FEMART – FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I ARTISTEVE DHE AKTIVISTEVE
Edicioni i 14-të
“PËRQAFO TË PANJOHURËN”
25-30 Shtator, 2026
Prishtinë, Kosovë
Është vështirë e përcaktueshme se kur fillon dikush të mendojë. Ndoshta mendimi fillon me habinë, me atë çast kur fëmija ndalet përballë botës dhe pyet: Çfarë është nata? Ku shkon drita? Çfarë është koha? Në këto pyetje të para jeton dëshira për ta kuptuar botën dhe për ta gjetur veten brenda saj.
Koha dhe hapësira bëhen pjesë e kësaj përvoje. Përmes tyre e ndiejmë veten të gjallë, të pranishëm, “brenda” jetës. Por, sa më shumë afrohemi me botën dhe me veten, aq më shumë kuptojmë se gjithmonë mbetet diçka për t’u zbuluar.
Ndoshta, pikërisht këtu fillon rrugëtimi drejt së panjohurës. Ta përqafosh të panjohurën do të thotë t’i afrohesh asaj me kureshtje, me vëmendje dhe guxim.
Në këtë udhëtim, imagjinata dhe ëndërrimi janë po aq të rëndësishme sa përvoja. Ëndërrimi i paraprinë realitetit. Ajo na lejon të shkojmë me mendje përpara e të përfytyrojmë një vepër, një marrëdhënie, një shoqëri apo një të ardhme, së cilës kemi filluar t’i japin formë.
Këtu shpërfaqet fuqia e artit dhe aktivizmit feminist.
Lëvizja feministe është histori e ëndërrimit nga gra të guximshme; e një mendje dhe trupi që i përket vetes, e një zëri që gjen hapësirën e vet, e një jete që përcaktohet nga zgjedhja, e marrëdhënieve të ndërtuara mbi barazi dhe kujdes, e një shoqërie ku mundësitë zgjerohen për të gjithë.
FemArt 14 e vendos artin në këtë prag të së panjohurës; mes asaj që është dhe asaj që mund të bëhet; mes kujtesës dhe së ardhmes; mes trupit që trashëgon dhe trupit që zgjedh; mes zërit që është dëgjuar dhe atij që ende kërkon hapësirë.
Për gjashtë ditë do të mirëpresim artiste/ë, aktiviste/ë dhe profesioniste/ë të kulturës nga Austria, Belgjika, Bosnjë e Hercegovina, Franca, Greqia, Kosova, Luksemburgu, Qipro, Serbia, Sllovenia, Shqipëria e Zvicra. Përmes teatrit, performancës, cirkut, muzikës, filmit, letërsisë, ekspozitave, punëtorive dhe bisedave, artistet/ët dhe aktivistet/ët krijojnë hapësira ku mund të pyesim, të dëgjojmë, të kujtojmë, të ndiejmë dhe të imagjinojmë.
Në këtë kuptim, “Përqafo të Panjohurën” bëhet një ftesë për kërkim, për përvojë dhe për transformim. E panjohura shfaqet si territor i mundësive, i një hapësire ku mund të zbulojmë veten, të takojmë tjetrën/tjetrin dhe të përfytyrojmë forma të reja të bashkëjetesës.
Për FemArt-in, ky proces është sa individual, aq edhe kolektiv. Përvoja jonë personale takohet me përvojat e të tjerëve; kujtesat kryqëzohen; zërat bashkohen; historitë marrin kuptime të reja. Ajo që nis si një ndjesi e brendshme mund të bëhet vetëdije e përbashkët, e pastaj veprim.
Ndaj, FemArt 14 kërkon pyetjen e radhës dhe ju fton të zhyteni në të panjohurën me kureshtjen e fëmijës dhe ëndrrat e grave që guxojnë.