Skip to main content

Nga Johanna Mertinz

Më 15-21 Maj, 2023 në Prishtinë dhe Mitrovicë, Republika e Kosovës ka zënë vend edicioni i 11-të i festivalit të parë feminist në Ballkanin Perëndimor – “FemArt – Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve”. Një festival që ndërthurë artin dhe aktivizmin për transformime pozitive shoqërore; ndërtim të paqes; barazi gjinore dhe fuqizim të grave. Për më shumë se një dekadë FemArt ka qenë një hapësirë e lirisë, emancipimit, rrëfimeve jetësore, kuriozitetit dhe magjepsjes së pafund.

Ishte nëntori i vitit 2022 kur për herë të parë dëgjova për FemArtin përmes themelueses dhe drejtores ekzekutive të Festivalit, Zana Hoxha, që poashtu është regjisore teatri dhe e kam takuar në Izrael. Të dyja ishim pjesëmarrëse në Isra-Drama dhe shikuam së bashku shumë shfaqje teatrore në Tel Aviv dhe Jerusalem dhe nuk doja ta humbisja nga sytë këtë grua mbresëlënëse. Ky ishte fillimi i një udhëtimi për të “kallur frikën time”, që do të ndodhte gjashtë muaj më vonë.

Fatkeqësisht, për shkak të shumë takimeve kam mundur të jem dëshmitare në vetëm tre ditët e fundit të Festivalit, por mjaftueshëm për të prekur fuqinë e artit dhe aktivizmit.

 

KALLJA E TUTËS

Sa më shumë afrohej dita për të udhëtuar në Kosovë, aq më shumë rritej frika brenda meje.

Shumë pyetje më pushtuan mendjen, gjithashtu lindën shqetësimet e familjarëve dhe miqve të mi; Çfarë do të bëni në Kosovë? … A nuk është e rrezikshme atje? … Në asnjë rrethanë nuk duhet të hyni e vetme në taksi … Kush kujdeset për ju atje? … Kontaktoni ambasadën në çdo rast pasi nuk dini asnjë fjalë të gjuhës shqipe atje … Ish-Jugosllavi, dhe si është situata politike? …etj.

Rastësisht, motoja e këtij edicioni të Festivalit FemArt ishte “Kalle Tutën”, që ishte një thirrje për të lejuar të lindë e reja, guximi dhe dashuria. E gjithë jeta ime udhëhiqej dhe ende udhëhiqet nga kurioziteti. Kjo më ka çuar në shumë përvoja të mëdha në jetë, dhe kjo nuk ishte përjashtim. Më duhej të bëja një hap përpara, si grua, si artiste, si aktiviste dhe të “kallja tutën”!

Kështu, të enjten e 18 majit, në mesnatë, u ula në aeroplan, pas një dite të gjatë pune një fluturim të shkurtër të këndshëm 1 ½ orë në AUA dhe aty qëndronte Berat Bajrami! Kontakti im i besueshëm për ditët në vijim, i cili më shoqëroi me taksi në Hotelin Internacional të rezervuar nga FemArt, pak jashtë qendrës së qytetit, i bukur dhe i këndshëm. Më dha kupona për ushqim; e organizuam të vinin të nesërmen në orën 15:00 për të më marrë.

Mëngjesi i 19 majit, ishte një eksplorim i shkurtër i rrethinës së hotelit, në orën 15:00 më priste një e re (Valëza Sijarina), koordinatore e projektit në Artpolis.

Ajo më tregoi rreth qytetit, ndërtesën gjigante të pabesueshme të Bibliotekës me dizajnin unik të fasadës, të cilën mund ta shihja edhe nga brenda, vizituam dy xhami, hëngrëm supë me domate dhe pulë me oriz dhe folëm për vendet tona, për mikpritjen e familjen, kapitalizmin që mbizotëron gjithçka në Austri dhe vështirësitë e përditshme në Kosovë, i vetmi vend në Evropë ende pa liberalizim të vizave!

Nuk më duhej të “kallja” në mënyrë aktive frikën time për Prishtinën, ato thjesht u shkri, të gjitha frikët e mia ishin zhdukur.

Jo vetëm t’i kallim, por duhet t’i përballojmë, t’i emërtojmë çdo ditë, të bëjmë një libër frikash, një ditar të frikës suaj dhe më pas t’i kapërcejmë ato. Ka kaq shumë forma frike dhe kaq shumë forma të përballimit. Një prej tyre sigurisht është ta prezantosh, ta përballosh në shfaqje, në teatër, përmes muzikës. “Thjesht bëje” ishte mësimi im dhe doli të ishte një përvojë e mrekullueshme dhe e përjetshme.

ARTI DHE AKTIVIZMI – FUQI SHËRUESE PËR NDRYSHIME SHOQËRORE

Programi i edicionit të 11-të të Festivalit, të cilin fatkeqësisht e pashë vetëm tre ditët e fundit, ishte një pasqyrim i vizionit dhe misionit të Artpolis dhe FemArt: feminizëm, drejtësi, emancipim, humanizëm dhe besnikëri.

Zanën e kam takuar disa herë gjatë këtyre ditëve në Kosovë. Sa fuqi dhe vizion ka kjo grua. Zana jeton dhe realizon atë që ëndërrojnë mijëra artistë të tjerë. FemArt është një pasqyrim i personalitetit të saj. Sa punë, këmbëngulje qëndron pas saj?! Sa shumë planifikim, dhe në fund ne mund t’i shohim dhe përjetojmë këto përpjekje në realitet. Një shqetësim social realizohet përmes artit. Sa shumë e admiroj! Biseduam për plane të reja, Zana do të interpretojë në Kosovë “Trojanet” të Euripidit, unë do ta interpretoj në Klagenfurt, një shfaqje madhështore kundër luftës që ishte luajtur në vitin 415 p.e.s. Do të doja shumë që Zana të vinte në Klagenfurt në gusht për të parë interpretimin tim të “Trojaneve”, dhe shpresoj se do të shihemi sërish së shpejti…

Nëpërmjet shfaqjeve teatrale, koncerteve, filmave dhe një drag show, FemArt po thyente normat shoqërore, kufijtë dhe stigmën gjatë tre ditëve të fundit të Festivalit.

