Skip to main content

Nga Ivana Bilić

MILLOSHEVIQ NË ISHULLIN E ËNDRRAVE

​​Dijana Millosheviq, regjisorja nga Serbia solli diçka të re për publikun në Gushtericë të Graçanicës. Performanca “Njëzet e pesë gota verë” përfaqësojnë njëzet e pesë vitet e Teatrit Dah. “Disa nga vitet e mia (gotat) ishin gjysmë plot, dhe të tjera ishin gjysmë bosh”, thotë regjisorja. Çdo gotë kishte historinë e vet. Një histori personale. Historia nisi nga ideja e një teatri të vogël të pavarur në fillim të viteve nëntëdhjetë.

Në pranverën e vitit 1990, Dijana e re dhe entuziaste dhe shoqja e saj Jadranka morën një ftesë nga Teatri Odin nga Danimarka për të marrë pjesë në një punëtori teatrore tre javore. Që aplikimi i tyre të plotësohej, ata kishin nevojë për dikë që kishte një numër faksi, të cilin e gjetën përmes shokut të një shoku. Konfirmimi nga Danimarka u dërgua me faks, por ato duhej ta merrnin personalisht në restorantin e klubit të futbollit Crvena Zvezda (Ylli i Kuq). Atyre iu duk paksa e çuditshme që letra e tyre u transmetua në klubin që ishte një vend grumbullimi i nacionalistëve dhe kriminelëve të lidhur me rrethet ushtarake dhe paraushtarake. Por, përgjigja që prisnin ishte më e rëndësishme.

Doli se sekretarja që mori faksin e tyre punonte për disa biznesmenë në klub. Dhe vetëm për shkak se Dijana ndan mbiemrin e saj – “mbiemër shumë i zakonshëm në Serbi” – me atë që do të bëhet një nga njerëzit më të përbuzur në historinë moderne, ajo ishte e ftuar në intervistën informative me disa nga drejtuesit e grupeve paraushtarake që përgatiteshin për luftë, për të parë se për kë po punonin. Ajo u shpjegoi se si projekti i tyre teatror ishte kundër luftës. Biznesmenët e mëdhenj dhe truprojat e tyre qeshën me dy artistet e reja të teatrit.

Dijana vazhdon me historinë e vitit 1991 për verën e saj të fundit në ishullin kroat Shipan ku do të pushonin dhe do të krijonin zyrtarisht grupin e tyre teatror. Ky ishte ishulli i ëndrrave: ata ëndërronin për punëtori me trupën e tyre të re teatrore. Por, më pas erdhi momenti që ajo mësoi se ata nuk ishin më një komb. Ato nuk ishin më të mirëpritura atje, dhe kjo nuk ishte e gjitha. Ndaj tyre u hodhën gurë. Sepse ato ishin serbe. “Ne u bëmë ‘tjetri’, pa e ditur.” Ato u ndaluan kudo.

KROASANTË PËR MËNGJES

Në vitin 1993, ajo u ftua për të marrë pjesë në një Festival në Liège, Belgjikë. Gjatë mëngjesit, teksa shërbenin kafe dhe kroasantë, nikoqiri i tyre u tha se duhej të largoheshin. Ajo kuptoi se ishin nga Serbia dhe priste mysafirë nga Bosnja. “Duke u larguar, ne ndjemë turp, tërbim dhe pafuqi, ndërsa përpiqeshim të shpjegonim se ishim kundër politikës kriminale që po udhëheq vendi ynë dhe se organizuam shfaqjen e parë teatrore kundër luftës në qendër të Beogradit, të rrethuar nga njerëz me uniforma.” Më pas ajo ia dha gotën një personi në audiencë.

ZANA HOXHA DHE LUGINA E VUAJTJEVE TË SAJ

Dijana ndau një histori shumë personale të takimit me Zana Hoxhën, regjisore dhe drejtoreshë e Artpolis dhe Festivalit FemArt, e cila erdhi në Beograd me shfaqjen që ajo drejtoi, e cila ishte dëshmi e vuajtjeve të grave gjatë luftës në Kosovë.

