Skip to main content

Nga Ivana Bilić

Dita e 10-të e Festivalit FemArt, 23 qershor 2022, u përmbyll me emocione goditëse të kundërta në formën e saj më të pastër. Dy shfaqje, me dy ekstremet e emocioneve njerëzore, bashkohen në një pikë të përbashkët – njohjen e jetës. Njëra flet për dhimbjen dhe vuajtjet njerëzore dhe tjetra për gëzimin dhe festën e jetës.

ORA E VDEKJES

23 Qershor, 2022

Burgu i Prishtinës. Gjendet në qendrën e qytetit. Shkova me organizatorët dhe shoqërinë, sepse nuk mund ta gjesh në Google Maps. Ne hyjmë në ndërtesë. Që tani është shndërruar në Muze. Dua të them, nuk është shndërruar fare: gjithçka është aty, e paprekur, e vërtetë, drithëruese. Në qeli ka të burgosur, duke goditur, bërtitur, duke lëshuar zëra të çuditshëm. E dija që janë aktorë, por ishin shumë bindës. Sikur fantazma nga e kaluara. Korridoret e gjata shterpe dhe të rrënuar të çojnë në oborrin kryesor ku do të zhvillohet shfaqja. Shikoj lart: kulla të larta, tela me gjemba, qielli fillon të errësohet. Një grua hyn në skenë, lan këmbët dhe më pas ua jep atë ujë të burgosurve për të pirë. Unë nuk i kuptoj fjalët. Por, i kuptoj lëvizjet, konfliktin, torturat që ata durojnë. Dhimbja e tyre përshkon palcën time kurrizore.

Ky është një rrëfim për të burgosurit politikë në Shqipëri dhe Kosovë; në Shqipëri gjatë regjimit të Enver Hoxhës dhe në Kosovë gjatë regjimit të Millosheviqit. Nuk kishe nevojë të kuptosh fjalët për të kuptuar heshtjen dhe skenat pa fjalë të torturës dhe përdhunimit. Disa skena më kthyen mbrapa, diçka që njerëzit e mi e përjetuan, në një kontekst dhe në një kohë tjetër. Në njërën nga këto skena, gardianët po shpërndajnë cigare për të burgosurit. Dhe pastaj erdhën disa fjalë në serbisht. Ato i kuptoj. “Ne nuk jemi bushtra. Ja”, dhe cigaret fillojnë të bien nga kulla. Dhe pastaj roja tha: “A jemi gati”? E dija saktësisht se çfarë do të ndodhte më pas.

KTHIM NË KUJTESË

11 korrik 1995

Ratko Mladić hyn në Srebrenicë, duke sjellë çokollata dhe ëmbëlsira. Dhe gënjeshtra. Ai sigurohet që bujaria e tij të filmohet ndërsa shpërndan dhurata dhe thotë se gjithçka do të jetë në rregull. Një nga djemtë nga video ka shpëtuar. Vetëm për të zbuluar se disa momente pas kësaj, i njëjti person do të drejtonte ekzekutimet masive të më shumë se 8000 burrave dhe djemve, njëri prej të cilëve ishte edhe babai i tij.

Tani, kthehemi në burg në fund të skenës. Ndërsa të burgosurit kërkojnë çakmakët si të çmendur për t’i shijuar një cigare, unë po përgatitem për momentin e parashikuar. Një fjalë të fundit e di që dikush do të thotë. Dhe erdhi: “PUCAJ” (QËLLONI). Dhe të gjithë ranë përtokë pa lëvizur.

8 prill 2021

Jam në shtëpi, duke u përgatitur për të interpretuar njëkohësisht varrimin e gjeneralit Jovan Divjak. Është ende pandemi dhe ne po punojmë përmes Zoom. I kam marrë fjalimet paraprakisht dhe kam dy ditë që po qaj. Por, tani unë do të dal drejtpërdrejt dhe nuk mund të qaj. Unë duhet të jem e fort.

