Gili Hoxhaj
Pikëtakim ishte monumenti “New Born”. Autobusi ngjyrë të verdhë, i zakontë për kryeqytet, ishte fund e krye i mbushur me adhurues të artit. “FemArt 14” synon gjithmonë ta lërë një kujtim më ndryshe, një përjetim më ndryshe të rrugës deri te shfaqja. Deri te fjala, loja dhe muzika që të prekë. Mes muhabetesh për programin dinamik, pasi dolëm nga kinemaja, nga ulëset e autobusit biseduam edhe për një mbrëmje më parë, për ndjesinë e Stacionit Kulturor, për gëzimin e asaj që vjen pas.
Në Kukaj është ndalesa. Së bashku ecëm deri te takimi edhe me pjesën tjetër të publikut. Rruga për te skena është teposhtë. I shtrënguam këmbët njëri pas tjetrit. Dhe pjesa tjetër ishte përjetim përrallash. Hapësira SERPENTINE ishte një botë më vete. Gjithçka ishte shkrirë mjeshtërisht në një, në një peizazh që është i dukshëm edhe kur terri fsheh bukuritë e natyrës. Dritat, uji, ulëset, kalimi nga një pjesë në tjetrën, secila shndërrohet në një udhë kujtimi – në një mundësi përjetimi. Këtu pushon fuqia e një skene që të bën të hysh në fshatin e braktisur në shfaqje. Të jetosh i pandarë nga jeta e personazheve në një vend herë-herë dhe mitologjik. “Karrocë n’Ajr” arriti një përqafim tjetër të së panjohurës në FemArt.
Muzika është udhërrëfyese që të çon te skena. Publiku zuri vendet në ulëset poshtë skenës dhe në katin sipër. Një karrocë e vendosur në mes s’do të bartte vetëm thasë gruri. Do të bëhej shtrati i fundit i një të vdekuri. Një baba me djalin e tij nisen për ta marrë nusen, Hanën, për ta sjellë në shtëpi. Rruga ndërpritet. Të dy mbesin në një fshat të braktisur, pa shenjë jete në të. Shtëpitë si kasolla janë bosh. Pa shenja orientuese. Babai Gjergj Berisha, që luhet nga Mensur Safqiu, zgjohet nga një ëndërr me plot mesazhe, të paktën aty e kishte parë lindjen dhe perëndimin. Tash ishte mes asgjësë. Rrugën ua ndalon një njeri i vrarë. Trup të cilin s’e tejkalon dot. Siç thotë Gjergji, atij i ka pushuar jeta në bebëza të syrit. Shpreson se po t’i kishte hapur, do ta njihte. “Çfarë nëse e ka parë vrasësin në sy?” – është vetëm një nga shumë pyetjet drejt të cilave ai orvatet. S’di si t’ia shkruaj epitafin. Këmbëngul se nuk mund ta varrosë pa identitet. E cilëson si detyrim njerëzor. Në këto elemente del në pah dinjiteti njerëzor – detyrimi se jeta e ka vendosur përballë këtij njeriu pa frymë për një arsye. Për ta matur burrërinë. Se merr të drejtën për ta varrosur, sepse ajo i takon vetëm familjes. “Nëse askush s’e njeh, kur ta dërgoj shtëpi më shtëpi, do ta dërgojë te maja më e lartë e malit”, thotë ai. I biri insiston të vazhdojnë rrugën, ku i pret Hana. Thotë se përderisa ai po e mban premtimin ndaj një të vdekuri, ai i ka dhënë premtimin një të gjalli. Gjithçka fuqizohet me elemente vizuale e muzikë që e bëjnë më dramatike. Me autore Arta Arifi dhe regji të Ilirjana Arifit, shfaqja sjell në role Mensur Safqiun, Andi Bajgorën, Shpëtim Selmanin, Qëndresa Lokin, Igballe Qenën dhe Albana Gashin. Muzika dhe kompozimi janë të Memli Kelmendit.
Dramaturgia e shfaqjes, Arta Arifi, shprehet se si autore e ndien të nevojshme që zëri i saj jo vetëm të dëgjohet, por edhe të komunikojë përmes pamjes.
