Gili Hoxhaj
Muaj më parë pak kush do ta besonte se në shtator të vitit 2026 mund të uleshe në këtë hapësirë, rehat për të parë një shfaqje a performancë artistike. Aty ku nuk kishte as rrugë, as ujë, as kanalizim. Pak e hiç shpresë. Shumëkush këtë objekt e kishte tejkaluar si dhe një hapësirë tjetër pa funksion. Por mbrëmë kjo hapësirë u bë e dukshme. Ish-stacioni i trenit tash do të jetë vend ku do të nisin dhe do të gjejnë rrugën krijime të reja. Ata që krijojnë dhe duan krijimin, ata që besojnë në lidhjen e komunitetit për të ecur. Artpolis pa shpresë në këtë hapësirë. Këmbënguli dhe i dha shpirt.
Dritat e vendosura lart rreth ndërtesës tregojnë që objekti është hapur. Nuk është ndërtesë e zakonshme as në fasadë. Ruan mirë të kaluarën e asaj që ka qenë në tavan dhe t’i merr sytë me ngjyrën e dominuar nga e vjollca. Një hapësirë moderne e gatshme për t’i bërë vend kujtdo.
Dy orë para se të prehet shiriti ngjyrë vjollcë nga drejtoresha e Artpolis dhe “FemArt”, Zana Hoxha, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëhen përgatitjet e fundit. Stafi sigurohet që asgjë të mos jetë mangët. Të njëjtin entuziazëm e pa shenja lodhjeje qysh kur e përqafuan këtë hapësirë si ide, si koncept, si një ëndërr që mbrëmë u bë e të gjithëve për t’u jetuar. Një vend ku artisti jeton veprën e publiku gjen oazën e vetë të prehjes. Stacioni Kulturor hapi dyert më 28 shtator në edicionin e 14-të të FemArt. Siç është dhe motoja e festivalit, FemArti përqafoi të panjohurën me guxim.
Zërat përbrenda, mysafirë të shtëpisë me lule dhe përqafime i dhanë jetë. U takuan me njëri-tjetrin për ta gëzuar adresën e re të takimeve. Skena kulturore tashmë ka një stacion që nuk ofron vetëm një hapësirë për një ngjarje më shumë, ka hapësirë të dedikuar për çdo ngjarje artistike. Ndër vite, Artpolis me aktivitete ka lëvizur nga një teatër në tjetër, nga një hapësirë në tjetrën. Për organizatoren Zana Hoxha, barrierat kur institucionet nuk funksionojnë si duhet nuk duhet të jenë barriera për artistin që nuk ka afat krijues – që është i gatshëm të krijojë kurdo dhe të tillë duhet ta gjejë skenën – gati për ta mirëpritur.
Në rreth 600 metra katrorë, i konceptuar si një shtëpi për artistët dhe një hapësirë e hapur për komunitetin, Stacioni do të presë gjatë gjithë vitit shfaqje teatrore, ekspozita, performanca, punëtori, rezidenca artistike, diskutime, programe edukative dhe aktivitete komunitare.
“Një duartrokitje masive për Zanën. Faleminderit për personin e mrekullueshëm që je!”, u shpreh kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, qysh në fillim të fjalimit të tij.
Rama vlerësoi kontributin e Zanës në transformimin e Stacionit të Prishtinës, duke e cilësuar atë si një shembull të guximit dhe angazhimit për ndryshim. Ai theksoi se Prishtina ka nevojë për njerëz që sjellin ide të reja dhe i japin jetë hapësirave të harruara, duke i kthyer ato në vende ku zhvillohen kultura, tradita dhe iniciativa të reja.
“Prishtina nuk mund të ecë përpara pa njerëz si Zana. Mirë se keni ardhur në Stacionin e Prishtinës. Është një moment i veçantë për shkak të Zanës. Dua të falënderoj nga zemra që e ka transformuar këtë vend me kujtime me dhimbje, që kanë qenë të vdekura dhe të harruara, në një event për t’i zhvilluar idetë e kulturës, traditës dhe ato të reja. Ju lus të gjithëve ta keni guximin e Zanës, t’i bashkëngjiteni këtij procesi transformues të Prishtinës. Unë si kryetar besoj në këtë proces transformues sepse ka edhe shumë hapësira të tjera”, theksoi Rama.
Stacioni Kulturor thellon besimin me ata që rrugëtojnë me Artpolis për dy dekada
Stacioni Kulturor u krijua si një dhuratë dhe besim për ata që kanë rrugëtuar me Artpolisin tash e mbi dy dekada. “Dëshirojmë që Stacioni të jetë më shumë sesa një vend ku zhvillohen aktivitete. Duam të jetë një vend ku njerëzit ndalen, takohen, krijojnë dhe kthehen përsëri. Një vend ku dikush mund të hyjë për herë të parë në teatër, ku një artiste e re mund të krijojë veprën e saj të parë, apo ku mund të lindë një bashkëpunim që sot ende nuk e imagjinojmë,” ishte shprehur drejtoresha Hoxha.