Shfaqja teatrore “Deni dhe Deti i Thellë i Kaltër” në Teatrin Dodona ishte një skenë e qartë, e thjeshtë, një grua, një burrë, të bashkuar në vetëshkatërrimin dhe ndjenjën e pavlefshmërisë, por gjithmonë me një dritë shprese atje. Ishte një lojë e shkëlqyer, trajtimi i marrëdhënies mes këtyre dy njerëzve… një ndjenjë! Më pas pashë “Gruaja dhe Jeta” në Teatrin Oda. Një prodhim polak për solidaritetin dhe lirinë në çdo marrëdhënie. Bashkohuni – jini të forta.

Më 20 maj ishte koha për të parë dy filma të mëdhenj feministë: “Ka me Kalu” – aktorë shumë të mirë, të ndjeshëm, në mënyrë jo flagrante u trajtua tema e një traume familjare, tejkalimi i frikës që lindte… pa marrë parasysh se ku vraponi, jeta ju ndjek. Pastaj “Vera Andrron Detin” – çfarë aktore e mrekullueshme në rolin kryesor. Lufta e saj pjesërisht joverbale kundër frikës dhe mosbesimit në një familje ende të sunduar nga modelet patriarkale u portretizua në mënyrë mbresëlënëse.

Shfaqja teatrore “Molly” në Teatrin Kombëtar, pa titra në anglisht, por mendoj se do ta gjej shfaqjen e Brian Friel-it, ajo duhet të shfaqet edhe në zonën gjermanishtfolëse. Ky ekzaminim i vështirë i procesit të të qenit e verbër që në lindje dhe papritmas duke u katapultuar nga një operacion në perceptimin e kësaj bote. Temë shumë e mirës.

Pas kësaj drag shoë “VAV – Shndritja e Triumfit Autentik”, lokacioni Servis Fantasia, i mbushur me atë që tashmë është parë, përjetuar. Shumë njerëz, performanca nisi rreth orës 22:00, u vonua pak. Kështu, u ula në një tavolinë jashtë, pashë që vinin drag queens Victoria, Vanessa dhe Agatha, ato donin të bënin një provë të shkurtër më parë … dhe më pas nuk gjeta vend! Ishte mbushur plot dhe isha shumë e vogël për të parë nga larg. Prandaj, ishte më shumë një përvojë emocionuese akustike. Në një moment rashë në shtratin tim të hotelit plotësisht e impresionuar shumë.

Zjarri i teatrit, filozofisë dhe muzikës përmbylli “Kalle Tutën” në ditën e fundit të Festivalit.

Shfaqja teatrore “Njeriu i tepërt- Oblomov”, me regji të Jehezkel Lazarov, në Teatrin Oda ishte një shfaqje mbresëlënëse e trupës izraelite, jashtë – poshtë një shkalle të gjatë, kostume të kuqe, hyrje filozofike në ndërveprim me publikun. Oblomov – një simbol i këmbënguljes së vazhdueshme në mosveprim, letargji, përtacisë letargjike të personazhit të titullit Oblomov nga romani më i famshëm i Ivan Alexandrovich Goncharov. Ne të gjithë kemi kohë pas kohe sulme të “oblomoverei” (gjermanisht: mos u bëj aq dembel) – destruktivitet për shkak të sjelljes joaktive ndaj rrethanave që duhen luftuar. Vendosa t’i kushtoj vëmendje aktorëve dhe jo rreshtave të tekstit në anglisht të futur shumë shpejt në këtë skenë përrallore. Edhe kjo dramë do ta meritonte të shfaqej në Vjenë – dje pashë një përshtatje të “Xhaxha Vanja” të Çehovit edhe këtu: Joaktiviteti është fatal!

Më pas koncerti përmbyllës, Rina Kaçinari Trio, në hapësirën alternative të Teatrit Kombëtar të Kosovës, aktualisht në ndërtim e sipër. E mahnitshme, fantastike. Tre muzikantë bashkohen në një re tingulli, një univers ritmi dhe tingulli. Unë rrallë kam dëgjuar një koncert kaq të lezetshëm.

Më pas fjalimi i Zanës dhe një duartrokitje pa fund… Më vjen keq për çdo ngjarje të këtij festivali që nuk e përjetova dot!

Në mëngjesin e 22 majit, më duhej të kthehesha në Vjenë. Kisha djegur një frikë tjetër dhe në këmbim kisha marrë përshtypjet e njerëzve, artistëve dhe botës.

Unë kurrë nuk do ta harroj këtë. Jam mirënjohëse dhe në dashuri me të gjithë anëtarët e FemArt Festival 11. Shpresoj të shihemi së shpejti në Vjenë dhe vitin e ardhshëm sërish në Prishtinë!

Johanna Mertinz është aktore austriake në teatër, televizion dhe film. Mertinz është gjithashtu mësuese në Qendrën e Artit Performues në Vjenë – Departamenti i Aktrimit, Magjistër dhe PhD (Doktor i Filozofisë në Universitetin e Muzikës dhe Arteve të Bukura të Vjenës). Ajo shkroi 2 libra të botuar nga Mandelbaum Verlag. Johanna është nënë dhe gjyshe.

 www.johannamertinz.at