Që nga ajo kohë ato janë takuar disa herë në Beograd dhe Prishtinë, dhe më 2016, ato morën pjesë në Festivalin Transit në teatrin Odin në Danimarkë. Gjatw drekws ato biseduan gjatw dhe Zana tregoi historitw e saj tw luftws. Dijana ishte e pwrlotur kur njw kolege e tyre iu afrua duke i pyetur “a nuk duhej ta urrenit njëra-tjetrën?!”. Regjisorja shqiptare dhe ajo serbe i hodhën një vështrim  dhe u përqafuan me njëra-tjetrën.

FUQIA PËR TË SHËRUAR

Dijana Millosheviq me ligjëratën dhe performancën e saj foli se si ajo dhe grupi i saj teatror u kërcënuan. Serbët u kërcënuan. Në emër të tyre u bënë luftëra. U ndërruan regjimet. Madje edhe emri i vendit të tyre u ndryshua. Ata nuk ishin të mirëpritur askund vetëm sepse ishin “tjetri”.

Megjithatë, ajo vazhdoi të bënte atë në të cilën besonte. Ajo dëshmoi fuqinë e teatrit për të shëruar, për të treguar histori që do të bëhen të rëndësishme edhe për ata që nuk i kishin përjetuar. Ajo bëri shfaqje që sollën paqe dhe pajtim me vendin e saj të dikurshëm. Sipas saj, teatri na bashkon të gjithëve në të njëjtën hapësirë. Edhe njerëzit që nuk mendojnë domosdoshmërisht njësoj. Ajo pa se në publik kishte njerëz që nuk ishin shumë dakord me atë që mendonte, por vendosi t’u jepte një gotë verë dhe në fund t’i ftonte të vallëzojnë. Të vallëzojnë së bashku. Regjisorja e teatrit vazhdoi të besonte se të krijosh teatrin do të thotë të krijosh kuptim që sfidon dhunën dhe pakuptimësinë.

ENIGMA E REVOLUCIONIT

“Nëse hedh një gur, është një shkelje e dënueshme. Nëse hidhen 1000 gurë, është veprim politik.’ Urlike Meinhoff.

Kjo shfaqje u zhvillua një ditë më pas në Prishtinë, më 20 Qershor. Një shfaqje interaktive me pjesëmarrjen e plotë të publikut ishte një mjedis mjaft intrigues në tri skena në Teatrin Oda. Pikërisht kjo shfaqje pasqyron edicionin e këtij viti të FemArt dhe flet për revolucionin. Ka disa pyetje thelbësore sipas regjisores Dijana Millosheviq: ‘A janë revolucionet të vërteta? A ekzistonin ato?’ Duhet të pyesim veten. Ku fillojnë revolucionet? Me kë?

TË GJITHË FLASIN PËR MOTIN. NE JO!

Spektatorët hyjnë në sallën kryesore të teatrit dhe në hyrje një grua me këmishë të bardhë dhe dorashka të zeza u shpërndan një letër me kod. Pasi ulen, të gjithë mirëpriten nga mikpritësi i tyre duke thënë se prova mund të fillojë. Më pas, dy protagonistë e ndajnë publikun në dy grupe në bazë të fjalëkalimeve që kishin dhe që u shpërndanë në hyrje.

Ata i trajtojnë si masa në revolucione. Njerëzit largohen nga skena qendrore dhe një grup shkon drejt hollit, ndërsa një tjetër në skenën lartë. Ata ulen të gjithë, duke pritur me padurim për të parë se çfarë do të ndodhë më pas. Aktorët flasin kryesisht në serbisht, por mund të dëgjohet edhe spanjollisht, polonisht, rusisht, anglisht dhe pak frëngjisht. Me ndërhyrje shumë minimale skenografike, spektatorët ftohen të zgjedhin një revolucion nëse duan ose nuk e zgjedhin fare. Synimi i shfaqjes është t’i japë hapësirën audiencës, ku ata nuk janë më vëzhgues të thjeshtë, por aktorë apo bashkëpunëtorë të mundshëm.

PERSONALJA ËSHTË PUBLIKE

Performanca referon shumë tekste filozofike nga Bertold Brecht, Noam Chomsky, Pablo Neruda, Camilo Cienfuegos, Fanny Kaplan, Daniil Kharms, Rosa Luxemburg, Vladimir Mayakovsky, Ulrike Meinhof dhe të tjerë. Ky proces zbulon idetë, iluzionet dhe pasionet e atyre që besuan në një revolucion dhe një botë më të mirë. Disa nga citimet e tyre i shpërndahen audiencës të shkruara në copa letre, për t’i bërë ata që të angazhohen, reflektojnë dhe vënë në dyshim përkufizimet e tyre.

