Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka njoftuar se Festivali i parë feminist në Kosovë e më i madhi në rajon, FemArt sjell edicionin e 10-të “Nga Revolucioni në Evolucion” për dhjetë ditë me radhë, 14-23 Qershor, 2022.
Ky festival vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave dhe burrave artiste/ë dhe aktiviste/ë, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen.
Edicionin e dhjetë e hap shfaqja premierë “Kosova: Toka e Shpirtrave të Trazuar” me autore Shqipe Malushin, dhe regji të Zana Hoxhës. Kjo shfaqje është një dëshmi e përjetimeve të shumë grave që vjen si thirrje për të kujtuar dhe pranuar të kaluarën, ndryshuar të tashmen, dhe ndërtuar të ardhmen.
Poezitë në lëvizje të Shqipe Malushit dramatizohen, inskenohen e jetësohen nga Trupa Artistike e Artpolis më 14 qershor, 2022, nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Një dekadë e artit të angazhuar kulmon me prezantimin e 24 aktiviteteve të artistëve dhe aktivistëve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Gjermania, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Reunion Island, Italia dhe Franca që sjellin shfaqje teatrore, balet flamenko, vallëzim bashkëkohorë, koncert, konferenca, diskutime, trajnime dhe punëtori.
Aktivitete këto që do të zënë vend në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Dodona, Teatrin Oda, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku”./21Media