Skip to main content

Gili Hoxhaj

Urimi i mirëseardhjes në disa gjuhë e bën një hyrje të furishme, një dalje dinamike, një goditje premtuese në botën e Kabaresë. Nëse diçka në art duhet të fillojë mirë për të të mbajtur, “Kabare 1999” e arriti në fillim. Të gjithëve të ulur përreth tavolinave elegante me mbulesë të kuqe u kërkohet t’i lënë hallet jashtë dhe të futen në botën e muzikës, në botën e vallëzimit, në botën e humorit dhe lumturisë. Një ftesë për të zbuluar vërtetësinë e kësaj lumturie. Dritëhijet e saj. Personazhet janë veshur mes të kuqes, të zezës dhe të bardhës. Kalojnë në një vit të ri ku lumturia dhe liria janë akoma fragjile. “Klub Europa” do të jetë klub përjetimesh e kontrastesh të forta. Është tipik një klub që kushdo që hyn, bën qejf. Vajzat prezantohen një nga një. Ato kryesisht defilojnë me vallëzim. Disa prej tyre as që dëgjohen. Flasin e të tjerët i bëjnë pazaret për to. Publiku u shkri me shfaqjen qysh në fillim të kësaj mirëseardhjeje. “Kabare 1999”, me regji të Zana Hoxhës, e cila pati një premierë të suksesshme në Teatrin e Qytetit të Gjilanit në shkurt të këtij viti, erdhi në Stacionin Kulturor që u hap të hënën në Prishtinë. Aty ku Artpolis tash do ta fokusojë aktivitetin e vet. Jo gjithçka do të jetë festë për afro një orë e gjysmë sa zgjat shfaqja. Disa dashuri lindin e disa pritje asnjëherë nuk marrin fund. Disa libra nuk shkruhen kurrë. Shfaqja është e vendosur në kohën e pasluftës në Kosovë. “Rrnoftë Kosova Republikë”, ishte dikur ëndërr të thirrej me zë të lartë. Kjo manifestohej në lojën e djemve ëndërrimtarë që tash kohën e çojnë në klube muzikore.

Aida Lara prezantohet si një vajzë nga Shkupi që me vete ka marrë një valixhe dhe ëndrrat e saj për ta shkruar një libër të ri në Prishtinë. Për fatin e një nëne që pret. Aida do bëhet emër që do të përmendet shpesh më pas. Disi e çrregullon jetën e klubit. Ajo vështron më thellë. Do të kthehet në bariste të një pronari italian, Claudio, i cili do t’ia shprehte dashurinë më pas duke thënë se “jam ndryshe nga këta këtu, kur them diçka e mbaj fjalën” – dhe pohon se e sheh në thellësitë e shpirtit, jo siç burrat i shohin gratë në klub – si trupa që harrohen pas një nate. Dudija në dhomën e saj pret shumë ushtarë. Afërdita, e cila është nikoqirja e dhomave ku qëndrojnë ato, vëzhgon dhe mllefoset, deri te një takim tjetër me Agimin, me të cilin do ta rindezë zjarrin e dashurisë që e çon deri te një martesë që kthehet në vdekjen e tij nga dëfrimi.

Në shfaqje interpretojnë Semira Latifi në rolin e Aidës, personazhit qendror, Kushtrim Qerimi si MC, Edon Shileku si Soni, Gëzim Bucolli si Ernesti, Aurita Agushi si Afërdita, Safete Mustafa Baftiu si Dudija, Gani Rrahmani si Claudio, Ali Demi si Agimi, Mejreme Berisha si Gruaja që kërkon të birin dhe Blend Arifi si Ushtari. Në shfaqje marrin pjesë gjithashtu balerinat Aulonë Nuhiu dhe Jeta Musolli, ndërsa muzika origjinale dhe këngët janë nga John Kander dhe Fred Ebb, me orkestrim nga Liburn Jupolli.

“Kabare 1999”, me regji nga Zana Hoxha, është një shfaqje muzikore që e zhvendos rrëfimin nga Berlini i viteve ’30 në Prishtinën e vitit 1999 – një qytet i sapodalë nga lufta dhe që po mëson të jetojë përsëri, mes shpresës, lodhjes dhe dëshirës për jetë.

