Skip to main content

Nga Ivana Bilić

Në blogun e ditës së katërt, po ju sjell disa përceptime interesante nga ekspozita “Statusi” e Mimoza Sahitit, kuruar nga Albert Heta në Klubin e Boksit të Prishtinës; dhe shfaqja shumë lozonjare, gati naive “Vajzat” në teatrin Dodona.

 

NËSE KENI NJË DËSHIRË, DUHET TA NXJERRNI JASHTË

Mimoza Sahiti, e lindur dhe e rritur në Gjermani, studioi në Fakultetin Ekonomik, por filloi të pyeste veten: “Pse po e bëj këtë?” Gjatë studimeve ajo ka pikturuar gjatë gjithë kohës dhe para pandemisë ka rastisur të kthehet në shtëpinë e saj në Komogllavë të Kosovës. Ishte një lloj rikthimi në rrënjët e saj. Ajo pikturonte gjatë gjithë kohës, pikturonte gjëra të çuditshme; njerëzit nga fshati vinin për ta parë, sepse ajo ishte e para në familjen e saj që pikturonte; askush nuk kishte pikturuar më parë, ndaj pyesnin se nga vinte. Njerëzit do të interesoheshin ose do të qeshnin me format e saj të çuditshme dhe karakteret e çuditshme.

Gjatë pandemisë ajo u ndje në ankth dhe krijoi shumë piktura, por pikturoi edhe gjatë studimeve, ndoshta nga zhgënjimi për të bërë diçka që nuk i pëlqente. Mimoza donte të fillonte shkollën e artit në Gjermani, por u refuzua tre herë. Pavarsisht kësaj ajo vijoi orët bazë në pikturë. Dhe ajo vazhdoi të krijonte, të pikturonte. Ajo mblodhi të gjitha veprat e saj për ekspozim gjatë këtij edicioni të FemArt. Mënyra se si janë krijuar pikturat përputhet në mënyrë të përkryer me moton për të djegur frikën, për të kërkuar lirinë, për t’u shprehur.

Arti i saj është diçka jokonvencional. Ajo shpesh pikturon figura njerëzore, trupa të zhveshur femrash, forma të çuditshme ose kafshë. Kjo padyshim pasqyron gjendjen e saj të kërkimit të vetes, kërkimit drejt rrënjëve të saj për të gjetur pjesët e humbura të enigmës. “Edhe pse jetoja në Gjermani, megjithatë kisha dy prindër shqiptarë, më duhej të zihesha për të dalë, të luftoja për të bërë një tatuazh, të luftoja për të pirë duhan, etj…” Dhe duke qenë se ata ishin gjashtë fëmijë në shtëpi, ajo kurrë nuk ishte e rritur me ndonjë nocion të veçantë të të qenit grua. Teksa po zbulonte feminitetin e saj në kuptimin e vërtetë të fjalës, po zhvillohej edhe arti i saj. Arti i saj përfaqëson feminizmin, çlirimin nga frika dhe ankthi dhe ngarkesat tjera; duke bërë zgjedhje personale për të bërë gjëra që me të vërtetë i dëshironi dhe i përkrahni.

DEVOJČICE/VAJZAT

Dhjetë vajza hyjnë në skenë me rroba banjo me zemra dhe yje, dhe çorape shumëngjyrëshe me lule dhe forma të tjera. Ato janë të gjitha të ndryshme – bartin ngjyra të ndryshme, kanë interesa të ndryshme, janë të lartësisë dhe ngjyrës së syve ose flokëve të ndryshme; por të gjitha kanë një gjë të përbashkët: janë vajza.

Vajzat e nisin historinë që në moshë shumë të hershme – nga ajo me të cilën duan të luajnë, tek të qenit përralla kur janë në moshën shkollore. Nga loja me kukulla te dashuritë e para. Nga fëmijëria në adoleshencë. Por ndërsa shfaqja zhvillohet, ne mund të shohim se nuk është aq e pafajshme sa menduam fillimisht. Edhe pse në dukje një performancë shumë e lehtë dhe e gëzueshme, me shumë muzikë si fëmijë dhe një histori për fëmijë, në fakt kjo është diçka krejtësisht ndryshe. Kjo është një shfaqje për të rriturit. Kjo është një shfaqje që drejton gishtin nga ne, sepse ne heshtëm, sepse thoshim gjëra të tilla si “djemtë do të jenë djem”; “Ai të godet me shuplakë sepse ti i pëlqen”, “ti e provokove” etj. Shakatë bëhen ngacmim seksual, ngacmimi seksual bëhet dhunë seksuale dhe çon në përfundimet që i dijmë. Sepse ne nuk i mbrojtëm vajzat tona. Ne dështojmë t’i mbrojmë ato sa herë që edhe një vajzë e vetme sulmohet apo ngacmohet. Dhe, për fat të keq, kjo ndodh gjatë gjithë kohës. Kudo.

Mënyra se si u bashkuan vajzat ishte përmes një audicioni në maj të vitit të kaluar. Kërkesa e parë ishte që ato të ishin vajza të reja nga mosha 18 deri në 26 vjeç, sepse autori e konsideronte atë si periudhën e moshës ku ato do të kishin përjetuar gjëra të ngjashme. Një kërkesë tjetër ishte që ato të mos kishin vepruar kurrë më parë. Si pjesë e procesit të aplikimit, ato duhej t’i përgjigjeshin një pyetësori të përbërë nga një sërë pyetjesh të ndryshme si “Çfarë bënit kur ishit vajzë e vogël, çfarë ju pëlqente, me çfarë luanit, etj.” dhe më pas gjatë verës ndoqën shkolla të ndryshme për feminizëm dhe mësime të tjera të jetës. E gjithë kjo i përgatiti ato për rolet e tyre të reja feministe. Më pas, në shtator, nisi procesi i provave dhe premiera e shfaqjes u dha në dhjetor 2022. Një ide kaq e mrekullueshme për hulumtim dhe ndërgjegjësim përmes një shfaqjeje në dukje lozonjare dhe me plot gjallëri!

Sa më shumë që luajnë dhe rolet që shkëmbejnë – me nënat e tyre, në autobusë, në shkolla, me shokët e klasës – aq më e frikshme duket. Sa më shumë që rriten dhe zhvillohen, aq më shumë ndërgjegjësohen për rrezikun në të cilin jetojnë gratë. Sa më shumë që udhëtojnë dhe hapen, aq më shumë e kuptojnë se sa fanatik dhe i panjohur është mjedisi në të cilin jetojnë. I vetmi vend ku ndihen të sigurta janë protestat, kur protestojnë me shoqet e tyre. Ato ndërgjegjësohen për ngacmimet seksuale, për femicidet, të drejtat e grave dhe mungesën e tyre, situatën politike, këngët që nxisin dhunën ndaj grave… ju mund të vazhdoni. Sistemi është kaq i padrejtë ndaj vajzave.

Por këto vajza folën sonte, ngritën zërin e tyre, u bashkuan më fort. Ato janë të guximshme, të gatshme të luftojnë si vajza. Ato janë të guximshme dhe të patrembura. Ato dogjën frikën e tyre.