Nga Gili Hoxhaj
Mikpritja e ekipit të FemArt ishte në sinkron, që nga hapat e parë në oborr të sallës AMC. Rruga përshkohej nga autobusët e verdhë e taksitë e kaltër. Njerëz entuziastë. Ishte një hapësirë për tu takuar me njerëz që besojnë dhe e përkrahin aktivizmin – që besojnë në një mendje të hapur. Fytyra të buzëqeshura vullnetaresh hetohej se pjesëmarrjen po e vlerësonin si përvojë të rrallë. Programin ta ofronin me entuziazëm që lexohej edhe pa fjalë. Pak hapa tej në sallën e AMC Hall gjithçka ishte mjegulluar tashmë dhe tek aty të lejonte disa përqafime e shprehje gëzimi për të dëgjuar grupin që e renditi Shqipërinë në top dhjetëshe në Eurovisionin e vitit 2025, duke arritur një nga rezultatet më të mira në historinë e saj në Eurovision. Shkodra Elektronike u bë lajm kudo muajt e fundit për një performancë origjinale e të guximshme. Me “Zjerm” u fol si një baladë shpirtërore e maskuar në techno e vlerësimi pozitiv pati sidomos për mënyrën sesi tradita shqiptare u integrua në një format modern evropian, pa u humbur identiteti kulturor. Pas kësaj fitore, në Prishtinë erdhi si festë për përvjetorin e çlirimit të Prishtinës dhe si vallëzim me moton e Festivalit ndërkombëtar i artisteve dhe aktivisteve “FemArt për të çliruar veten sepse veten mund ta çlirosh veç kur ke çliruar mendjen.
Duartrokitjet ishin sinjal i parë teksa muzikantët e Korit Isopolifonik filluan këngën nga skaji i skenës. Veshjet e tyre e kënga e sollën jugun e Shqipërisë në Prishtinë, pjesa veriore ishte në ADN-në e vetë grupit që do të këndonte. Kur në skenë doli këngëtarja dhe kantautore shqiptare Beatriçe Gjergji duket sikur zjarri u ndez. Ajo erdhi si siluetë. Dhe më pas maska u hoq e ajo e pa drejt në sy publikun dhe nisi komunikimin me ta.
“O Zot sa jeni. Ashte ner e madhe me e hap edicionin e parë të FemArt – Këtë festë fantastike, hajde ta vazhdojmë”, u bëri thirrje ajo mbi 1 mijë vetave sa ishin në këmbë e vallëzim në publik.
“Po të jemi bashkë ne të dy” se kisha dëgjuar me kaq shumë elektrizim dhe elegancë. Me vallëzim tejet ekstravagant. Ashtu siç ishte krejt mbrëmja, një lidhje me rrënjët trashëgiminë dhe një përjetim i eksperiencës moderne nga dyshja Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca. Publiku do t’i shijonte krejt llojet e vallëzimeve teksa grupi kalonte në ritme të ndryshme nga skena. Beatriçja shtroi një pyetje më pas “A e njihni një kangë që e ka emrin “Turtulleshë”?, përgjigjen e mori kur publiku e këndoi njëzëri me të.
“Turtulleshë, turtulleshë…Ç’ma ke çu’ shpirtin peshë!”, e çoi peshë publikun edhe pas kësaj me këngën që erdhi premierë “Stuhi” – gjithçka shpërthente në festë e revoltë. Taman stuhi. Vallëzim jo i njëtrajtshëm e plot ritëm. “Come in my boat, welcome mire se vjen, let’s cross the sea in fifty degrees” – në këndim të Kolës sikur i përafroi edhe më shumë me publikun deri te refreni “Vaj si kenka ba dynjaja”. Janë këngë që secili i di dhe me Shkodrën Elektronike secili mëson t’i ripërjetojë dhe t’i dëgjoj e këndoi më ndryshe.
Kënga “Zjerm” ishte ajo që e elektrizoi mbrëmjen. Kënga që na bëri ta brohorasim përtej ekranit gjersa garonte në skenën që lidhte kufijtë e kontinentit dhe e kishim dëgjuar sa e sa herë, tingëllonte ndryshe nga skena që e hapi festën e “FemArt”. Këngëtarja kryente misionin e saj krejt përnjëherë me vallëzim energjik, me këndim preciz e plot ritëm dhe bashkonte duart me ato të publikut. Një gjë u garantua – kjo këngë ishte bërë një himn shpirtëror. Dhe publikut s’i mjaftoi ta dëgjoj veç njëherë. Dhe “Shkodra elektronike” nuk e refuzoi kërkesën që erdhi prej publikut. I bëri ta përjetojnë dy herë “Zjermin” me po aq energji për të dëshmuar që kjo këngë pafund herë dëgjohet si për herën e parë. “Njerëz’t e mirë e njerëz’t pa emër, kërcejnë valle n’shpirt” – ishte kjo fjalia që po e merrte kuptimin e vetë teksa festa u hap, për ta reflektuar këtë në gjashtë ditët në vijim të FemArt-it. Beatriçja falendëroi organizatorët në mënyrë unike: që vazhdojnë më besu në andrra dhe dashni. Kjo formë e besimit duket sikur të mbush me jetë dhe sikur i bashkonte organizatorët, këngëtarët e publikun. Kur del nga salla e AMC krejt djers pas vallëzimit ke përshtypjen se “Çliroje mendjen” sikur se ndodhi.