Kush është një revolucionar? “Revolucionari përçmon opinionin publik. Ai duhet ta mësojë veten me torturë.’ Ata shpërndanë përkufizimet nga Katekizmi i një Revolucionari të Neçajevit: “Revolucionari ka thyer të gjitha lidhjet që e lidhin me rendin shoqëror dhe botën e qytetëruar me të gjitha ligjet, moralet dhe zakonet e saj.”

Pastaj, ka një raund tjetër citatesh, derisa të shpërndahen të gjitha gazetat, duke dërguar mesazhin përfundimtar për kryengritjen e përgjithshme, me shkronjë të madhe: ‘Shoqata jonë do të përdorë të gjitha burimet dhe energjinë e saj për të shtuar dhe intensifikuar të këqijat dhe mjerimet e njerëzve, derisa më në fund t’u shterohet durimi dhe ata të jenë të shtyrë drejt një kryengritjeje të përgjithshme.” Ky grup aktorësh largohet, që të tjerët të vijnë dhe të vazhdojnë me një nëntemë tjetër. Ata praktikisht qarkullojnë në të dy dhomat me spektatorë të ndryshëm, por të gjithë kanë të njëjtin mesazh. Personazhi i Urlike Meinhoff hyn në skenë dhe dërgon thënien e saj të famshme për protestën: ‘Protesta është kur them se refuzoj të vazhdoj me këtë. Rezistenca është kur sigurohem që të gjithë të tjerët dallojnë së bashku.’ E gjithë kjo shfaqje me audiencë përfundon me një shpërndarje përfundimtare të një letre për çdo spektator, për të krijuar një slogan shumë të famshëm feminist ‘Personalja është Publike’. Publiku më pas ftohet të kthehet në sallën kryesore për të vazhduar provën.

Rrofshin Revolucionet dhe Kultura Pop!

Kjo begati referencash revolucionare ishte në kontrast me referencat e kulturës pop me Lady Gaga, Camila Cabello dhe Boney M. Aktorët numërojnë të gjitha revolucionet e mundshme dhe i japin audiencës zgjedhjen për të zgjedhur atë që ju pëlqen. Revolucioni i Shkurtit! Rroftë Revolucioni i Tetorit! Rroftë Revolucioni Francez! Rroftë Revolucioni Kuban! Rroftë Pranvera Arabe! Revolucioni Tunizian! Revolucioni Egjiptian! Revolucioni Libian! Rroftë Revolucioni i Kongos. Grusht shteti në Greqi! Grusht shteti në Spanjë! Rroftë Intifada e Dytë dhe para saj Intifada e Parë! Rroftë 5 Tetori! Grusht shteti turk! Rroftë Revolucioni i Krajinës! Pastaj ata zgjedhin Revolucionin Francez për të thënë diçka për të. Ata zgjedhin Bad Romance të Lady Gaga-s si një melodi për tekstet e tyre të liberté, égalité and fraternité (lirisë, barazisë dhe vëllazërimit), ndërsa mbanin bukën në duar.

Teksa flisnin për Revolucionin e Shkurtit dhe Tetorit, pas disa fakteve dhe informacioneve historike, ata vazhdojnë me Rasputin nga Boney M. Ndërsa njëri nga aktorët fliste për Kubën, të tjerët këndonin me zë të ultë Havana nga Camila Cabello. Regjisorja shkoi thellë në të kaluarën përmes fakteve historike për ta ndërthurur atë me kulturën pop nga fundi i viteve 70-ta, deri te hitet e fundit nga 2009 dhe 2018. Zgjedhje shumë befasuese e elementeve historike, revolucionare dhe moderne, dhe elementeve bashkëkohore, dhe në të njëjtën kohë e zgjuar, që nuk la askënd indiferent. “Ose je pjesë e problemit ose je pjesë e zgjidhjes.”

Ivana Bilić (Sarajevë, BeH) është praktikante në Artpolis me ç’rast do të kryejë kërkimin e saj mbi rolin e artit skenik në ndryshimin shoqëror. Ajo është përkthyese në anglisht, frëngjisht dhe boshnjakisht. Ajo është studente për të drejtat e njeriut me interes të veçantë për të drejtat e grave, minoritetet dhe LGBT+.