Skip to main content

Nga Gili Hoxhaj

 

Se një “Carmen” është e mahnitshme kur është tërësisht spanjolle u pa qartë në Prishtinë. Dhe publiku i “Femart” pikërisht me këtë ngjyrime e priti dhe e përqafoi. S’ishte një “Carmen” që dilte nga pallati mbretëror – skena me dujë kashte komunikonte me thjeshtësinë e një Carmeni të përjetimeve intensive. Ajo u zbërthye si një Carmen që identitet e ka lirinë. E gjitha pasion. Edhe e dëshmon që të gjitha përpëliten në fatin e njëjtë – në përpjekjet e njëjta kur duhet të përplasesh fort përtoke për të bërë jehonë. Për t’iu kundërvënë edhe fatit. Me këtë FemArti në edicionin e 12-të dha mesazhin e vetë se lufta për dashurinë dhe lirinë është e vetmja që s’mbaron. Edhe kur një dashuri mbaron, lind tjetra. “Carmen” nga Barcelona Flamenco Ballet erdhi krejt me motive spanjolle në “Klan Arena”, në mbrëmjen kur festivali hapi siparin e 30 aktiviteteve që kryefjalë e kanë femicidin e solidaritetin. “Carmeni” u vesh me plot ngjyra si historia e ditëve plot drama. Secila skenë e ngjyrë në vete ishte një ditë e re në horizontin e historisë që nëpërmjet skenës i mbijetoi kohës, si një shfaqje operistike që në fillimet e veta nuk është që u mirëprit, për vetë faktin e guximit për ta shfaqur një grua joshëse që nuk i nënshtrohet askujt pos dashurisë. As kur kërcënohet. Performanca nuk është vetëm dashuri – është luftë e vazhdueshme ku paqja është e brishtë. Dhe me fundin tragjik pushon gjithçka.

“Pa paqe nuk ka siguri. Qëllimi është thirrja për paqe dhe nevoja për të pasur një stabilitet më të madh. Si dhe thirrja për motërzim, tejkalimin e barrierave të brendshme dhe të jashtme pasi që baza e feminizmit është solidariteti dhe motërzimi dhe kemi dashur të thirremi në këtë qe të reflektojmë te ngjallim shumë dashuri, mirëkuptim – të bashkëndjejmë me paqen” – është mesazhi që e dha para gazetarëve drejtoresha dhe themeluesja e “FemArt”, Zana Hoxha.

Nuk po ndalëm te dashuria e Carmenit. Skena që janë të njëllojta kudo. Ashtu si përfundimi tragjik i mbështetur në drama xhelozie e fatalitet kur xhelozia s’mund të tejkalohet as me dashuri. Më me rëndësi e kisha mesazhin që personazhet përçonin kur ishin të vetëm në skenë. Veçmas Carmeni që tundej në një kozmos ku gëzimi dhe pikëllimi nuk ndahen.

Lëvizjet e takave krijonin fuqinë po aq sa instrumentet përballë. Ishte e sigurt kur mbahej për vetes. Në lëvizje të ritmit të fuqishëm, valltarët në skenë ishin tërësisht në sinkronizim. Sikur ajo dirigjonte gjithçka. Carmeni kur është në duet jep gjithçka nga vetja për të mbajtur pasionin e dashurisë. Por, kur mbetet e vetme i ka po aq të thella përpjekjet e lëvizjet në kërkim të lirisë dhe autonomisë. Është një Carmen që e mbron lirinë. Një Carmen që e çmon atë. Rebele. E zhytur në botën e saj. Muzika ritmike me elemente të muzikës tradicionale spanjolle edhe hiç pa e kuptuar të bind që është një himn lirie. Fustanet e saj me ngjyrë të kuqe i hynë në shërbim natyrës së saj për ta sfiduar me lojë  gjithçka që i shfaqet përreth.

Balerina Jud Judith dukej sikur e kishte jetuar edhe në një botë tjetër Carmenin. Dhe për me tepër gjente shumë nga ajo te vetja. Andaj e luajti natyrshëm dhe plot shpirt.

“Kur e luaj ‘Carmenin’ jam e guximshme, ndonjëherë jam e mërzitur dhe ndonjëherë jam e gëzuar. Carmeni është si unë, por në një botë tjetër” , kështu u shpreh Jud Judith pas shfaqjes saj në FemArt në Prishtinë.

Don Jose është stabil dhe i patundur kur është vetëm. Qëndrimin kryesisht e ka stoik. Ndryshe nga Carmeni që përpëlitet e përkulet. Don Jose në rolin e balerinit David Gutiérrez Molina s’është nga ata që vjen luan në skenë dhe përshtypjet ia lë publikut. Ai behët një me ta. Kur i fton në duet duartrokitjesh kërkoi gjithmonë më shumë nga ta. Shpesh kjo do t’i ngjiste të qeshurat bashkë me duartrokitjet. Publikun e përshkruan të ngrohtë dhe të mahnitshëm. Për “Carmenin” thotë se i janë përshtatur kohës.

“Është një “Carmen’ i ri, ku fokusim e kemi te gruaja sepse mendojmë që është aktuale dhe flet për dhunën gjinore”, u tha ai gazetarëve.

Barcelona Flamenco Ballet nuk e la publikun e “FemArt” në shijen e tragjedisë së vrasjes së Carmen. U kthyen në skenë me këngë. Për t’i dhënë jehonë festes se festivalit që po e zgjeron publikun e vetë. FemArt në ditën e parë ishte festë. Por jo gjithçka do të jetë festë. Janë shumë ngjarje që i bëjnë thirrje reflektimit për hapat e gabuar në përpjekjet për barazi e drejtësi. Janë shumë thirrje për tu adresuar. Me festival, FemArt gjithçka e bën të mundur. Në rrafsh tjetër edhe mund të arrihet. Mbase me më shumë solidaritet.