botë në mënyra të fuqishme. Në Ruandë, për shembull, organizata mbështet gratë përmes:

• Programeve të blegtorisë, duke dhuruar dhi dhe lopë shtatzëna për të siguruar të ardhura dhe ushqim të qëndrueshëm.

• Mbështetjes për arsimimin, duke sponsorizuar mbi 220 nxënës çdo vit në shkolla fillore, të mesme dhe universitet.

• Ndërmarrjeve të drejtuara nga komuniteti, duke ofruar trajnime dhe mjete për t’i ndihmuar gratë të kthejnë ëndrrat në realitet.

Mesazhi është i thjeshtë, por i thellë: Vallëzo lokalisht. Vepro globalisht.

Dhe sot në Kosovë, ne vallëzuam. U ngritëm. Endërruam me zë të lartë. Siç tha një grua me lot në sy: “Këtu, unë vallëzoj jo vetëm me trupin tim, por me kujtimet, shpresat dhe ëndrrat e të gjitha grave që ende presin të jenë të lira.”

Ne jemi thellësisht mirënjohës për World Dance for Humanity që u bashkua me FemArt 13 në ditën e saj të fundit, duke sjellë një praninë të ndritshme. Vallja e tyre na kujtoi se asnjëherë nuk jemi shumë të vjetër, shumë të thyer apo shumë vonë për të lëvizur, për t’u ngritur, për të dashur.

Ndaj ju themi çdo gruaje, çdo vajze dhe çdo burri:

Vallëzoni. Mos lejoni që mosha t’ju përcaktojë. Mos e lini frikën t’ju ndalojë. Lëvizni shpirtin tuaj.

Bashkohuni me Janet Reineck dhe këtë motërsi globale të ndryshimit. Mësoni. Vallëzoni. Shërohuni. Jepni.

Dhe së bashku, le të vazhdojmë ta ndryshojmë botën – një hap, një rrahje, një zemër në një kohë.

Për më shumë:

🌍 www.WorldDanceforHumanity.org

📧 Janet@WD4H.org

📞 +1 (805) 966-5439