Nga Ivana Bilić dhe Alba Ajdarevikj
A është vërtet aq e rrezikshme të ecësh vetëm natën? Çfarë e krijon perceptimin e rrezikut? A është frika e rrënjosur në trupin tonë apo e ndërtuar nga paragjykimet dhe zakonet?
Gjatë dhjetë ditëve të Festivalit FemArt, artistja italiane Valentina Medda dhe njëmbëdhjetë gratë pjesëmarrëse punuan në projektin Qytetet Natën, një projekt pjesëmarrës që merret me perceptimin e grave për rrezikun në mjedisin urban. Më pas, më 22 dhe 23 qershor, një audiencë më e gjerë pati mundësinë të ndiqte hap pas hapi gratë vendase nëpër qytet, duke gërmuar në frikën dhe perceptimin e tyre për rrezikun. Burrat ishin gjithashtu të mirëpritur të ecnin me gratë për të përjetuar shëtitjet të shoqëruara me audio incizime të regjistruara paraprakisht që ishin dëshmi nga gra të tjera dhe punëtoritë e mëparshme.
Njëmbëdhjetë gratë pjesëmarrëse eksploruan qytetin me zonat që i zgjodhën, duke ndërtuar një shëtitje që filloi afër Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe përfundoi në pikën në të cilën u rrit perceptimi i frikës. Për tri ditë me radhë ato patën mundësinë të ecin në shtigjet që kanë zgjedhur, shumica prej tyre duke sfiduar veten për të ecur në rrugët që i konsiderojnë si më të rrezikshme/frikshme për ato. Duke vepruar kështu, secila prej tyre ripërcaktoi topografinë e qytetit, duke ricaktuar kufijtë e tij bazuar në paragjykimet e tyre të pavetëdijshme që rrjedhin nga prejardhja e tyre kulturore, statusi ekonomik, besimet dhe paragjykimet e tjera. Megjithatë, drejtuesja e punëtorisë, Valentina Medda, theksoi se është e rëndësishme të kuptohet se qëllimi i projektit nuk është të testojë sigurinë e rrugëve, por të tregojë se sa të sigurta ndihen këto gra, çfarë frike ndjejnë dhe pse ndjejnë një frikë të tillë.
Përshtypjet e pjesëmarrëseve
Para se projekti të hapej për publikun, gratë u mblodhën së bashku në Teatrin Dodona për të shkëmbyer përvojat e tyre të mbledhura gjatë eksplorimeve dhe provave të tyre. Një nga gratë e kuptoi se do të planifikonte gjithmonë se në cilën rrugë do të ecte, duke zgjedhur rrugët me supermarkete, ku ka drita dhe njerëz përreth. Një vajzë tjetër tha se disa rrugë ishin shumë të frikshme dhe se i shtrëngonte çelësat në dorë për t’u përgatitur. Ato diskutuan mes tyre për të gjitha gjërat për të cilat gratë duhet të mendojnë vetëm kur kthehen në shtëpi natën. Kjo frikë është pasojë e përvojave të tyre të mëparshme të këqija ose disa historive që ato kanë dëgjuar nga njerëz të tjerë. Më tej, kjo frikë perceptohet ndryshe nga personi në person dhe siç përmendi një nga gratë: “diçka që më duket e frikshme mua, nuk i duket e njëjtë dikujt tjetër”.
Për më tepër, njohja dhe familjariteti që një grua apo çdo person ka me qytetin e tyre apo rrugën në të cilën ecin, ndikon shumë në këtë frikë. Sa më shumë që një person frekuenton një zonë apo rrugë, aq më pak rrezik dhe frikë ndjen, edhe nëse ajo pjesë e qytetit është vendi më i rrezikshëm në botë. Gjatë eksplorimeve të tyre në këto zona të panjohura, fillimisht gratë ndiheshin në ankth dhe të parehatshme duke ecur vetë. Mirëpo, gjatë shëtitjes së fundit që ato bënë, të gjitha këto rreziqe u zbutën, por nuk u zhdukën plotësisht. Megjithatë, shumë nga këto gra deklaruan se gjatë këtij aktiviteti janë bërë më të guximshme dhe më të forta, duke i shtyrë kufijtë e tyre dhe të qytetit ku jetojnë. Madje njëra prej femrave shtoi se gjatë ushtrimeve e kishte shtyrë çdo ditë më shumë kufirin e saj, për t’u forcuar. Tani, këto gra janë gati të udhëheqin njerëzit e tjerë dhe të ndajnë ndjenjat e tyre me publikun.
