Skip to main content

Nga Mimozë Musliu

Lindim e rritemi pa e ditur se çka mund të na ofrojë jeta. Çdo sfidë e jetës sa është e vështirë është edhe e bukur, sepse ato i japin kuptim dhe shtysë jetës; për t’i përqafuar sfidat ashtu siç vijnë dhe pas çdo sfide njeriu të jetë ma i fortë se ç’ishte dje.

Dokumentari “Biba May – Jo Më”, që u prezantua më 17 maj, 2023 në hapësirat e 7 Arte në Mitrovicë në kuadër të FemArt 11, ishte një histori frymëzimi për të përqafuar jetën.

Jeta e gruas e prezentuar në filmin dokumentar, të cilës bota teksa i kalon para karrocës së saj, tregon karakterin e  gruas së fortë, e gruas me karakter hekur. Pavarësisht barrierave kufizuese që jeta dhe shoqërija i sjellë, ajo jeton, ecë, rrëzohet e ngrihet pa u trembur duke i dalë përballë sfidave, sepse ka një mision, misionin për të lënë vepra të mëdha, shtytës të së cilit e ka vullnetin dhe dashurinë për jetë, çdo shteg për të jetuar e  kontribuar si të gjithë të tjerët në shoqëri. Edhe pse jeta personat me aftësi të kufizuara pamëshirë i përplasë nga cepi në cep, ia dalin gjithmonë me kokën lartë, duke mos u dorëzuar kurrë edhe pse në sytë e të tjerëve ndonjëherë shikohen me syrin e mëshirës, madje shpeshherë konsiderohen edhe barrë e shoqërisë.

Protagonistja e filmit, Resmije Rrahmani edhe pse ecën me karrocë me rrota, ajo vazhdon, vazhdon, dhe vazhdon pa u ndalur e me këmbëngulësi rrugëtimin drejt së ardhmes, sepse e di, se  veprat e saj dje, sot, e nesër do të jenë motiv për ecje para për të gjithë personat me aftësi të kufizuara, ndërsa për të tjerët (personat  me “zhvillim tipik”) do të jetë një pasqyrë e artë e një shembulli, që tregon se sfidat e vështërsitë jetësore  njeriun nuk  e mbyllin brenda  mureve të  shtëpisë,  por e  kalisin  për mos t’u rrëzuar më.

Perëndia, secilin njeri e sjell në jetë e në një shoqëri me një mision të caktuar, të ndryshëm me njëri tjetrin, e me një potencial minierë, për t’i lënë gjurmët e ndryshimit të kontributit të tyre me themele të forta. Njëri prej këtyre njerëzve është edhe Biba May, e cila nuk njeh vështërsi dhe të cilës nuk i dhëmbin plagët, por jeton për të vepruar e për t’ia dalur edhe për të tjerët, sepse ajo udhëhiqet nga dashuria e zemrës së madhe.