Skip to main content

Festivali feminist FemArt edhe këtë vit do mbledhë aktivistë e artistë të ndryshëm në edicionin e dhjetë me moton “Nga Revolucioni në Evolucion”.

Festivali pritet të mbahet nga data 14-23 qershor të këtij viti. Në festival do shpërfaqen aftësitë e grave artiste me prezantime nga Kosova, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Italia dhe Franca.

Në njoftimin e festivalit potencohet se aktivizmi i tyre ka për qëllim transformimin dhe kuptimin e shoqërisë.

FemArt është festivali i vetëm feminist në Ballkan me këto përmasa ndërkombëtare, qëllimi i të cilit është për të plasuar art, solidaritet, humanizëm, paqe, liri, argëtim, gëzim.

Festivali është platformë për inicimin, krijimin dhe prezantimin e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet e feminizmit dhe zhvillimet e tyre në Kosovë si dhe avokimin e të drejtave të barabarta dhe ndërtimin e paqes në rajon.

Më poshtë gjeni thirrjen e plotë të festivalit:

Evolucioni feminist vazhdon. Sivjet edhe më i gjerë e më i plotë. Artiste, aktiviste e feministe vendore dhe ndërkombëtare pikëtakohen sërish në Festivalin e parë feminist në Kosovë e më të madhin në rajon, FemArt.  FemArt 10, për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor 2022, vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave artiste, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen. Mblidhemi për të festuar një dekadë të njohjes e nderimit të guximit të grave artiste, fuqisë kreative, e angazhimit të tyre për barazi e drejtësi përmes shfaqjeve teatrore, performancave, baletit flamengo, vallëzimit bashkëkohorë, konferencave, ekspozitave e prezentimeve nga Kosova, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Italia e Franca.  Një dekadë guxim, krenari e dashuri. Për një dekadë kemi krijuar ngjarje, thyer barriera e ndërtuar ura të reja të paqes në vend, rajon e më gjerë. Jemi rebeluar për të këputur fijet e patriarkatit, e shkundur mendësinë e dëmshme të së vjetrës. Aktivizmi ynë artistik-feminist vjen si një përgjigje për t’u shëruar e kuptuar, për të krijuar e transformuar shoqërinë e jetën. Mbi të gjitha për të shkërmuar secilin nocion të normuar mbi pabarazinë. Ky angazhim ka frymuar falë dashurisë për artin, aktivizmin, jetën, ekzistencën, barazinë e drejtësinë.  Në këtë dhjetë vjetorë, për dhjetë ditë ejani të festojmë e rebelohemi, argëtohemi e inspirojmë, performojmë e bëjmë thirrje për barazi, drejtësi, fuqizim e njohje të kontributit të grave, artisteve e aktivisteve deri në revolucionin e radhës”.

Festivali feminist ‘FemArt’ do mbahet për 10 ditë në qershor të këtij viti