Prishtina e pasluftës – qyteti ku gjithçka mund të ndodhë si në një kabare

Prishtina atëkohë, siç flet edhe shfaqja, është qyteti ku gjithçka mund të ndodhë. Regjisorja Zana Hoxha me këtë shfaqje arrin ta zgjidhë lëmshin me fijet e realitetit të asaj kohe. Të gjitha fijet i nxjerr me ngjyrat e veta. Është ky lëmsh që ka ndërtuar realitetin tash e sa vjet. Në kabare, në fund të ditës, të gjithë janë duke luftuar për pak para më shumë për të mbijetuar. Mes festave dhe dëshirës, bisedat ndonjëherë rëndohen. Rryma ndalet në mes. Bëhet aq natyrshëm sa nuk dihet a është pjesë e shfaqjes apo realitet. Mund të ndodhë edhe pas 26 vjetësh pas luftës, rryma të ndalet. Gjithçka mund të ndodhë në Prishtinë edhe sot. Publikut i kërkohet t’i ndezë qirinjtë. Regjisorja Shqipe Malushi cdo vit vjen nga Amerika pwr tw ndjekur festivalin “FemArt”. Ajo shkruan se Zana Hoxha sw bashku me Artpolis  janw udhërrëfyes për artistët, gjithmonë duke gjetur një derë të re për ta hapur dhe duke e ftuar komunitetin të kalojë përmes saj dhe kjo ishte njw mwnyrw e mrekullueshme pwr tw mbyllur kwtw edicion.

“Zana ka një dhunti të rrallë për të gjetur dritën pa u larguar nga errësira. Ajo e vendosi rrëfimin në Kosovën e vitit 1999, ku një nënë kërkonte djalin e saj të zhdukur dhe mungesa e energjisë elektrike mund ta zhyste papritur një dhomë në errësirë. Edhe aty, njerëzit gjenin mënyra për të qeshur, për të dashuruar dhe për të ëndërruar për të nesërmen. Nën drejtimin e saj, çdo shpërthim i të qeshurës dukej sikur mbante brenda vetes pak nga historia jonë”, ka shkruar ajo.

Shyhretja, gruaja që akoma kërkon një lajm për djalin që ia nxorën nga kolona, e ka akoma të ndezur qiriun e shpresës. Djalin e saj, Fatbardhin, e përshkruan si djalë që shëronte me këngë. “Ti ki me ma gjet djalin”, thirrja e shpresa e saj është realitet ndryshe. Shpreson që ai do të kthehet jo vetëm për të, por për t’ua kënaqur shpirtin të gjithëve me këngë. Një grua kishte pushuar së qari kur e kishte dëgjuar zërin e tij në një varrim.

“Kam filluar me i dashtë ëndrrat. E shoh çdo ditë, ia dëgjoj zërin e tij të ëmbël. Unë do të vazhdoj ta kërkoj Fatbardhin”, thotë ajo. Një burrë trupmadh ka kohë që e gënjen me përgjigjet të cilat ajo as s’di t’i lexojë. Ia dhuron dukatin e trupit në këmbim. Sepse, siç thotë shfaqja, edhe me të zhdukurit bëhen pazare të fshehta. Edhe mbi emrat e tyre. Siç pohohet në shfaqje: Dikush e blen heshtjen, dikush të vërtetën, dikush shet rrena dhe dikush e bën ndërmjetësimin e tyre.

Regjisorja Zana Hoxha e ka përshkruar vitin 1999 si një periudhë veçanërisht personale për të. Ajo e kujton atë kohë si një përzierje emocionesh: gëzimin e lirisë së sapofituar, por edhe dhimbjen, pasigurinë dhe kaosin që ende ishin të pranishëm. Prishtina, ndërkohë, po përpiqej të merrte frymë përsëri. Njerëzit kishin nevojë të dilnin, të dëgjonin muzikë, të dashuronin, të festonin dhe ta nisnin jetën nga e para. Ishte një etje e madhe për të jetuar. Por fundi i luftës nuk nënkuptonte se plagët e saj ishin zhdukur. Andaj kishte zgjedhur pikërisht atë periudhë.

“Familje të tëra jetonin mes shpresës dhe pritjes, pa ditur çfarë kishte ndodhur me më të dashurit e tyre. Dhe çështja e personave të zhdukur nuk ishte vetëm tragjedi personale – ishte dhe vazhdon të jetë një çështje thellësisht politike, një plagë e pambyllur e luftës. Në të njëjtën kohë, pas luftës u krijua një realitet tjetër i errët: trafikimi dhe shfrytëzimi i vajzave dhe grave. Kjo ndodhte në një shoqëri që tashmë kishte një mentalitet të fortë patriarkal. Për mua ishte shumë e rëndësishme ta shihja atë periudhë edhe përmes syve të grave, sepse shumë shpesh historinë e luftës dhe të pasluftës e kemi treguar përmes burrave, ndërsa përvojat e grave kanë mbetur në margjina. Kështu e mbaj mend unë atë kohë: kishte liri dhe gëzim, por kishte edhe shumë dhimbje, padrejtësi dhe gjëra për të cilat nuk flisnim. Dhe pikërisht prej kësaj kontradikte lindi për mua KABARE 1999”, ka treguar ajo.