“Unë si autore, kam nevojë që zëri im me u dëgju, por edhe me u pa, se unë mendoj që drama si gjini është e dorës së dytë, por është e dorës së parë kur vihet në skenë. Kjo ka qenë arsyeja që unë mendoj që këtij vendi, këtyre grave, edhe vetes ia kam borxh që zëri im të dëgjohet të tjerët. Realisht jam goxha shumë e intriguar nga neuroshkenca, më pëlqen rikrijimi i kujtimeve në kohë të ndryshme. E kam lexuar goxha gjatë dhe e kam menduar që me një dramë si kjo kishte me qenë shumë e rëndësishme me i përfshi pikërisht këto elemente të rikrijimit”, kështu shprehet dramaturgia e shfaqjes, Arta Arifi.
“Ia dhashë fjalën një të vrari e fjalën nuk e thej. Është më e rëndë se vdekja harresa”, thotë Gjergji me fjalët që bëhen më të rënda pas heshtjes ndërmjet. Takojnë një vajzë që është nisur me vullnet në ‘stop’-in e jetës. Gjithmonë i ndodh diçka më e madhe se vetëvrasja. Gjergji i kërkon të pohojë nëse ajo e njeh të vrarin, kurse ajo qëndron e shkujdesur, pasi që ka ujitur krejt tokën, dy ditë e net, për ta varrosur nënën në pemën e shtëpisë. Një burrë tjetër, për një copë grurë, jep të pavërtetën në këmbim të grurit, në arsyetimin se uria është e keqe. “Çdo gjë që lind në tokë, kthehet në tokë ditën tjetër”, thotë ai.
Shfaqja, në mes të shumë pyetjeve, kur një njeri i panjohur bëhet më i madh se çdo vendim tjetër, flet për të brendshmen, për pikëpyetjet dhe qëndrueshmërinë. Për besën. Për parimet. Për humbjen dhe pranimin. “I prisha dasmën e birit tim, për besën e një burri. Çfarë burri jam unë të ndërpres udhën e dasmës”, janë disa nga dilemat e Gjergjit.
“Kjo dramë së pari ka të bëjë me pranimin, para se ta gjesh vrasësin e dikujt. Unë si autore nuk kam dashur në këtë dramë të merrem me dialogje të mëdha kur një baba është në kërkim të një vrasësi, për mua ka qenë më e rëndësishme të marr elemente neuroshkencore dhe t’i vendos në këtë dramë, me e kuptu që individi e ka shumë të rëndësishme të ketë brenda vetes pranimin e veç asaj që ka ndodhur. Mendoj që humbjet e njerëzve janë shumë të rëndësishme dhe nuk mendoj që dikush e ka shpërfaqur në një formë si unë jam munduar ta shpërfaq se si një individ mund ta përballojë vdekjen e dikujt”, ka thënë Arta.
Djali që do të martohej ndalet te një grua tjetër. Gjejnë gëzimin në pak çaste së bashku. Ai tjetërsohet. “Karrocë n’Ajr” dëshmon se vendi mund ta ndryshojë njeriun kur qëndron në të për shumë gjatë. Një karrocë në ajër do të më mbante në qiell si zot.
SERPENTINE nuk është thjesht një objekt ku zhvillohen ngjarje kulturore. Me tri hapësira teatrore, instalacione permanente artistike e zanore, “Muzeun Emocional”, “Shtëpitë e Kujtimeve”, “Akuariumin e Kujtesës” dhe programin e rezidencave artistike, ajo krijon kushte që arti të lindë, të zhvillohet dhe të prezantohet në të njëjtin vend. Aktivistja Valdete Idrizi ishte në mesin e publikut që e shijoi këtë hapësirë bashkë me shfaqjen. Sipas saj, “Karrocë n’Ajr” mbeti tek ajo si një përvojë që të lë pa fjalë.
“Shfaqje jo vetëm një shfaqje që e sheh, por përvojë që e përjeton. Loja brilante e aktorëve, skena e jashtëzakonshme, muzika dhe vetë hapësira magjike e Serpentinës në fshatin Kukaj u bashkuan në një tërësi të jashtëzakonshme. Një shfaqje apo përjetim që nuk mbaron me duartrokitjet, por vazhdon të të rrijë gjatë në mendje”, u shpreh Idrizi.
Në ato pak momente, as për publikun nuk kishte rëndësi orientimi. Hapësira e Serpentinës ka një magji që nuk të lëshon lehtë. Të mban aty dhe s’të lë të shkosh diku tjetër, as me mendime.