Përshtypjet e audiencës
Përgjigjja që dha një person nga publiku kur u pyet se si iu duk performanca ishte: “Nuk më pëlqeu. Përvoja ishte e frikshme për mua që duhej të merrja në konsideratë audion që duhej të dëgjoja ndërsa ecja në rrugë të panjohura dhe të errëta, dhe vazhdova të mendoja se ka injorancë mes burrave që duhet të adresohet, dhe përjetimet e mia në qytetet natën nuk kontribuuan në një rezultat pozitiv; vetëm e dyfishuan frikën.” Disa nga anëtarët e audiencës u shprehën se gjatë shëtitjes së tyre të udhëhequr ata ndiheshin të parehatshëm, në kuptimin që ishte shqetësuese të ecnin pas dikujt në një zonë që nuk e njihnin. Për më tepër, ata ndjeheshin sikur njerëzit po i shikonin dhe kishin frikë se mund t’i thoshin diçka udhëheqëses dhe të shkaktonin telashe.
Megjithatë, njërin prej pjesëmarrësve burra e shqetësoi fakti që një grup njerëzish që e panë atë duke ndjekur një grua nuk e paralajmëruan gruan apo nuk i ofruan ndihmë dhe në një mënyre nuk e “shpëtuan”. I njëjti person shtoi gjithashtu se disa minuta para se të përfundonte shëtitja, një person i panjohur ndaloi makinën dhe i tha diçka në shqip gruas. Ai nuk mund ta kuptonte atë që tha i huaji për shkak të pengesave gjuhësore; megjithatë, i panjohuri i ka ndjekur për pak duke ngarë makinën e tij ngadalë. Në fund të performancës, udhëheqësja grua i kërkoi pjesëtarit të audiencës që të kthehet me të pasi ajo kishte frikë të ecte vetëm. Një tjetër burrë pjesëmarrës në ecje u shpreh se performanca e tij përfundoi në një varrezë. Duke qenë se ai nuk i pëlqen një udhëtim natën në varreza, ai ishte shumë afër që t’i kërkonte udhëheqësit të ndalonte shëtitjen pasi nuk ndihej rehat duke qenë atje. Megjithatë, ai vazhdoi të ecte pavarësisht kësaj. Nuk ishte e këndshme.
Për më tepër, diçka që duhet theksuar është audio. Ishte aq mirë i përgatitur sa i shtoi errësirë përvojës dhe ishte aq i besueshëm sa ndonjëherë dukej sikur gjithçka po ndodhte jashtë. Kjo e bëri personin më vigjilent ndaj asaj që e rrethonte, duke i kushtuar vëmendje gjithçkaje që po ndodhte, edhe nëse kjo ishte në audio. Një nga pjesëmarrësit theksoi se vetëm përmes audios kishte më shumë dhembshuri për gratë. Ai ishte në gjendje të kuptonte më mirë përvojat dhe luftën që gratë kanë kur dalin jashtë, duke përfshirë faktin se çdo shëtitje, qoftë në dyqan apo bar, është një shëtitje e planifikuar e mbështetur nga mekanizma të ndryshëm të përdorur nga gratë për t’u mbrojtur nga gjërat që janë të frikshme për to. Më tej, njëri prej tyre pyeti veten se si ndiheshin gratë udhëheqëse kur një i huaj që supozohet të ishte aleati i tyre i ndiqte.
Për më tepër, dikush e krahasoi përvojën me të shkuar te psikologu, duke thënë se “ti e di të vërtetën, por nuk e kupton dot”, duke shtuar se po të ishte grua, nuk do të dilte kurrë nga shtëpia pa thikë xhepi. Ai shtoi se kur shkoi në një rrugë më të ngushtë, një grup djemsh e ngacmuan atë, pavarësisht nëse ai ishte aty apo jo. Një tjetër shtoi se ndihej përgjegjës për sigurinë e saj dhe se duhej ta mbronte.
Në fund të ecjes, gruaja vizaton një vijë në rrugë duke përdorur shkumësin e bardhë, më pas kthehet dhe i tregon publikut pëllëmbën e saj, ku mbi të është shkruar “Qyteti im mbaron këtu / My city ends here”. Një nga pjesëmarrësit shpjegoi një shqetësim interesant. Pasi gruaja vizatoi vijën, një grup adoleshentësh që nuk ishin në dijeni të performancës, kaluan kufirin dhe vazhduan të ecnin. Në atë moment, atij iu duk sikur ai grup ishin të lirë dhe ai dhe gruaja udhëheqëse ishin bllokuar brenda kufijve. Ai ndihej sikur ata po shkonin në zonën e pasigurt dhe ndjehej i shqetësuar për ta; por, gjithashtu, i shqetësuar për veten e tij, sepse nuk gjeti guximin të kalonte vet kufirin.
