Skip to main content

Gili Hoxhaj

Hyrja brenda kino “Armatës” ishte kthim në kohë. Në të shkuarën dhe kujtimet. Në jetën e një vajze 17-vjeçare, ku udhëkryqi i jetës së saj sa shkon e humb busullën. Filmi “Era”, me skenar dhe regji të Parta Kelmendit, u shfaq para publikut të festivalit më të madh feminist në Ballkan, FemArt. Ky festival, edhe me këtë film, prek realitetin e gruas në çdo kohë. Flet për identitetin, guximin, ëndrrat dhe lirinë në kohë të vështira.

Filmi ishte udhëtim në fëmijërinë larg babait, adoleshencën larg dashurisë, ëndrrave të këputura, të nënës larg fëmijëve, të shkollimit të fshehtë dhe të një jete plot kujtime dhimbjeje. Me gjithë vështirësitë, frikën dhe presionin, jeta vazhdonte me shpresë. Të gjithë drekonin së bashku rreth tryezës.

Fëmijët lindnin, të rinjtë gjenin mënyrën për t’u dashuruar. Ata e shihnin jetën më zi, kurse prindërit mbaheshin të fortë për t’u dhënë kurajo të rinjve. Kishte veçmas shumë solidaritet. Familja ishte më e bashkuar se kurrë.

Era ishte personazhi kryesor që e përjeton më së keqi jetën larg Prishtinës, kur babai mbetet pa punë dhe në banesë kredia nuk ka mbaruar. Fshati mbetet opsioni i vetëm. Era nuk sheh më shpresën në jetën e saj në Kosovë. Rebelohet shpeshherë. Kërkon zgjidhje për të ikur. Ka guximin për t’i thënë ‘jo’ jetës që ia mohon lirinë dhe ëndrrat. I dashuri e braktis dhe zgjedh anën tjetër të solidaritetit mes shqiptarëve. Era, në fshat, përballet për herë të parë me rrezikun kur goditet nga një polic serb. Jeta e tyre kufizohet brenda oborrit.

Të përjashtuar nga kafenetë, shkolla dhe rrugët, nuk ndihen të sigurt as në shtëpi. Të rinjtë kanë mall të qeshin me zë të lartë. Prindërit ndihen në faj dhe nuk dinë çfarë mbështetje tjetër t’u japin. Ka kohë që kanë harruar veten.

Era, që tash kalon një kohë të madhe me gjyshen, shpesh ia rikujton martesën. Si i tillë, filmi shpërfaq realitetin e një vajze të re dhe pritshmëritë e saj që lidhen me rolin e saj brenda familjes. Shpërfaq dhe ëndrrën e nënës së saj për t’u bërë dikur disenjatore mode, babain i cili kthehet në kamarier, xhaxhanë që lë dy fëmijë dhe merr rrugën ilegale të Gjermanisë dhe gruan e tij që mbetet në pritje me familjen e burrit. Tejet e vetmuar. Filmi flet për shembjen e lirisë personale, ëndrrat, represionin serb, dhunën, pasigurinë dhe kujtimet që jetojnë me publikun në Kosovë.

Në rolin e Erës është Zana Berisha. Në kast janë aktorët Alban Ukaj, Irena Aliu, Armend Smajli, May-Linda Kosumoviq, Melihate Qena, Kumrije Hoxha dhe Lum Veseli. Regjisorja Parta Kelmendi ka shpjeguar se filmi ka lindur si një reflektim i jetës së saj gjatë viteve ’90, kur ishte adoleshente.

“Filmi ka ardhur si reflektim i jetës time në vitet e ’90-a, në kohën kur kam qenë adoleshente. Thjeshtë si nevojë për të reflektuar kur kam filluar t’i lexoj ditarët të asaj kohe dhe mandej thjesht kam pasur nevojë ta shpalos këtë tregim. Filmi ka realitetin tim, të shoqërisë, familjarëe, njerëzve që i kemi njohur kështu që realisht filmi është fiksion, por i bazuar në ngjarje të ndryshme reale”, ka theksuar Kelmendi.

“Era” pati premierën botërore në Brooklyn Film Festival në vitin 2025, ku fitoi çmimin Best Actor Female për interpretimin e aktores kryesore. Filmi më pas u prezantua edhe në festivale të tjera dhe, sipas Kelmendit, deri tash filmi po komunikon shumë mirë me publikun.

Jeta kryesisht zhvendoset brenda mureve. Kur mësuesja në klasën e improvizuar brenda shtëpive private thërret emrat e nxënësve, ka një pyetje pasuese: “A është mirë?”. Prindërit besojnë në lirinë e fëmijëve, por brengosen më shumë për sigurinë e tyre. Si pasojë e kësaj, prindërit marrin vendim që Era të qëndrojë në shtëpi, derisa kalon më shumë kohë me komshiun e saj, Fatosin. Ai, pa kaluar shumë kohë, i propozon martesë, por prapa ka lënë një jetë pezull në Gjermani. Era thyhet edhe njëherë. Dy herë nga dashuria, përditë nga realiteti në frikë.

“Jam mundu me të rrit për një botë më të mirë, e di që nuk të kam përgatitur për këtë situatë. Tash je rrit dhe duhet me u bo e fortë”, i drejtohet nëna Erës.

“Vetëm po presim të bëhet më mirë, vetëm më keq po bëhet.” Kështu pohon Era që më s’ka durim. Të gjitha planet familjare bien. Kryefamiljari, që luhet nga Alban Ukaj, mban gjithë barrën për të mos e braktisur nënën e moshuar, nusen e re me dy fëmijë dhe të sigurojë jetesën. Por, Erën nuk mund ta ndalojë. E përcjell te stacioni i saj kur merr rrugën për Gjermani. Në momentin e fundit i jep mbështetjen dhe bekimin e babait që iu detyrua t’i përcjellë dy fëmijë për një ditë. Ky është dhe përqafimi më i vështirë i filmit.

Me udhëtimin e Erës mbaron dhe filmi. Kjo ishte një erë në histori dhe në të kaluarën. Fërfëllin për të mos u harruar.

“Me mujtë me flejt e mos me i çelë sytë deri krejt kjo të kryhet”, përfundon me këtë fjali. 26 vjet pas, gjithçka ka përfunduar, kur çel sytë jashtë kinemasë në terr, je në një realitet ku duhet ta mbrosh me më shumë mirënjohje lirinë.