Skip to main content

Nga Mimozë  Musliu

Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve, tashmë tradicional në Kosovë, FemArt, në edicionin e tij të 11-të me moton “Kalle Tutën” për shtatë ditë radhazi e solli artin dhe kulturën botërore si  dhe i argëtoi qytetarët në Prishtinë dhe Mitrovicë. Ky  festival përmes (28) njëzet e tetë aktiviteteve të ndryshme nga arti skenik, filmik, muzikor, komunikues dhe figurativ, dhe përfaqësues të pesëmbëdhjetë (15) shteteve, sollën një frymë, një energji, një laramani ngjyrash e kulturash të cilat flisnin dhe kuptoheshin përmes gjuhës së artit.

“Kalle Tutën”, jehoi përtej kufijve shtetëror, nga vajzat e gratë e shoqërisë ende patriarkale  të shtetit më të vogël në Ballkan e më të ri në Evropë, Kosovës, në festivalin promovues të vlerave njerëzore mbi të gjitha, e kryesisht të atyre feministe. Një moto kjo që i jep shtytje e zë guximit, për të thyer barrierat e mos të qenurit vetvetja, e mos të jetuarit nën presionin e dhunës, e frikës e të stigmës  shoqërore. Kjo moto nuk qe vetëm zë i vajzave e grave të Kosovës, por i të gjithë botës.

Shtatë ditë, qenë të zgjuara e jetuan me petkun e  aktiviteteve të FemArt, aktiviteteve të cilat ndërlidheshin me moton e pëlqyer e të përqafuar shumë nga masa. Pothuajse të gjitha aktivitetet ofruan kualitet të  lartë performues; tek audienca u transmetuan emocione të forta, mesazhe të forta e bindëse për të kuptuar se secila grua duhet të jetë krenare për atë që është, ta jetojë jetën ashtu siç i vije, pavarësisht vështirësive që ka dhe mbi të gjitha me pozitivitet e dashuri t’i luftojë betejat që i dalin e i has në përditshmëri.

Edicioni i 11-të i FemArt, 282 artistëve e aktivistëve të pesëmbëdhjetë vendeve të botës ju dha  mundësinë për ta njohur Kosovën, për të mësuar më shumë për diversitetin etnik e kulturor të vendit  Ballkanik të dalë nga lufta njëzet e katër vite më parë. Vend ky i cili ende ka plagë të hapura e jeton me  trauma të luftës, por me vizion e shikim drejt paqes fqinjësore, përmes artit u bë ajo të cilën politika  s’po mund ta bëjë, thyerja e mitit dhe e stigmës dy e më tepër dekadëshe, me anë të mikpritjes në këtë edicion të artisteve e aktivisteve nga Serbia me shfaqjen teatrore “Vajzat”. Për artin skenik nga Serbia, mikpritje dhe kulturë të lartë qytetarie treguan edhe qytetarët, të cilët me shembullin që dhanë në të qenurit audiencë në teatrin “Dodona” për ta shikuar shfaqjen teatrore, edhe një herë treguan pjekuri e kulturë me vlera qytetarie ndaj mos shikimit mbrapa (në të kaluarën) por shikimit para (në të ardhmen), për jetesë paqësore e tolerante mes dy popujve të dy shteteve.

Nëse flasim për organizimin e festivalit të parë në rajon feminist, lirisht e pa asnjë dyshim themi se organizimi i edicionit këtë vit ishte në nivelin më të duhur të mundshëm. Këtë e tregoi pasqyra e punës  profesionale cilësore, e punës me përkushtim e përgjegjësi e bërë nga stafi, për t’u ofruar qytetarëve  për shtatë ditë një program artistik gjithëpërfshirës e shumëdimensional. Njëherazi, ky edicion i  FemArt ishte ndryshe prej dhjetë edicioneve të tjera, atyre paraprake, sepse ndërmori hapa si dhe dha  një shembull briliant për festivalet e tjera në Kosovë, popullatën etj,. Kjo pasi që ky është festivali  i parë  në Kosovë e rajon që hartoi një doracak udhëzues për qasje infrastrukturore e informative për audiencën  e personave me aftësi të kufizuara dhe zbatoi udhëzuesin aty ku ishte e mundur për të ndërhyrë, në disa hapësira që shfrytëzoheshin nga festivali, po ashtu për herë të parë bëri përpilimin e programit artistik në alfabet braj e zmadhim shkronjash për krijim të mundësisë dhe qasjes për përcjellje të festivalit nga  audienca me dëmtime në të parë.

FemArt, si festival, do të ketë të nesërme e të ardhme shumë të gjatë… por edicioni i 11-të nga motoja  që  kishte, “Kalle  Tutën”,  nuk do të harrohet e do mbesë gjatë në memorien kolektive.