Përvojat personale
Ivana:
Eca më 22 qershor. Iu afrova gruas që më çoi para Xhamisë së Çarshisë dhe nisa të ecja pas saj. Audioja u lëshua në veshët e mi. Ishte pothuajse ora 23:00. Ajo më çoi nëpër rrugët kryesore ku kishte shumë makina; dyqanet ushqimore dhe lokalet ishin ende të hapura dhe grumbulluesit e mbeturinave po merrnin mbeturinat. Në një moment dëgjova muzikë në sfond. Në fillim mendova se ishte thjesht nga një makinë që kalonte aty pranë. Por, muzika vazhdoi në tjetrin dhe mendova me vete; “Nuk ka mundësi që ata të kenë të njëjtën këngë në makinë.” Meqenëse muzika dukej se vinte nga rruga, mendova se do të kishte një bar apo një pijetore. Por, ishte thjesht në veshët e mi nga audioja. Gruaja që më drejtoi nuk e ktheu kokën në asnjë moment. Por kur bënim ndonjë kthesë, e shihja duke më kontrolluar me shikimin e saj periferik. Mu duk prekëse dhe e kujdesshme, edhe pse nuk njiheshim. Ishte një moment solidariteti femëror. Më pas kaluam nga rruga kryesore në një park. Shume i errët. Disa shtylla dritash vezulluan si në një mjedis filmi. Më dukej qesharake se si gjithçka dukej sikur ishte gati të më trembte. Një burrë që ecte me vrull në ritmin e asaj drite vezulluese, i shoqëruar nga tingujt që dëgjoja në veshët e mi, bënin një mjedis të përsosur për një film horror, por në atë moment, më tepër po acarohesha. A ishte lodhja nga një ditë e gjatë apo diçka tjetër, apo që e dija që nuk jam vetëm, se kjo është pjesë e një eksperimenti të një lloji. Nuk e di. Më vonë pata rastin të takoj një grua që më udhëhoqi dhe ta pyes se si ndihej. Ajo tha se kishte frikë se do të frikësohesha kur të hynim në park, sepse një vajzë tjetër thjesht nuk mund ta përfundonte shëtitjen e saj atje. Çfarë është ajo që shkakton frikën tonë? Shoqëruesja ime tha se ishte e frustruar që po e bënte këtë në shoqërinë tonë, ndërsa në të njëjtën kohë, e lumtur që e bëri këtë për një kauzë të mirë, për të sfiduar veten, për të shtyrë kufijtë e saj dhe kufijtë e qytetit të saj. Megjithatë, ajo nuk mendon se ky duhet të jetë një aktivitet për gratë. Duhet t’u drejtohet veçanërisht meshkujve; ata duhet t’i bëjnë këto shëtitje me këpucët e grave për të parë të gjitha gjërat që marrin parasysh gjatë rrugës për në shtëpi.
Alba:
Edhe unë bëra shëtitjen e udhëhequr më 22 qershor. Ishte vonë dhe qyteti kishte filluar tashmë të “flinte”. Kishte vetëm një grusht njerëzish përreth që i pashë gjatë ecjes time 20-minutëshe. Ndryshe nga shumica e njerëzve, unë nuk ndihesha jorehat duke ndjekur një grua. Në fakt, ndihesha sikur isha engjëlli i saj mbrojtës, aleati i saj, duke e mbrojtur kundër frikës së saj dhe rreziqeve të perceptuara që sjell nata. Ajo po ecte para meje, dhe unë e ndiqja duke i kushtuar vëmendje çdo personi që hasnim ose që na kalonte nga pas. Kishte gjithashtu më pak trafik; megjithatë, ngushëllimi që gjeta duke u udhëhequr nga dikush që ishte më i njohur me ato rrugë më bëri të kaloja rrugët disa herë pa shikuar anash para se të kaloja. Nuk u ndjeva aq e rrezikuar sa do të ndihesha nëse do të ecja vetëm në ato rrugë. Mund të them se ndihem më pak komode duke ecur në atë lagje gjatë ditës sesa gjatë asaj nate. Megjithatë, ajo nuk shikoi prapa as edhe një herë, për të kontrolluar nëse isha ende aty, nëse isha ende duke e ndjekur, apo nëse isha ende e sigurt. Audioja që po dëgjoja, megjithatë, më bëri të shkëputem nga realiteti disa herë dhe të jem vetëm me mendimet e mia. Më bëri të mendoj nëse unë përdori mekanizma të ngjashëm mbrojtës kur shkoj në shtëpi në orën 1 të mëngjesit. E kuptova, sepse unë eci gjithmonë në të njëjtën rrugë për në shtëpi, ulja e zërit të muzikës sime është i vetmi mekanizëm që përdori herë pas here. Audioja më bëri të mendoj për të gjitha gjërat e errëta që herët a vonë mund të më ndodhin nëse nuk jam më e kujdesshme gjatë natës, veçanërisht kur jam vetëm. Audioja ishte aq magjepsëse saqë po shikoja përreth për të gjetur burimin e tingujve që po dëgjoja. Megjithatë, është interesante të kuptohet se gratë në mbarë botën kanë frikë të ngjashme dhe të njëjtat instinkte kur bëhet fjalë për mbijetesën.