Gili Hoxhaj
Aida Zherka, që u largua vite më parë nga Gjakova për në Luksemburg, në Prishtinë erdhi me një libër që ka përcjellë mallin ndër vite. “Erosi i heshtur” i saj ka përbrenda vitet e saj të rinisë, mallin për vendlindjen dhe rininë, për shumëçka që s’është njësoj. Për dashurinë që reziston dhe rritet. Poezia e saj flet se, në sytë e qytetit, Aida është 17 vjeç, ashtu si dikur, e dehur nga rinia, gëzimi dhe ku çdo hap ishte vallëzim tjetër. Ky rikthim i saj me librin “Erosi i heshtur” në Amfiteatrin e Madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ishte mes emocionesh.
“Lashë shumë dashuri për qytetin tim dhe nuk mendova që do të kthehem më. Po emocionohem sepse këtu janë njerëzit e mi, sa herë që vij emocionohem”, shpjegoi ajo.
Aida Zherka është një shkrimtare dhe poete shqiptare nga Kosova, e cila trajton kryesisht tema të ndjeshme dhe intime të shpirtit njerëzor, identitetit dhe përjetimeve të gruas. Vepra e saj pati një vëmendje të shtuar gjatë promovimit zyrtar në festivalin FemArt 14 në Prishtinë, i cili sivjet po realizohet nën moton “Përqafoj të Panjohurën”. Ky promovim libri u moderua nga shkrimtarja dhe gazetarja Ilire Zajmi, duke e vendosur krijimtarinë e Zherkës në qendër të debateve mbi letërsinë bashkëkohore dhe rolin e gruas në art. Ajo theksoi se vëllimi me poezi “Erosi i heshtur” i Aida Zherkës është një udhëtim drejt vetvetes. Ai nis nga largësia dhe ndjenja e të qenit peng i një mungese, kalon nëpër kujtime, mall, dëshirë, dashuri dhe humbje, për të mbërritur te një pikë ku subjekti lirik nuk kërkon më vetëm tjetrin, por fillon të kërkojë veten.
“Në këtë kuptim, heshtja e eros-it nuk është mungesë e ndjenjës, por prani e saj e thellë. Ajo që nuk thuhet bëhet pjesë e kujtesës, e trupit dhe e shpirtit. Dashuria në poezinë e Zherkës shpaloset jo vetëm si marrëdhënie me tjetrin, por edhe si përballje me plagët, mungesat dhe identitetin personal”, u shpreh shkrimtarja e njohur Ilire Zajmi.
Aida në vargje dëshmon që kudo që ka shkuar, në valixhen e parë e ka palosur dashurinë dhe këtë e ka dhënë pa kursim për këdo, derisa sot ka gjetur bazamentin e dashurisë për të dashur veten, të cilën e pohoi përgjatë promovimit mes miqsh dhe familjarësh. Fjalën e mori edhe nëna e saj, që është lexuesja e parë e poezive të saj, e cila e çmon vargun e Aidës, por e refuzon pesimizmin e saj në poezi. Aida dëshmon se shkruan kur ndjen dhimbjen. Andaj, prej larg, ka shkruar më shumë.
Në vargjet e Aidës flitet për gruan, për rebelimin dhe dëshirën e pashuar për liri.
“Unë e kam luftuar mentalitetin. Ne nuk e kemi kuptuar rëndësinë e gruas, prandaj me poezi i kam ftuar ta kuptojnë rëndësinë që e ka një familje. Ne jemi ato që e udhëheqim familjen dhe duhet të respektohemi më shumë”, theksoi ajo.
Heshtje është ajo ku ne vendosim të heshtim në pamundësi për të ndryshuar gjërat, pjesa ku përbihesh dhe e lë çdo gjë të rrjedhë sepse nuk ke mundësi ta ndryshosh. Përfaqësoj erosin, heshtja e të cilit nuk ceket.
Sipas redaktores së librit, Ilire Zajmi, poezitë e Aidës mund të lexohen edhe si një rikthim në pikën prej nga niset njeriu, në krijimin e një uni të ri, më të vetëdijshëm e më harmonik, ku shpresa dhe dëshira për të jetuar fitojnë mbi humbjen.
“Në këtë kuptim, heshtja e eros-it nuk është mungesë e ndjenjës, por prani e saj e thellë. Ajo që nuk thuhet bëhet pjesë e kujtesës, e trupit dhe e shpirtit. Dashuria në poezinë e Zherkës shpaloset jo vetëm si marrëdhënie me tjetrin, por edhe si përballje me plagët, mungesat dhe identitetin personal”, ka përfunduar ajo.
FemArt 14 po vazhdon aktivitetet deri më 30 shtator, duke e zhytur publikun në të panjohurën me kureshtjen e fëmijës dhe ëndrrat e grave që guxojnë. Kjo u bë edhe me një libër tjetër të promovuar në FemArt.