Në mbrëmjen e hapjes, ajo falënderoi Komunën e Prishtinës, bashkëpunëtorët nga Bavaria, donatorët e GoFundMe dhe ekipin e Artpolis që nuk u ndal deri e jetësoi këtë ëndërr të përbashkët. Në hyrje, si falënderim, ka vendosur emrat e tyre.
“Kur ke një vizion, duhet njerëz që kanë vizione për t’i realizuar. Unë jam sonte këtu në këtë moment bashkë me juve sepse e para dua të falënderoj të gjithë njerëzit që kanë besuar në këtë projekt, dua t’i falënderoj ekipin e Artpolis. Pas një bisede që kishim me Sibel Halimin, që iu ngjita për disa muaj dhe Sibeli ishte aq e gatshme për të besuar në këtë ide dhe më tha që kemi një mundësi me bashkëpunu, pastaj kishim përkrahjen e kryetarit Rama dhe stafit të Artpolis”, theksoi ajo.
Një hapësirë e vjetër, gati për një rrugëtim të ri
Që prej marsit ishin muaj me shumë pluhur, zhurmë, diell e shi. Por mbi të gjitha, muaj ku një hapësirë e vjetër nisi të bëhej gati për një jetë të re. Blloku i Elira Llukës nga Artpolis shënon shi përgjatë prillit, vonesa dhe një hapësirë që ende priste të merrte formë. Pastaj, pak nga pak, gjithçka filloi të ndryshojë: u pastruan hapësirat, u hoqën dritaret e dyert e vjetra, u ndërhy në kulm dhe muret nisën të marrin trajtë të re. Në ditët e fundit, puna zbriti në zemër të Stacionit – në hapësirën e teatrit. U demolua pllaka, u përgatit terreni dhe më 30 prill u betonua ajo.
Sibel Halimi – poete, sociologe dhe ish-drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës – që në momentin që e pa ndërtesën besoi se nuk duhej të mbetej një gërmadhë pa jetë dhe e hulumtoi atë hapësirë jo më si një objekt të braktisur, por si një mundësi për artistët tanë. Sibeli u shpreh që ndihet krenare që Prishtina ka gra artiste si Zana, me përkushtim, guxim, imagjinatë dhe dashuri të jashtëzakonshme për artin.
“Me atë entuziazmin e saj fantastik, me Zanën diskutuam idenë dhe ajo e përqafoi menjëherë. Shkoi ta shihte hapësirën, edhe ajo e pëlqeu shumë. Më pas, edhe kryetari Rama e mbështeti idenë. Kështu nisi rrugëtimi i kësaj hapësire. Të tjerat janë histori e punës së pandalshme të Zanës, e cila e jetësoi atë shumë bukur, ndoshta edhe më bukur sesa mund ta imagjinoja. Dhe mbrëmë, kur e pashë Stacionin Kulturor të gjallë, të mbushur me art, njerëz dhe energji, u ndjeva krenare dhe e emocionuar. Krenare që një hapësirë që dikur më dukej e heshtur dhe e braktisur, sot po flet përmes artit”, u shpreh ajo.
Aktorja Anisa Ismaili para 5 vitesh kishte qenë pjesë e aktiviteteve për pastrimin e kësaj hapësire të braktisur. Sot ndihet e befasuar me transformimin dhe ky moment e bën të besojë se ëndrrat e dëshirat mund të bëhen realitet.
“Këtë e dëshmoi Zana, e cila e hapi një qendër të re kulturore dhe me një emër të bukur, Stacion. Një ambient shumë i mirë, një ambient që një artisti i sjell emocione dhe ide të ndryshme. Të them të drejtën mezi po pres të paraqes një ide timen që të punoj në Stacion”, ka shtuar tutje ajo.
Në hapësirën e dedikuar për shfaqje, audienca e parë ishin vizitorët e Stacionit, ndërsa performanca “Bushtra e Kanaanit” nga Luksemburgu erdhi mes monodramës dhe dans teatrit, krijuar dhe interpretuar nga Lana Nasser, me shoqërim muzikor live nga Antonio Alemanno. Ajo e dërgoi publikun në një qytet të lashtë të rrënuar, drejt pemës së fundit që ende qëndron. Ajo mbart historitë e të parëve të saj dhe rrëfen historinë e llojit të vet. E rrënjosur në kujtimet e njerëzve dhe të vendit. E dëbuar, e shfrytëzuar dhe e përdhosur, por ende me farën e jetës brenda saj.
Tingujt e parë muzikorë që i bënë të pranishmit të vallëzojnë ishin nga LEDA, bendi italian që sjell një mbrëmje plot energji, rock dhe tinguj alternative. Nga rock-u te baladat pop/alternative, Leda e përmbylli një mbrëmje plot energji. Ashtu siç pritet të jetë rrugëtimi i Stacionit Kulturor, aty ku arti ka një shtëpi për t’u nisur dhe për t’u kthyer. Një shtëpi për ta njohur veten dhe për t’u lidhur me tjetrin. Një stacion për të ikur nga kaosi, për t’u kthyer kurdo që ti je gati. Dyert janë të hapura!