“Edhe në kohët më të vështira njerëzit kanë qeshur, janë dashuruar, kanë dëgjuar muzikë, kanë vallëzuar, kanë bërë humor” – Zana Hoxha

Zana Hoxha në këtë shfaqje më shumë shtron pyetje sesa që jep përgjigje. Në të arrijmë të qeshim, të këndojmë këngën e “Dudijes” dhe prapë të kthehemi në një skenë të dhimbshme dhe ta shikojmë me fytyrë të ngrysur. Shfaqja të dërgon nga një skenë në tjetrën, pa ta bërë të dukshme këtë, pa të bërë të ndihesh në faj. Ky edhe ka qenë qëllimi i regjisores, e cila thotë se nuk ka dashur ta bëjë një shfaqje të rëndë për luftën, ku publiku që në minutën e parë e di se duhet të ndihet keq. Gratë nuk ka dashur t’i paraqesë vetëm si viktima, por si emra dhe personazhe që kanë dëshira, seksualitet, humor, zemërim, ëndrra dhe një forcë të jashtëzakonshme për të vazhduar përpara.

“Sepse jeta nuk ka qenë kështu. Edhe në kohët më të vështira njerëzit kanë qeshur, janë dashuruar, kanë dëgjuar muzikë, kanë vallëzuar, kanë bërë humor. Sidomos pas luftës kishte një nevojë të jashtëzakonshme për të jetuar. E mbaj mend atë energji. Prandaj muzika live, humori dhe kabareja nuk janë dekor në shfaqje. Janë pjesë e historisë dhe e mënyrës se si këta njerëz mbijetojnë. Publiku mund të jetë duke qeshur apo duke shijuar një këngë dhe, një moment më vonë, të përballet me zhdukjen e një personi, me trafikimin e një vajze, me dhunën apo me realitetin patriarkal të asaj kohe. Pikërisht ky kontrast më intereson. Humori nuk e zvogëlon dhimbjen. Përkundrazi, ndonjëherë e bën atë edhe më të fortë”, u shpreh tutje ajo.

Aurita Agushi në rolin e Afërditës personifikon një grua të fortë. Një grua që ende i vezullojnë sytë për dashurinë. Që jep pak nga ngrohtësia e shtëpisë për secilin, nga qortimi, nga respekti, mikpritja dhe çdo gjë tjetër. Kështu e pret edhe Aidën, që e prezanton si “profesoreshë”, kështu e qorton dhe Dudijen. Ajo ka një prezencë dhe një mishërim me rolin që e kthen në gruan e vetmuar, në gruan që rend pas dashurisë dhe gruan që e mban shtëpinë. Aurita ka treguar se personazhin e ka ndërtuar përtej tekstit, duke u përpjekur ta shohë si një njeri të vërtetë, me historinë, plagët, dëshirat dhe forcën e tij. Ajo që e ka afruar më shumë me personazhin është pikërisht ana e tij njerëzore – aftësia për të gjetur forcë për të jetuar, dashuruar dhe ruajtur dinjitetin edhe përballë vështirësive.

“Sfida më e madhe ka qenë të gjej ekuilibrin mes humorit, muzikës dhe dhimbjes së një kohe që për ne është ende shumë e gjallë. Të bësh publikun të qeshë, pa e humbur peshën e asaj që ka ndodhur, kërkon shumë ndjeshmëri. Për mua, “Kabare 1999” është pikërisht ai kufiri i hollë ku e qeshura dhe dhimbja bashkëjetojnë”, është shprehur ajo.

Zana Hoxha nuk dëshiron t’i japë publikut përgjigje të gatshme, por ta bëjë pjesë të përjetimit të shfaqjes. Përmes humorit, muzikës dhe energjisë së vitit 1999, ajo e fton publikun të reflektojë edhe mbi atë që ndodhi pas luftës: çfarë shoqërie filluam të ndërtonim, çfarë ndodhi me gratë, familjet e të zhdukurve dhe plagët që vazhduan të mbeteshin.

Për të, “KABARE 1999” nuk është nostalgji, por një mënyrë për ta parë të tashmen përmes së kaluarës dhe për të pyetur veten se sa kemi ndryshuar.

Jeta është kabare. Eja në kabare! Kështu thotë shfaqja. Jeta njëmend i ngjan kësaj kabareje, ku rrëzohesh dhe ngrihesh, ku kërkon dhe fsheh të vërtetat. Kjo shfaqje të bën të mërzitesh dhe të qeshesh, pa u ndjerë në faj për asnjërën. Të dyja duhen jetuar në momentin e duhur, në plotninë e tyre.