Skip to main content

Nga Gili Hoxhaj

“Do ta përqafojmë të panjohurën.” Kështu na e bëri me dije shkrimtarja që moderoi ngjarjen, Ilire Zajmi, pak para promovimit të librit “Dashuri në kohën e komunizmit” të shkrimtares Besa Myftiu. Aty nisi përqafimi i librit të saj në dashuritë, tabutë dhe të vërtetat e dashurive që s’ka regjim që i mposhtë. Publiku përqafoi historitë e personazheve të saj, si të ishin të tyret. Tek aty u shfaqën edhe pyetje e komente që shpërfaqnin kuriozitetin e publikut për librin.

“Dashuria është gjithmonë rezistencë. Dashuria është mënyrë për t’i rezistuar shtypjes. Vetëm ai që do gjen formën të mos bindet. Dashuria është forcë”, kështu u shpreh mes të tjerash shkrimtarja.

Besa Myftiu është një shkrimtare, poete dhe eseiste shqiptare, e njohur për shkrimet e saj mbi dashurinë, jetën, identitetin dhe përvojën njerëzore. E lindur në Tiranë dhe e vendosur prej vitesh në Gjenevë, ajo shkruan në shqip dhe frëngjisht, duke sjellë një perspektivë të veçantë mes dy kulturave.

Në qendër janë tri gra, Anila, Diana dhe Monda, të cilat takohen gjatë një nate pritjeje në aeroportin e Fiumicinos dhe i tregojnë njëra-tjetrës historitë e tyre të dashurisë gjatë komunizmit. Njëra kthehet nga Amerika, tjetra nga Roma e njëra nga Parisi. Një shishe verë hap kapitujt e tyre të jetës, në një rrëfim që prek tabutë që kanë mbizotëruar në Shqipërinë komuniste.

Libri, si i tillë, flet për lirinë. Për lirinë nga përjetimi, nga e kaluara. Ato flasin për tabutë e ndryshme, raportet e dashurisë që ndikohen nga familja, diferencat e moshës dhe një sistem shoqëror.

Besa Myftiu, në një takim të përbashkët me lexuesit nga Kosova, u kthye pas dhjetë vjetësh. Ajo elaboroi pak historinë e Anilës, e cila ishte dashuruar në Mujo Bajraktarin nga Ferizaji. Mbeti një dashuri e shkëputur në gjysmë. Por lufta për dashurinë kurrë nuk përfundoi për Anilën. Pas një sorollatjeje të gjatë në kërkim, dikur hoqi dorë nga kërkimi i Mujos, teksa vazhdoi jetën në Paris me studime linguistike.

Këmbëngulës në këtë dashuri kishte mbetur edhe Mujo. Ai nuk u dorëzua as vite më pas, pasi kishte rindërtuar jetën mes qelisë dhe lirisë.

Kohë më pas, telefonata e tij nisi me këtë fjali: “A të kujtohet dashuria e parë është gjithashtu e fundit?” I tregoi për martesën, burgun, vjershat dhe leximin e gazetave, derisa e gjeti Anila Krajën nëpërmjet Ambasadës Franceze, teksa Anila desh se përmbysi tokën e qiellin për ta gjetur.

Mujo i kishte rrëfyer shkurt se e kishte detyruar Sigurimi i Shtetit të ikte dhe se në qeli i kishte shkruar shumë vargje. Vitet shiheshin në poezitë e tij.

Siç e shpjegon autorja Besa Myftiu, Anila kishte mbetur në një shkretëtirë ndjenjash.

“U mundova ta dua Evropën, por gjithë dashurinë ia kisha dhënë Kosovës.”

Në atë kohë lufte, Kosova ishte bërë epiqendra e lajmeve. Popullsia e Tiranës u katërfishua. E gjithë kjo u kuptua përmes një leximi të bërë nga vetë autorja.

Tutje, autorja Myftiu tregoi se dashuria në kohën e komunizmit kishte aromë ëndrre. Imagjinata ishte e lehtë, por realiteti i vështirë. Vështirësitë dhe personi që takonin ishin princ i ëndrrës, një mënyrë për t’u kapur pas ëndrrave. Dashuria nuk realizohej, sepse problemi ishte familja ose shoqëria.

“Letërsia është një mënyrë për të sublimuar të kaluarën. Mendoj që ne, në tragjedinë tonë, kemi gjetur forcën të bëjmë humor. Ndoshta është ballkanike, por shqiptare më veçanti”, tha ajo.

Heroinat e këtij romani triumfojnë mbi dhimbjen, thotë tutje autorja e librit, që bashkëdyzon tragjedinë dhe komedinë në libër.

“Në këtë libër jam munduar t’i jap kuptim të kaluarës, në të cilën përvijohet e ardhmja”, theksoi ajo.

Kur u pyet se sa mund të ketë ndryshuar realiteti nga atëherë, Besa tha se 30 vjet janë shumë pak për të ndryshuar mentalitetin, edhe pse ligjet mund të ndryshojnë.

Në promovimin e librit pati dhe muzikë, që u transmetua në mënyrë audio, të Elina Dunit. Ishte një ndalesë mallëngjimi mes fjalëve që rikujtojnë dhe dëshmojnë një të vërtetë të madhe, siç rikujtohet në libër se hakmarrja më e madhe është lumturia.

Dhe një e vërtetë tjetër: asnjë regjim nuk mund ta pengojë dashurinë.