Në maj të vitit 1992, Jovan Divjak thërret disa herë “NE PUCAJ” (MOS QËLLONI) për të parandaluar vrasjet e ushtarëve serbë që tërhiqeshin nga kazerma e rrethuar e JNA-së. Mos gjuaj. Mos gjuaj. Mos gjuaj. Jovan Divjak ishte një gjeneral serb i Ushtrisë Boshnjake. I lindur në Beograd, zgjodhi të qëndrojë në Sarajevë. Për të mbrojtur Sarajevën dhe Bosnje-Hercegovinën. Një Boshnjak dhe Hercegovin i vërtetë. I famshëm për thënien “mos qëlloni” në vend të “vritni”.

Dola nga burgu e tronditur thellë. Kishte shumë gjëra për t’i procesuar. Mora pak kohë për të kuptuar se çfarë ndodhi atje dhe çfarë ndodhi në të kaluarën time dhe çfarë po ndodh në kokën time. E kuptova se është një fjalë që mund të vendosë për ju se në cilën anë të historisë do të qëndroni kur pluhuri të qetësohet. NE (pucaj). MOS (qëlloni).

FESTIMI I JETËS ME FLAMENKO BALETIN “LUXURIA”

Flamenko është një kërcim që përdor një spektër të gjerë emocionesh: nga melankolia dhe trishtimi tek pasioni, dashuria dhe intimiteti. Performanca nisi me ritëm të ngadaltë. Çfarë ka përgatitur sonte grupi “Luxuria”?!

Shumë gjëra kam pasur nevojë t’i procesoj në këto dhjetë ditë. Shumë emocione, ndjenja, takime, histori të reja, miq të rinj. Duket se gjithçka bëri jehonë në meloditë e para që mund të dëgjojmë sonte. Disa kërcimtarë hyjnë në skenë. Ata kërcejnë me disa lëvizje dhe më pas kthehen. Dëgjojmë sërish muzikë. Pastaj një balerin tjetër del jashtë dhe ai fillon të përshpejtojë hapat. Ai vallëzon me këpucë, kthen në mënyrë ekspresive krahët, ambienti nxehet dhe publiku fillon të brohorasë “ole”. Një solo e mrekullueshme! Fuqia madhështore e trupit të njeriut! Magjia vazhdon pothuajse deri në mesnatë. Valltaret me fustane të bukura i bashkohen balerinit kryesor në skenë dhe përsërisin disa herë: Nuk ka mbaruar! Ajo zgjati edhe kur mbaroi, pasi të gjithë interpretuesit – këngëtarët, muzikantët dhe kërcimtarët magjepsën publikun në solo a capella, të ndjekur nga duartrokitjet deri në fund.

Zana Hoxha, drejtoresha e Festivalit, e mbylli eventin duke falënderuar të ftuarit nga Spanja, publikun dhe duke ftuar çdo anëtar të ekipit të Artpolis që ta vlerësojë publikisht punën e tyre. Kishte shumë emocione për dhjetë ditët e festivalit me një program mjaft të pasur. Zana më pas bëri thirrje për një minutë heshtje për të shënuar vdekjen e papritur të mikeshës, artistes dhe gruas shumë të guximshme, Vjosa Berisha, që tronditi të gjithë ata që patën rastin ta njihnin. Këtë mbrëmje të gjithë u ngritën së bashku dhe nderuan shpirtin e saj luftarak, qëndresën, dashurinë dhe pasionin për artin. Ne ishim dëshmitarë të fuqisë revolucionare të artit dhe fuqinë e tij për të shëruar. Një evolucion i pafund!

Ivana Bilić (Sarajevë, BeH) është praktikante në Artpolis me ç’rast do të kryejë kërkimin e saj mbi rolin e artit skenik në ndryshimin shoqëror. Ajo është përkthyese në anglisht, frëngjisht dhe boshnjakisht. Ajo është studente për të drejtat e njeriut me interes të veçantë për të drejtat e grave, minoritetet dhe LGBT+.